Lazarati është i lazaratasve dhe i të gjithë shqiptarëve. Pas 5 ditësh operacion, fshati më problematik dhe rebel i vendit është në duart e policisë dhe tashmë do të pasqyrohet në faqet e para të gazetave ndërkombëtare për mirë.
Në orën 17: 51 minuta të ditës së sotme përmes një njoftimi për shtyp policia e shtetit deklaron se është e pranishme në të gjithë komunën e Lazaratit, mbikëqyr, por dhe ofron rend e siguri për banorët e fshatit.
Duke falënderuar për mbështetjen dhe forcën policia i bën apel banorëve të qëndrojnë në banesat e tyre dhe të asistojnë veprimet proceduriale të policisë, duke garantuar një veprim profesional, ligjor dhe në përputhje me standardet dhe me respektin e plotë të lirive dhe të drejtave të njeriut.
Nuk ka më ‘betejë’, nuk ka të shtëna me mortaja, mitraloza të rëndë, të lehtë, antitanke dhe snajpera. Lazaratasit lëshuan terren, ata që qëlluan dyshohet se u larguan nga fshati, të tjerët hapën dyert për kontroll dhe pranuan që kishin kultivuar kanabis. Kanabisit që kishin nëpër banesa i vunë flakën, e hodhën ku të mundnin, duke lënë pas tymin e flakën e tij.
RENEA dhe FNSH e mbërthyen fshatin dhe thonë se e kanë atë nën kontroll. Për ta kthyer Lazaratin në një fshat normal, u angazhuan 800 forca policore të mbështetura nga mjete të posaçme, forca të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, forcave speciale RENEA, forca të FNSH-së së Fierit, Shkodrës dhe Tiranës, Delta Forcë në Vlorë, si dhe shërbime të tjera speciale të Drejtorive të Policisë së Qarqeve të tjera, si forcat elitë të shërbimeve të Tiranës, Shkodrës etj. Po ashtu rreth 60 automjete policie u vunë në lëvizje.
Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar 13 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivim kanabisi, kundërshtim të punonjësve të policisë apo për shkatërrim prone.
Policia hyn në shtëpinë nga ku qëllohej me mitraloz
Në kuadër të operacionit policor në Lazarat për asgjësimin e plantacioneve me kanabis që po vazhdon prej shtatë ditësh, forcat speciale kanë marrë nën kontroll objektin ku ishte vendosur mitralozi i rëndë, i cili qëllonte me armë policinë. Forcat speciale kanë sekuestruar mitralozin dhe po përparojnë me depërtimin në qendër të fshatit Lazarat. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ka reaguar përmes rrjetit social “Faceboook”: “Vazhdon progresi, policia tani gjendët në shtëpinë nga gjuante mitralozi, bravo çuna bravo”.
Nga ana tjetër, policia ka bërë të ditur se në banesën e shtetasit R.Geveni, janë sekuestruar 150 kg kanabis dhe 200 rrënjë narkotike hashash. Ndërsa në banesën e shtetasit E.Mahmutaj, u asgjësua lënda narkotike e mbjellë në oborr dhe 18 thasë me kanabis. Drejtori i Përgjithshëm i policisë, Artan Didi, po ndjek dhe po drejton operacionin policor në Lazarat.
Dita e pestë në Lazarat, edhe 5 të arrestuar, mes tyre edhe djali i Gate Mahmutajt
Policia ka rinisur në orët e para të mëngjesin e sotëm ditën e pestë të aksionit të gjerë antidrogë në Lazarat. Mbi 800 forca policie, shoqërohen nga 60 automjete dhe një nga synimet e tyre është edhe neutralizimi dhe kapja e personave të armatosur që po qëllojnë ndaj policisë.
Po sot policia njofton arrestimin e 5 personave ditën e katërt të operacionit në Lazarat. Ata janë shtetasit Rustem Xhemal Mahmutaj, 19 vjeç, Teslim Xhemal Mahmutaj, 22 vjeç, Vandam Razip Mahmutaj, 19 vjeç dhe Hysen (Neni) Çela, 48 vjeç.
Këta shtetas akuzohen për veprat penale “vrasje e punonjësve të policisë e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim”, “mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, “kultivim i bimëve narkotike”.
Të arrestuarit dyshohen se së bashku me persona të tjerë kanë qëlluar me armë në drejtim të forcave të policisë gjatë operacionit të ndërmarrë nga forcat e policisë në fshatin Lazarat.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Vandam Mahmutaj janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1363 kg hashash, 8500 rrënjë bimë narkotike, 1000 fishekë model 56, 225 gëzhoja model 56, 1 granatë dhe një armë pistoletë shenjëdhënëse, si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh të llojeve të ndryshme.
Sasia e drogës së gjetur është 12 ton e 800 kilogramë dhe 80 mijë rrënjë hashashi e cila u asgjësua pas regjistrimit si provë materiale. Policia gjeti edhe dy laboratorë droge si dhe armë e municione. Kontrolli është ushtruar në 80 banesa deri më tani dhe në total janë arrestuar 13 persona.