Anonimati i qytetit te ri

Anonimati i 'qytetit te ri'

Qyteti / Peizazhi

Një vështrim mbi qytetet tona historike nga arkitektë dhe studiues prej Shqipërisë dhe Kosovës, që morën pjesë në Konferencën Kombëtare me temë “Planifikimi urban dhe peizazhi historik i qytetit”

Peizazhi historik i qytetit është i lidhur ngushtë me peizazhin kulturor të tij, si dhe me ndërgjegjen shoqërore të banorëve. Pjesa më e madhe e qyteteve tona janë ndërtuar mbi struktura historike, çka i bën më interesante në formë. Por çfarë ka ndodhur me këto peizazhe pas viteve ‘90, gjatë një periudhe lëvizjesh të pakontrolluara demografike dhe për pasojë, një anarkie ndërtimore në zënien e tokës, ndërtimi intensiv dhe shtrirje të pastudiuar të kufijve të qyteteve. Një konferencë kombëtare me titullin “Planifikimi urban dhe peizazhi historik i qytetit”, organizuar nga Shoqata e Arkitektëve, bëri për herë të parë bashkë për një temë tepër të ndjeshme në fushën e trashëgimisë historike arkitektë e studiues të trashëgimisë. Duke e quajtur kritike periudhën në të cilën ndodhemi, arkitekti Maksim Mitrojorgji u shpreh se vërehet “Mosrespektim i ekuilibrave urbanë, duke aplikuar procese planifikuese të fragmentuara, ku humbasin raportet ndërmjet pjesëve funksionale dhe marrëdhënia e tyre me të tërën urbane”. Sipas tij, ka mungesë respekti ndaj trashëgimisë ndërtimore në çdo aspekt të saj, historik, shoqëror, kulturor, artistik apo teknik dhe nënshtrim të plotë ndaj ndikimeve globaliste, duke riprodhuar imazhe

urbarkitektonike të huazuara. Një nga idetë ku arkitektët bashkohen, është përqafimi i idesë së vlerave të peizazhit historik të vendbanimeve. “Në këtë kuadër, kujdesi i drejtohet: paqtimit të

zhvillimit urban me ruajtjen e zonave me vlera të veçanta, të vjetra apo të reja, i drejtohet vënies së theksit te vazhdimësia e përmbajtjes shoqërore, funksionale dhe kulturore që ka objekti urban, i drejtohet kujdesit ndaj kuptimit domethënës që

zbulojmë në formën e strukturës urbane, si dhe studimit të kodeve urbane që i kanë dhënë jetë dhe garantuar vazhdimësi shekullore qyteteve tona”, thotë Mitrojorgji, duke shtuar se “sfida kryesore qëndron në mënyrën se si duhet të planifikojmë dhe projektojmë realitetin urban, duke respektuar, ruajtur, zhvilluar dhe transmetuar vlerat më kuptimplotë dhe të qëndrueshme që ai mbart”. Pikërisht ato vlera që kanë mundësuar vazhdimësinë e ekzistencës së tij në kohë.

Artan Shkreli ka folur për rolin e mikrotoponimisë në planifikimin urban, rol sipas tij shpesh i neglizhuar. “Kjo ndodh, sidomos

në qytetet të cilat i nënshtrohen një fshikullimi demografik të pakontrolluar, ndërtimet e shpejta në të cilat zhdukin të gjitha gjurmët paraekzistuese, jo vetëm të strukturave të vjetra urbane, por edhe të zonave buferike të qytetit të dikurshëm. Është

pikërisht mungesa e studimeve serioze dhe e kohës së paktë në dokumentimin e paraekzistencave urbane që përbën shkak për anonimatin e ‘qytetit të ri’”, shprehet Shkreli. Duke marrë si shembull qytetin e Tiranës, ai thotë se pavarësisht zhvillimeve

të vrullshme ndodhet ende përballë sfidave të planifikimit, i cili, ndër të tjera, nëse merr parasysh edhe trashëgiminë e pasur e “të fshehtë” të toponomastikës urbane, do të jetë më koherent dhe

i lidhur me të ashtuquajturin “genius loci”. Për arkitektin Arben Biçoku, ruajtja e peizazheve historike urbane është mjaft

e rëndësishme në reflektimet e zhvilluesve urbanë, nëse ata janë progresive apo konvencionale, në emër të ruajtjes fizike dhe vizuale të origjinalitetin ose për arsye të zhvillimit ekonomik. “Shkalla dhe intensiteti i raporteve dhe debateve janë tregues i një gjendjeje të sëmurë që shkon përtej ndikimit të thjeshtë vizual në këtë çështje. Debati në formë në fakt maskon transformimin e thellë dhe të shpejtë të zonave historike urbane, të cilat tërheqin spekulatorët e shumtë që veprojnë në fushën e pasurive të patundshme, kur vlera e tyre është e njohur, duke projektuar konfigurimin gjeometrik të zonave qendrore, në zemrat e vjetra organike urbane”, shprehet Biçoku. Sipas tij, debate për arkitekturën dhe modernitetin, shpesh neglizhon termat urbane, si ndryshimet shoqërore, dijet, transmetimi i memories vendore, në favor të stilit ndërkombëtar. “Aktualisht në Shqipëri shohim një kulturë kontradiktore, edhe të ruajtjes së trashëgimisë, por dhe të dëmtimit për hir të interesave spekulative të zhvillimit. Për të ndërhyrë në qendrat historike të qyteteve, për t’i adaptuar ato me nevojat tona të sotme, është më treguese mënyra e të menduarit sesa metodologjia”, thotë Biçoku. Për Armand Vokshin, detyra më e madhe e një kombi është ruajtja e memories së tij historike, identitetit të tij nëpërmjet akteve konkrete si ajo e konservimit të saj për të ardhmen, duke mos reshtur së integruari në forma të ndryshme këto fragmente të peizazhit urban në jetën e përditshme. Për drejtoreshën e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani, qendrat historike sot përballen me ndryshimin e vazhdueshëm dhe të shpejtë të funksioneve urbane dhe ndryshimit më të ngadaltë të formës urbane. “Në Shqipëri, qendrat historike i gjejmë si pjesë integrale e tërësisë së qytetit, si p.sh. Berat, Gjirokastër, Elbasan, Korçë, Krujë, Shkodër, Tiranë dhe pjesë e vendbanimeve rurale si në rastin e Vunoit, Qeparosë etj. Qendrat historike mbrohen si të tilla, ndërkohë që ndryshimi i vazhdueshëm i funksioneve urbane kërkon ndryshime dhe në organizimin hapësinor. Në këtë kumtesë paraqitet një perspektivë historike e morfologjisë urbane të qendrave historike në Shqipëri. Bëhet një përshkrim i qartë i peizazhit historik, si dhe rolit bashkëkohor të këtyre qendrave historike, si pjesë e zonave urbane”, thotë Dollani. Për Flamur Kuçin, “Tirana është një realitet urban që ka kaluar përmes një dinamike ekstreme urbanizimi. Trefishimi i popullatës nga 275 000 banorë në 700 000 banorë brenda një harku kohor më pak se 25 vite, është një tregues i thjeshtë i kësaj dinamike. Kjo e bën Tiranën një rast interesant për të analizuar presionin që ka ushtruar zhvillimi frenetik urban ndaj kujtesës peizazhike të këtij qyteti”. Kjo konferencë hodhi vështrimin mbi një temë të ndjeshme, siç është peizazhi historik, i cili shpesh përjashtohet nga diskutimet edhe kur flitet për trashëgiminë kulturore. Trashëgimia kulturore nuk është vetëm ajo e shpallur si e tillë dhe e mbrojtur me ligj, por dhe çdo vlerë historike dhe kulturore e mjedisit urban apo natyror, e vjetër apo e re, që shprehet si shtresëzim historik i një periudhe të caktuar. Për këtë, peizazhi historik i qytetit, si shprehës i përmbajtjes së fazave të ndryshme të zhvillimit shoqëror, është koncepti, që përfshin çdo model ndërtimor, çdo model organizimi hapësinor dhe pamjesh panoramike, është koncepti që përfshin topografinë e territorit, dhe çdo tipologji të infrastrukturës

teknike, gjelbërimin, objektet e vogla dhe detajet artistike që pasurojnë mjedisin.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama