Antikorrupsioni i qeverise nis nga Kisha Ortodokse

Antikorrupsioni i qeverise 'nis' nga Kisha Ortodokse

Qeveria prezantoi portalin stopkorrupsionit.al nga salla e shfaqjeve të Katedrales Ortodokse në Tiranë. Kjo nuk është hera e parë që kjo sallë përdoret për aktivitete të ndryshme, ndërkohë që qeveria e ka marrë me qira pasi nuk ka një sallë të standardeve të tilla. Një armë në dorë të qytetarëve për të zgjidhur nga njëra anë problemet e tyre dhe nga ana tjetër për të goditur çdo aferë korruptive të administratës shtetërore e çfarëdo niveli dhe fushe qoftë ajo.

Kështu e ka quajtur kreu i qeverisë, Edi Rama, portalin më të ri të qeverisë “Stopkorrupsionit”, që është prezantuar dje në një aktivitet të posaçëm kushtuar këtij problemi, ku merrnin pjesë një sërë ministrash të kabinetit qeveritar. Portali në fjalë është faqe e posaçme që ekzekutivi ka hapur në internet dhe ku qytetarët ftohen që të denoncojnë rastet kur nëpunësit publikë u kërkojnë para apo favore të tjera në këmbim të zgjidhjes së një problemi apo të marrjes së një shërbimi.

“Kushdo që gjendet përballë korrupsionit, në cilëndo formë, cilindo nivel, ka në dispozicion një platformë lufte të përbashkët me ne. Kushdo që nuk pranon që atë që i takon, ta marrë duke iu nënshtruar korrupsionit, ka në dispozicion një armë, të cilën ne i ftojmë të gjithë për ta përdorur bashkërisht”, – tha kryeministri Edi Rama.

Ndaj ka vazhduar ai, mjafton që një qytetar që vihet përballë kërkesës së një nëpunësi për korrupsion, ai mund ta denoncojë atë në faqen e posaçme në internet dhe menjëherë shqetësimi i tij do të bëhet problem mes qeverisë, ministrive të linjës dhe vetë nëpunësit që ka kërkuar favore në këmbim të një shërbimi.

“Kjo platformë kapërcen burokracinë. E kjo platformë ka përgjegjës të drejtpërdrejtë dhe që nuk mund t’i shmangen përgjegjësisë së tyre. Sepse në momentin kur qytetari merr përsipër të bëjë denoncimin, ky denoncim nuk shkon në një dorë të vetme, gjë që e bën qytetarin jo vetëm mosbesues, por edhe të ndrojtur, për shkak se mund të marrë jo vetëm atë që mos të ketë përgjigje, por edhe reagimin e të denoncuarit, për shkak të lidhjes së shkurtër me burimin ku ka shkuar informacioni”, – tha Kryeministri.

Një nga mënyrat më efikase sipas tij për të forcuar luftën kundër korrupsionit është edhe faktimi i rasteve të korrupsionit me anë të telefonave celularë.

“Të gjithë qytetarët anembanë vendit, që nëse sot keni në dorë një aparat telefoni celular, nga sot keni në dorë përmes këtij aparati, një armë për ta luftuar konkretisht korrupsionin, së bashku me ne”, – u shpreh Rama.

Sipas tij platforma në fjalë bën të mundur që ankesa apo denoncimi të shkojë në të njëjtën kohë në katër drejtime të ndryshme që janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe përgjegjësia për të trajtuar denoncimin shkon nga niveli më i lartë, që është zyra e Kryeministrit, tek ministri përgjegjës, tek Departamenti Antikorrupsion dhe tek salla operacionale e këtij mjeti të ri.

“Nëse dje qytetarët nuk e kanë pasur këtë mundësi, nga sot e kanë këtë mundësi. Nga sot, dhe këtë e them me bindje, çdo qytetar që ka një aparat celulari ka në dorë armën për të luftuar edhe korrupsionin, ka në dorë armën për t’u mbrojtur nga çdo punonjës i Hipotekës, i ALUIZNI-t, i Policisë, i Tatimeve, i Doganave, i spitalit, i shkollës, i kujtdo sektori dhe sporteli, që tenton ta nënshtrojë duke i vendosur si kusht një pagesë të paligjshme. Mjafton që qytetarët të marrin thjesht mundimin dhe për këtë të njoftojnë drejtpërdrejt zyrën e Kryeministrit, ministrin përkatës, Departamentin Antikorrupsion dhe sallën operative të kësaj platforme”, – tha Rama ndërsa shtoi se salla operacionale do të funksionojë me dy turne për të mbledhur dhe trajtuar çdo denoncim.

Rama gjithashtu ka bërë të ditur se ky portal bën të mundur që qytetarët të mundin frikën për të bërë denoncime, pasi për të gjithë ata që nuk duan të japin të dhënat e tyre, mund ta bëjnë këtë edhe duke ruajtur anonimatin.

Për këtë mjafton që në portalin në internet të klikojnë butonin “anonim”. Gjithashtu, sipas kreut të qeverisë ky program siguron që brenda një afati 30-ditor, çdo praktikë të marrë një zgjidhje. Në këtë takim kanë folur edhe disa nga ministrat.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama