Anonimet engjejt hakmarres te rrjetit

Anonimet, engjejt hakmarres te rrjetit
Grupet e hakersave ndërkombëtarë që infiltrojnë dhe penetrojnë në kasafortat informatike të bankave dhe të qeverive të ndryshme, të ministrive dhe ushtrive, të ndërmarrjeve, korporatave dhe policive në çdo vend dhe në çdo moment e bëjnë vallë këtë për të pohuar të drejtën e një bote pa sekrete?

“Anonymous” janë të gjithë, jemi ne, mund të jetë autori i këtij shkrimi, ti që po e lexon, kolegu yt, fqinji i shtëpisë, shefi yt, bashkëshorti ose bashkëshortja, cilido që ka si okazion transparencën dhe di si të përdorë një kompjuter të lidhur me rrjetin.

Pikërisht këto orët e fundit kanë fshirë dhe rishkruar Kushtetutën e re dhe represive hungareze dhe këtë e kanë bërë nga brenda rrjetit të Gjykatës Kushtetuese. Është ky një demonstrim i qartë dhe i pastër fuqie në zemrën e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë që herë të tjera hakersat kanë sulmuar dhe kanë “mbajtur peng” për orë të tëra sajtet e ministrive amerikane duke nisur nga Pentagoni, FBI e shumë shpesh duke përdorur teknikën e DdoS “Denial of Service” ose mbushja me kërkime që shumëfishohen derisa serveri mbingopet dhe bllokohet. E ndërsa shumë ministri janë sulmuar, janë të shumta edhe korporatat dhe industritë e mëdha që dridhen nga frika e një sulmi të tillë.

“Anonymous” është globalizimi i “vigjilencës” që në këtë rast është i pajisur me fuqinë e rrjetit. Është shpërthimi përmes mjeteve të teknologjisë së lartë i gazetarisë investigative dhe kjo mënyrë ndërkohë është shumë më efikase dhe pa pasoja personale krahasuar me rreziqet me të cilat u përballën në të shkuarën njerëz kurajozë si Daniel Ellsberg që denoncoi mashtrimet dhe gënjeshtrat zyrtare të zyrtarëve të Pentagonit në lidhje me luftën në Vietnam, apo edhe grave si Erin Bronkoviç, që guxoi të sfidonte Pacific Gas dhe Electric Ombpan për helmimin e ujërave.

“Anonymous” nuk është një organizatë, një sekt, një komplot kundër komploteve, por prodhimi natyror dhe i pashmangshëm i një mjeti si rrjeti që u mundëson, që i fton të marrin pjesë të gjithë në përpjekjen e vështirë të vigjilencës reciproke. Është një entitet që qëndron pas maskës së Guy Fawkes, katoliku papist – një zgjedhje paradoksalisht simbolike kjo e një njeriu që në 1600-n tentoi që të hidhte në erë Parlamentin britanik, të vriste Xhejmsin e parë dhe të rivendoste Britaninë e Madhe nën shenjën e Romës.

“Nëse nuk keni gjë për të fshehur, nuk keni nga se të keni frikë”, është një nga motot që gjendet e shkruar në tabela të ndryshme në vendet ku organizohen manifestime të njerëzve që mbështesin konceptin e “Anonymous”, që tani është afruar shumë edhe me platformën e “Wikileaks”. Megjithatë, për hir të së vërtetës të kesh diçka për të fshehur nuk do të thotë domosdoshmërisht që të kesh bërë gjëra “të këqija”, sepse ka edhe sekrete industriale, diplomatike dhe ushtarake që kërkojnë fshehtësi dhe sekrete.

Hakersat sulmues janë përcaktuar si “zogj të shtrëngatës” që krejtësisht pa pritur nisin që të fluturojnë të gjithë së bashku në një tufë gjigante dhe në të njëjtin drejtim dhe duke u shtuar në mënyrë të vazhdueshme në numër, duke e nxirë qiellin dhe me të njëjtën shpejtësi shpërndahen dhe janë në gjendje që të zhduken nga sipërfaqja sikur të mos kishin ekzistuar ndonjëherë. Mijëra nga këta “haktivistë” siç quhen së fundi përmes një neologjizmi të përdorur rëndom, janë individualizuar dhe arrestuar. Janë persona në fakt shumë të zakonshëm si një kopshtar në Britaninë e Madhe, një pensionist në Gjermani, një studente në Miçigan, janë të rinj, të vjetër, gra e burra pa dallime race, feje apo gjinie. Mes haktivistëve, sipas kërkimeve të bëra nga FBI që ka qenë një nga shënjestrat e preferuara duke qenë se kjo “zyrë” është në linjën e parë të represionit dhe mbylljes së sajteve që shkarkojnë muzikë falas, futen burra dhe gra nga vendosje dhe pozicione nga më të ndryshmit, por të lidhur nga një fill i përbashkët dhe i padukshëm i mbrojtjes së tërësisë dhe paprekshmërisë së lirisë së rrjetit dhe të aksesit në të të çdo materiali.

Reaksioni i hakersave ishte shumë më i ashpër veçanërisht kur u shfaq fantazma e ligjit amerikan për të drejtat e autorit i ashtuquajturi Pipa Act dhe Acta europiane. Me këtë rast u ndërmorën një sërë sulmesh përmes “Denial of Service” dhe bllokimeve për të mbrojtur Megaupload, sajti me seli zyrtare në Kinë, si dhe për t’i dalë në mbrojtje Kim Dotcom, themeluesi i sajtit.

Në vitin 2011, hakersat kërcënuan për të shkatërruar “Facebook”, por kjo nuk ndodhi, por kjo nuk do të thotë aspak se nuk do të ndodhë në një të ardhme të afërt, apo të largët. Por “Anonymous” nuk është një ideologji. Është një koncept, një ide që ekziston vetëm kur vepron, ndërhyn. Ai është një faktor i padukshëm në grinë e rrjetit i përhapur dhe vendimtar përmes mekanizmave të teknologjive të reja dhe produkteve të reja. Kushdo mund të hyjë dhe mund të bëhet pjesë e kësaj stuhie, mjafton që të lërë mesazhe në kutinë postare që ofrojnë sajtet e lidhura me hakersat.

Anonimati i anonimëve është plotësisht i garantuar përmes disa prej mekanizmave më të sofistikuar dhe të komplikuar të sigurisë me çelësa prej 256 bit dhe me fjalëkalime të pamundura për t’i thyer. Sipas vetë motos së hakersave nuk ka kasafortë në botë që nuk mund të çelet. Dhe këtë nuk e thonë vetë haktivistët, por e bëri të ditur pak kohë më parë para Kongresit Amerikan edhe një nga specialistët më të falshëm të kriptologjisë brenda FBI-së. Sipas tij, të mundësh hakersat është njësoj si të kapësh dhe të dënosh të gjithë peshqit nga oqeani, çka përbën një absurditet ta mendosh.

Këta njerëz që nuk shfaqen, nuk kanë fytyrë dhe zë, por vetëm veprime krejtësisht të papritura dhe të befta kanë hijen e njerëzve të plotfuqishëm që luajnë në një oqean të madh. Se çfarë do të bëjë më pas kjo valë e madhe që ndërhyn nëpër sajtet që konsideroheshin si më të paprekshmit në botë, këtë askush nuk mund ta marrë me mend vetëm se një gjë është e sigurt: lufta  sapo ka filluar dhe ndërkohë që njëra palë ka fytyrë dhe adresë, pala tjetër ka si armë të fuqishme pikërisht atë kundër të cilës lufton: fshehtësinë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama