Anonymous Ne hakerat ne sherbim te lirise

'Anonymous', 'Ne hakerat ne sherbim te lirise'
Ja se çfarë tregon një anëtar i rrjetit që sulmon sajtet anti-'Wikileaks': 'Qëllimi ynë është qarkullimi i lirë i informacionit, të ndalojmë censurën në internet dhe të ndryshojnë ligjet e vjetra të copyright'

“Mbrojmë të drejtën e ‘Wikileaks’ për të qenë e lirë nga censura, sepse objektivi ynë është qarkullimi i lirë i informacionit”. Ai që flet, se nga cili vend nuk dihet, është "Owen". Të paktën ky është emri që një prej zëdhënësve të “Anonymous” i ka vënë vetes në një bisedë në çat të zhvilluar në “Internet Relay Chat”, sheshi virtual ku anëtarët e grupit takohen për të diskutuar veprimet e ardhshme të “luftës” së tyre virtuale kundër censurës dhe përdorimit të copyright-it në internet.

Çmenduria e tyre e fundit quhet operacioni “Payback”, që pak ditë më parë goditi sajtet e “Mastercard”, “Visa”, “Amazon” e “Paypal”: të gjitha kompani që kanë bllokuar transaksionet financiare në favor të sajtin të Julian Assange. “Bank of America” sapo ka diskutuar se do të bëjë të njëjtën gjë, dhe në sheshin virtual të hakerave kanë nisur diskutimet për t’u hakmarrë.

Do të sulmoni “Bank of America”?

Nuk është marrë ende një vendim. Gjithçka është e mundur.

Si zgjidhet veprimi që do ndërmerret?

Propozohet nga dikush në forumin kryesor, ku diskutojmë të gjithë së bashku. Pastaj një grup më i kufizuar, i përbërë nga më të zotët, vlerëson nëse teknikisht është diçka që mund të kryhet: jo të gjitha sajtet mund të sulmohen lehtësisht. Por, ky nuk është një vendim i organizatës: secili në fund të fundit është i lirë të bëjë atë çka do. Bashkohen për të sulmuar, ata që ndajnë të njëjtën ide.

Dukeni të mirëorganizuar në atë që bëni?

Për disa pika po, për disa të tjera jo. Anëtarët veprojnë si një mendje e vetme, edhe pse janë në vende të ndryshme. Le të themi se nuk jemi të organizuar “ashpërsisht”. Secili bën atë që do: ka nga ata që drejtojnë diskutimet, që administrojnë serverët, dikush koordinon e dikush bën sulmet “DDoS".

Si koordinohen sulmet?

Në fillim bihet dakord për orarin, dhe fiks në atë orë përhapim zjarr me spamet.

Ka edhe nga ata që vënë në dispozicion kompjuterët e tyre për këto operacione?

Shumë përdorin një program që mund të azhurnohet dhe komandohet në distancë, por jo të gjithë përdorin këtë metodë.

Cila është fjala e duhur për të përcaktuar anëtarët e “Anonymous”? Mos ndoshta, aktivistë politikë?

Mendoj se është një përkufizim i zbatueshëm për shumë prej nesh.

Është mirë të quheni "hacktivistë"?

Nuk më pëlqen parashtesa "hack". Anëtarët nuk janë hakera në kuptimin që njerëzit i japin kësaj fjale. Hakerat janë njerëz me njohje dhe kompetenca sociale. Pjesa më e madhe e jona nuk ka shumë kompetenca informatike. ‘Loic’ (software që përdorin për sulmet ‘DDos’) është një program i thjeshtë.

Sa anëtarë jeni gjithsej?

Ka njerëz që vijnë dhe ikin. Maksimumi u arrit disa ditë më parë, dhe ishte 7841. Në këtë moment që flasim jemi 559.

Që kur shpërtheu çështja e “Wikilekas”, sa keni shkuar?

Nuk e di, shumë fare. Nuk kishim kapacitet të mjaftueshëm në rrjet për të përballuar të gjithë përdoruesit. Megjithatë, “Anonymous” do të “rritet” aq sa të jetë e nevojshme për të arritur objektivat e tij.

Cilat janë?

Të ndalojmë censurën në internet, të ndryshojmë ligjin e vjetër për copyright, të mbështesim lirinë e qarkullimit të informacioneve dhe të gjithë ata që e reklamojnë.

Ju doni të bëni atë që kërkon edhe Julian Assange. Deri kur do të zgjasë operacioni për mbrojtjen e “Wikileaks”?

Deri kur qeveritë që e akuzojnë do të hedhin poshtë të gjitha akuzat e padrejta për të. Gjithsesi, ky është vetëm opinioni im.

Nëse SHBA-ja do ta akuzojë për konspiracion, mund të sulmoni edhe Departamentin Amerikan të Shtetit?

Nuk ka asgjë të shenjtë për “Anonymous".

Keni kontakte me ata të “Wikileaks”?

Personalisht jo, por jam i bindur se mes nesh ka persona që janë të “Wikileaks".

“Anonymous” lufton për qarkullimin e lirë të informacioneve, por bazohet tek sekretet. Nuk jep asnjë informacion për anëtarët e tij. Nuk është kontradiktore kjo?

Me thënë të drejtën, nuk kemi informacione për askënd.

Po ti ku gjendesh?

Mund t’ju them se IP-ja ime thotë Zvicër.

Prej sa kohësh je pjesë e “Anonymous”?

Nuk e di.

Sa vjeç je?

Mund të jem nga 12 e lart. Zgjidheni vetë.

Je student? Punon?

Bëj atë që mundem dhe jam i lumtur që i kushtoj shumë kohë këtij aktiviteti, rreth 20 orë në ditë. Pastaj fle.

Ke takuar ndonjëherë personalisht ndonjë anëtar të “Anonymous”?

Jo, kurrë. Më fal, por duhet të shkoj tani.

E çfarë do të bësh?

Ka disa probleme me serverin. Pastaj do të shoh nëse gjithçka funksionon ashtu si duhet. Mirupafshim.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama