Situata gripale është krejt në kontroll për specialistët e shëndetësisë, por është një gjë që nuk e heq ende ankthin publik të rrezikut të epidemisë dhe kjo lidhet me periudhën në vazhdim, ku edhe vërehen trendet më të zakonshme të gripërave. Shqipëria për shkak të klimës dhe kushteve të tjera këtë periudhë e lokalizon në mesin e shkurtit, kur edhe janë temperaturat më të ulëta.
Megjithatë deri më tani: “Nga mostrat klinike të mbledhura dhe të ekzaminuara në Laboratorin e Virologjisë pranë ISHP-së, vetëm 5 prej tyre janë diagnostikuar pozitive për virusin e gripit, 2 prej tyre me virusin A(H3N2) dhe 3 me virusin B te gripit”, flet infektologu Ergys Ramosaço. Për hir të së vërtetës, flitet realisht për virusin A(H3N2), i cili përfaqëson atë që në media emërtohet si gripi i rrezikshëm amerikan. Ky virus e ka marrë këtë emër pasi fillimisht u izolua në SHBA, ku kuptohet se në disa shtete stina e dimrit është më e hershme.
Sipas specialistit, që i referohet të dhënave të Centers for Diseases Control (CDC), rrezikshmëria e një situate shëndetësore, e lidhur me gripin rritet kur një virus i vetëm dominon në prekjet respiratore në popullatë. “Virusi A(H3N2) është izoluar në rreth 42% të rasteve në Amerikë, gjë e cila justifikon dhe shfaqjen e rasteve me ecuri klinike të rëndë, duke marrë dhe etiketimin si grip i rrezikshëm”. Por, profesor Roshi, drejtuesi i Institutit të Shëndetit Publik e hedh poshtë mundësinë e një epidemie, duke marrë shkas nga mjedisi përreth. Ai cilëson se “Edhe në vendet e Evropës Lindore dhe te Ballkanit trendi i infeksioneve respiratore paraqet rritjen e pritshme për stinën por në të gjithë këtë rajon” dhe rreshton një sërë arsyesh llogjike.
Por, megjithë këtë publiku ka kohën e vet të nevojshme që të marrë masa paraprake. Kryesorja është vaksinimi për grupet e rrezikuara, kurse një masë akoma më efikase është larja e duarve, thotë specialisti i njohur, që shmang të gjithë abuzimet që bëhen nga media ose individë për situatë të agravuar.
“Jemi shumë larg pragut epidemik”
Drejtuesi i Institutit të Shëndetit Publikështë i qartë dhe i prerë në thëniet e tij: Shqipëria nuk rrezikohet nga asnjë epidemi dhe jemi shumë larg pragut epidemik
Nga prof. Enver ROSHI*
A rrezikohet Shqipëria nga ndonjë epidemi gripi, pas lajmërimeve të fundit që në vend janë shfaqur rastet e para të një gripi të rrezikshëm amerikan?
“Gripi amerikan është shkaktuar nga virusi i zakonshëm stinor A/H3N2, i cili është virus qe qarkullon pothuajse çdo vit. Shqipëria aktualisht nuk rrezikohet nga ndonjë epidemi prej këtij virusi sepse në kontinentin Evropian dhe ne vendet e Ballkanit me te cilat kufizohet Shqipëria, si edhe në Itali predominon qarkullimi i virusit A/H1N1 dhe i virusit B. Aktualisht ndodhemi në fazën e aktivitetit stinor të pritshëm te infeksioneve respiratore dhe jemi shumë larg pragut epidemik.
Gjithashtu në vendet e Evropës Lindore dhe te Ballkanit trendi i infeksioneve respiratore paraqet rritjen e pritshme për stinën por në të gjithë këtë rajon: intensiteti i infeksioneve respiratore është i ulet; Përhapja gjeografike mungon apo është sporadike dhe regjionale;Ne disa vende te rajonit trendi i infeksioneve respiratore nuk paraqet rritje por është i qëndrueshëm; Deri tani në Shqipëri, rreth 75% e mostrave te gripit te testuara kanë rezultuar me virusin B; Asnjë nga rastet e shfaqura deri tani nuk ka rezultuar pozitive për virusin e gripit”.
Instituti i Shëndetit Publik është bërë i njohur shumë vitet e fundit nga një numër i madh sondazhesh të kryera në kategori të ndryshme sociale. A vazhdoni te keni si prioritet të punës suaj këtë prirje dhe me çfarë po merreni aktualisht si institucion?
“Secili nga Departamentet e Institutit të Shëndetit Publik ka kryer dhe vazhdon të kryeje me intensitet aktivitetin e tij kërkimor studimor për problemet shëndetësore, që hasen në të gjitha fushat e jetës. Përveçse qendër Kombëtare e Kërkimit/Studimit në Shëndetin Publik, IShP është gjithashtu edhe qendër e referimi, trajnimi, ekspertize teknike e operative si dhe qendër e kontrollit të cilësisë dhe sigurisë të laboratorëve të Shëndetit Publik.
Aktiviteti intensiv i IShP shtrihet ne fushën e parandalimit dhe kontrollit te sëmundjeve infektive si dhe ne mbajtjen në vijueshmëri të pandërprerë e mbulesës vaksinore në nivelet >95% në shkallë kombëtare, shkallë rrethi, e sidomos në atë kapilare, për të gjitha sëmundjet e parandalueshme-me-vaksinim të kalendarit tonë të vaksinimit, të miratuar me ligj
Aktiviteti i ISHP gjithashtu fokusohet në epidemiologjinë dhe kontrollin e sëmundjeve kronike jo-infektiv (Autori rreshton të gjithë atributet e këtij institucioni)”.
A mendoni se i keni strukturat e nevojshme për të kapur dhe interpretuar informacione për të përballur flukse të rrezikut që vine nga viruse të rrezikshme si ai i gripit të shpendëve, gripit të derrit, etj.
“IShP-ja i ka strukturat e nevojshme për të kapur dhe interpretuar informacione për të përballur flukse të rrezikut që vine nga viruse të rrezikshme si ai i gripit të shpendëve, gripit të derrit, etj. Në bazë të rekomandimeve të OBSH-së fillimisht për gripin e shpendëve dhe më pas në fillim të vitit 2009 në kohën e pandemisë së gripit të ri A/H1N1 specialistet e ISHP kane kryer trajnime me personelin shëndetësor në të gjitha spitalet rajonale te vendit për të gjitha hallkat dhe procedurat për përballimin e një epidemie ose pandemie eventuale, në të gjitha hallkat e veta”.
Një pyetje, larg këtyre: A mundet shteti shqiptar t’u asistoje të gjithë fëmijëve me vaksinat e nevojshme. Një e tille sipas jush: vaksina e Pneumokokut ka qene një investim i rëndësishëm i shtetit shqiptar për sëmundjet respiratore peumonite....
“Theksohet që IShP-ja dhe Ministria e Shëndetësisë vitet e fundit e ka pasuruar kalendarin kombëtar të detyrueshëm të vaksinimit me vaksina të reja duke lënë pas edhe shumë shtete të rajonit dhe më gjerë. Vlen të përmendet që i gjithë buxheti për vaksinat financohet tërësisht nga shteti dhe të gjitha vaksinat janë falas për qytetarët. Ky është një tregues i rëndësishëm i kujdesit të vazhdueshëm të IShP-së dhe MSH-së për shëndetin e popullatës, arritje këto të cilat janë vlerësuar shumë pozitive nga ana e OBSH-së, siç është ulja e rëndësishme e vdekshmërisë foshnjore në vendin tonë. Theksojmë që edhe në vitin 2009 në kohen e pandemisë së gripit të ri A/H1N1 qeveria shqiptare shpenzoi disa miliona euro dhe siguroi vaksinën falas për të gjithë popullatën e vendit, dhe ky është një indikator shumë i rëndësishëm i kujdesit të vazhdueshëm shëndetësor nga ana e MSH dhe qeverisë shqiptare.
Përsa i përket vaksinës së gripit stinor ajo çdo vite gjendet në të gjitha farmacitë që në fillim të muajit tetor. OBSH aktualisht nuk rekomandon asnjë kufizim apo depistim ne asnjë nga pikat e kalimit kufitar, si det, toke, ajër. Gjithashtu theksohet vazhdimi i survejances epidemiologjike dhe laboratorike te gripit. Masat e përgjithshme te parandalimit jane ato te higjienës vetjake dhe kolektive. Duhet te vaksinohen me përparësi grupet me risk te popullatës”.
*Drejtor i Institutit të Shëndetit Publik
Virusi amerikan, çfarë rreziqesh?!
Flet mjeku Ergys Ramosaço, infektolog pranë Shërbimit Infektiv të QSUT: Kjo situatë mund të quhet një aktivitet normal sezonal i infeksioneve respiratore, pra nuk jemi në një faze epidemie
A rrezikohet realisht Shqipëria nga ndonjë epidemi gripi, pas lajmërimeve të fundit që në vend janë shfaqur rastet e para të një gripi të rrezikshëm amerikan?
“Temperaturat e ulëta dhe jeta sociale e prirur drejt përqendrimit të njerëzve në ambiente të mbyllura, janë faktorët ndikues thelbësorë që infeksionet respiratore të përfaqësojnë sëmundshmërinë predominuese, përsa i përket infeksioneve në popullatë gjatë stinës së dimrit. Pikërisht në morinë e infeksioneve respiratore gjatë kësaj periudhe të vitit, gripi përbën infeksionin më të zakonshëm. Pra, mund të themi se periudha në të cilën ndodhemi është më e përshtatshme për përhapjen e këtyre infeksioneve dhe po ashtu shfaqja e vetë gripit, duke mos përbërë një ndodhi të papritur për institucionet tona shëndetësore.
Nisur nga të dhënat zyrtare të publikuara nga Instituti i Shëndetit Publik në lidhje me situatën e këtyre infeksioneve respiratore, të mbledhura në të gjithë rrethet e vendit për javët e para të janarit, numri i individëve të prekur nga këto infeksione është krahasimisht i njëjtë, ndoshta dhe më i ulur, krahasuar me të njëjtën periudhë të dy viteve të fundit. Kjo situatë mund të quhet një aktivitet normal sezonal i infeksioneve respiratore, pra nuk jemi në një faze epidemie. A do të ndodhë epidemi? Trendi i të dhënave të këtyre javëve tregon se numri i rasteve të prekur ka ardhur duke u rritur dhe vetëm nëse numri i tyre do të kalojë numrin e pritshëm gjatë aktivitetit normal të këtyre infeksioneve, atëherë mund të themi që kemi epidemi.
Duke qenë se pritet që ky numër të vijë duke u shtuar gjatë periudhës fund janari-javët e para të shkurtit, pikërisht kjo është periudha kur do të shihet nëse do të kemi një situatë epidemie apo jo. Nga mostrat klinike të mbledhura dhe të ekzaminuara në Laboratorin e Virologjisë pranë ISHP-së, vetëm 5 prej tyre janë diagnostikuar pozitive për virusin e gripit, 2 prej tyre me virusin A(H3N2) dhe 3 me virusin B te gripit. Pikërisht virusi A(H3N2) përfaqëson atë që në media emërtohet si gripi i rrezikshëm amerikan. Ky virus e ka marrë këtë emër sepse u izolua në fillim në SHBA, për faktin se stina e dimrit fillon më herët atje.
Në Shqipëri, vonesa e shfaqjes së gripit ka të bëjë vetëm me “vonesën” e ardhjes së dimrit. Sipas të dhënave të Centers for Diseases Control (CDC), rrezikshmëria e një situate shëndetësore e lidhur me gripin rritet kur një virus i vetëm dominon në prekjet respiratore në popullatë. Virusi A(H3N2) është izoluar në rreth 42% të rasteve në Amerikë, gjë e cila justifikon dhe shfaqjen e rasteve me ecuri klinike të rëndë, duke marrë dhe etiketimin si grip i rrezikshëm”.
Cilat janë shkaqet më të njohura të ardhjes së këtyre gripërave në vendin tonë?
“Infeksionet respiratore, përfshirë këtu dhe gripin, kanë si karakteristikë lehtësinë e madhe të transmetimit ndërhuman. Kjo është arsyeja e lehtësisë që ka virusi i gripit për të udhëtuar “gojë më gojë”, e të arrijë në të gjithë vendet e botës, po ashtu dhe në Shqipëri, duke qenë vetëm çështje kohe, përsa i përket “territoreve të reja” që arrin të prekë ky virus. Kjo gjë po vërtetohet dhe me gripin nga A(H3N2), i ashtuquajturi virusi amerikan”.
A mendoni se i keni strukturat e nevojshme në spital për të kapur dhe interpretuar informacione për të përballur flukse të rrezikut që vinë nga viruse të rrezikshme...
“Me të drejtë mediat i kanë kushtuar një vend të veçantë situatës aktuale të gripit në vendin tonë. Dhënia e informacionit të duhur dhe pa “keqkuptime”, është një element i rëndësishëm ndihmës për popullatën në këtë periudhë. Ne klinicistët, në punën tonë të përditshme kemi vënë re një dukuri të re, që e kemi quajtur “ankthi nga gripi”, një reagim ky mëse normal, duke ditur se një grip edhe mund të agravohet mjaft. Kjo gjë nuk do të thotë se nuk duhet të kemi frikë nga gripi, por duke pasur informacionin e nevojshëm dhe duke treguar kujdes për evidentimin e hershëm të një rendimi të situatës klinike grip-lidhur, do të jetë e mundur diagnostikimi i hershëm dhe dhënia e ndihmës së specializuar mjekësore, në kohën dhe vendin e duhur.
Me masat e ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë, institucionet tona shëndetësore i kanë kapacitetet e nevojshme diagnostikuese laboratorike dhe imazherike, po ashtu dhe profesionale, për të përballuar situatën aktuale, por edhe një situatë epidemie, nëse do të jetë nevoja. Gjithashtu dhe Shërbimi Infektiv, pranë QSUT, me eksperiencën e vet të formuar qe prej fillimit te aktivitetit te tij si një i tillë, por duke i shtuar asaj dhe përvojën tepër të vlefshme të përfituar gjatë pandemisë së virusit A(H1N1) të periudhës 2009-2010, ka gjithë potencialet e nevojshme për të përballuar një situatë epidemike të gripit.
Që prej vitit 2009, në shërbimin tonë është vënë në eficencë dhe Reparti i Terapisë Intensive i standardeve të tilla që na mundëson aplikimin e duhur dhe efikas te protokolleve terapeutike dhe në pacientë me situata të rënda klinike”.
Cili është roli i vaksinimit kundër gripit dhe për cilët rekomandohet aplikimi i tij?
“Nisur nga sa përmendëm më lart, lidhur me lehtësinë e përhapjes së virusit të gripit dhe me shtrirjen e gjerë të përhapjes në popullatë, vaksinimi i popullatës si masë parandaluese për përhapjen e gripit është relativ. Vaksinimi kundër gripit rekomandohet për ato grupe- popullatë, që janë të rrezikuara për të kaluar situatë të rëndë klinike nga gripi dhe komplikacionet që mund të japë ai. Vaksinimi rekomandohet për personat e moshës së tretë, mbi 65 vjeç, personat që vuajnë nga sëmundje kronike të zemrës dhe të mushkërive, diabetikët, pacientët me imunitet të kompromentuar (SIDA, me kortikoterapi te zgjatur, etj), obezët dhe gratë shtatzëna.
Vaksinimi i kryer në kohën e duhur (periudha tetor-nëntor), për t’i mundësuar kohë imunitetit tonë për të qenë gati për të na mbrojtur, dhe me vaksinën e duhur, do të mundësonte një parandalim te plote kundrejt virusit te gripit. Vaksina aktuale që gjendet në farmacitë tona, që përmban 2 variante antigjenike të virusit A të gripit (H1N1 dhe H3N2) dhe një variant antigjenik për virusin B të gripit, është vaksina e duhur që realizon mbrojtjen imunitare kundër gripit qarkullues aktual.
Nisur nga ato çka thamë më lart, për valën në rritje te rasteve te prekura nga gripi, që pritet të vijë duke u rritur deri nga mesi i shkurtit, dhe se vaksinimit i duhet një periudhë kohore 10-14 ditë, pas kryerjes që të sigurojë mbrojtjen imunitare, mund të themi se personat e riskuar, që përmendëm, mund të jenë akoma në kohë për të realizuar vaksinimin, siç mund të themi “më mirë vonë se kurrë”.
Një këshillë parandaluese tepër efikase dhe jashtëzakonisht pa kosto për parandalimin e gripit do të ishte higjiena vetjake e duarve dhe evitimi i ambienteve të mbyllura dhe të mbipopulluara. Përsa i përket vaksinimit te fëmijëve, për ta përfshirë vaksinën e gripit në të ashtuquajturin kalendar te detyruar vaksinimi, kjo eksperience nuk aplikohet në asnjë vend te zhvilluar. Politikat shëndetësore ne shumë vende të zhvilluara evropiane, si në Britaninë e Madhe, Irlandë, Austri, Danimarke, etj, rekomandojnë dhe realizojnë vaksinimin vullnetar të fëmijëve, përfshirë këtu edhe vaksinën e gripit.