Anne Sexton Zonja e erresires

Anne Sexton, Zonja e erresires
Drita e studios së dr. Martin Orne rrinte ndezur deri pas mesnate. Në kolltukun e veshur me kadife në gjysmerrësirë, një grua me duart që kalonte shpesh mbi flokë, fliste për ndjesitë e saj. Një burrë duhet ta priste në shtëpi, fëmijët duhet të kishin fjetur, ndërsa në studion e saj disa vargje ishin lënë në gjysmë… Anne nuk mund të vazhdonte. Një moment errësire e kishte pushtuar dhe ishte ngatërruar me fustanin e saj të gjelbër, dhe ajo s’mund ta largonte. Për dr. Orne, orët me këtë paciente ishin të jashtëzakonshme. Atij i dukej sikur ishte futur në një libër ku ngjarjet ngatërroheshin keqas, dhe shpesh nuk gjente rrugën për të dalë. Jashtë rrugët e Bostonit shkëlqenin nga neonet, ndërsa Anne vijonte rrëfimin.

Të gjitha bisedat e pasmesnatës ai i regjistronte në magnetofonin bri tryezës, shiritat e të cilit vazhdojnë të ruhen me kujdes në arkivin e dr. Orne, pas kaq vitesh. “Anne Sexton ka jetuar një jetë të dyfishtë. Më shumë në ëndërr se në realitet asaj i duhej të kombinonte të dyja botët, dhe shpesh kjo gjë i sillte edhe kriza”, shprehet e bija Linda Gray, e cila është edhe autore e librit biografik, kushtuar së ëmës. Por, pavarësisht “fluturimeve” që Anne bënte shpesh me mendjen e saj, bota që ajo shpalos në vargjet që ka lënë është kaq e bukur. Çdo ngjarje që ka ndodhur në jetën e saj mund ta gjesh në librat që ajo ka shkruar. Anne Sexton ka lindur më 9 nëntor të vitit 1928 në Masaçusets dhe është një poete e njohur amerikane. Në vitin 1967 ajo fitoi çmimin “Pulitzer”.

Poezitë e saj në thelb rrëfejnë përvojën e saj personale, luftën e vazhdueshme ndaj depresionit, detaje nga jeta private, marrëdhëniet me burrin dhe fëmijët. Anne e kaloi një pjesë të fëmijërisë së saj në Boston. Në vitin 1945 ajo u regjistrua në shkollën Lowell Massachsetts. Për një kohë të gjatë punoi si modele për “Hart agency”. Më 16 gusht 1948 ajo u martua me Alfred Sexton, i njohur ndryshe me emrin Kayo. Poetja e njohu bashkëshortin e saj të ardhshëm përmes korrespodencave në letra. Pas martesës, Kayo vendosi të mbështesë pasionin e së shoqes për letrat, duke e inkurajuar atë për të vazhduar Universitetin në Nju Jork. Por studimet kërkonin mbështetje financiare, ndaj Kayo kthehet në Masaçusets për të punuar. Në vitin 1952 çifti u bashkua sërish, ku lindi edhe fëmija i tyre i parë, Linda Gray Sexton.

Dy vjet pas bashkëjetesës, Anne fillon të ndiejë shenjat e para të një depresioni, i cili do të bëhej kronik. Pavarësisht se në jetë erdhi edhe fëmija i saj i dytë, ajo nuk mundi të çlirohej nga një gjendje e rënduar mendore. Në dhjetor të vitit 1956 ajo u takua me dr. Martin Orne, i cili do të kthehej në një nga njerëzit më të rëndësishëm të jetës së saj. Përmes seancave të gjata të terapisë, ai do të kthente te gruaja me flokët e shkurtër të zezë, pasionin e vërtetë për letrat. Pacientja që ai kishte takuar atë mbrëmje të ftohtë dimri nuk ishte e zakonshme. Përmes rrëfimeve të saj, ai kishte zbuluar një zë, i cili do të ndikonte në artin amerikan të atyre viteve. Kjo ishte Anne, një grua, e cila e ktheu përvojën e saj personale në një leksion domethënës që dhemb ende sot. Në vitin 1958, ajo mori pjesë në seminaret e drejtuara nga Robert Lowell mbi artin e të shkruarit në Universitetin e Bostonit, ku ishin të pranishëm edhe poetët Silvia Plath dhe Xhorxh Starbuck. Në vitin 1959 ajo u vlerësua me çmimin “Audiencë” për pozitë. Pas këtij vlerësimi ajo boton librin e saj të parë të titulluar “Në çmendinë”.

Librin e saj të dytë ajo e botoi në vitin 1962, për të vijuar krijimtarinë me libra të tjerë të suksesshëm. Gjatë kësaj periudhe ajo iu përkushtua miqësisë dhe udhëtimeve nëpër Europë. Por këto udhëtime do të mbeteshin në gjysmë, për shkak të çrregullimeve të saj emocionale. Për më shumë se një vit ajo do të qëndronte në një klinikë. Në vitin 1965 ajo zgjidhet anëtare e Shoqërisë Mbretërore të Letrave në Londër. Pas këtij vlerësimi ajo boton librin “Të jetosh apo të vdesësh”, më 1966-n, me të cilin u vlerësua me çmimin “Pulitzer”. Në vitin 1969 ajo botoi poemat e dashurisë, një libër i cili ktheu vëmendjen e kritikës ndaj një poeteje që deri në ato momente ishte cilësuar si “zonja e errësirës”. Pavarësisht sukseseve si poete, jeta personale e Anne ka qenë gjithnjë një vuajtje e pafund. Pas një sërë trajtimesh mjekësore, në vitin 1973 ajo merr divorcin nga i shoqi. Pas këtyre vuajtjeve ajo vendos t’i përmbledhë punët e saj krijuese në një libër të quajtur “Ditari i vdekjes”. Ky ishte një moment kur poetja pranoi se krijimtaria e saj kishte ndalur.

Më 3 tetor të vitit 1974 ajo veshi një pallto që e kishte ruajtur prej vitesh nga e ëma dhe u fut në garazhin e shtëpisë, ku kreu vetëvrasje. Ky ishte fundi tragjik, i një jete gati-gati tragjike i një poete, e cila vijon të jetë frymëzuese edhe sot me vargjet që ka lënë pas. Botimi i biografisë së saj nga Diana Wood Middlebrooks ngjalli debate në mesin e psikiatërve. Kjo, pasi në këtë biografi ishin përfshirë edhe shumë biseda të regjistruara mes Anne dhe doktor Martin. Edhe pse botimi i këtyre bisedave është lejuar nga e bija e saj, Linda, shoqatat e psikiatërve u shprehën se ky botim dëmton konfidencën mes mjekut dhe pacientëve. Biografët kërkojnë të kthehen shpesh në jetën e Anne Sexton, të kësaj gruaje me sy kaq të trishtuar e të mëdhenj, që ka lënë pas vargje të mrekullueshme…

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama