Peshkaqenët janë gjallesa shumë të forta, por sipas një studimi të ri ky tipar i karakterizon edhe në brendësi, falë një substance e cila është në gjendje të ndalojë që në lindje një virus. Në fakt, studimet e fundit kanë treguar se një përzierje e ngjashme me kolesterolin, e zbuluar në indet e peshkaqenëve, është në gjendje të luftojë viruse të ndryshme që janë shumë të vështirë për t’u luftuar në organizmin e njeriut, si për shembull ethet tropikale apo hepatiti. Përzierja, e quajtur ndryshe “squalamina”, është provuar në disa teste klinike për kancerin dhe patologjitë vizuale. Nga këto prova nuk janë shfaqur efekte anësore te personat që i janë nënshtruar testeve. Studimi i ri ka treguar se “squalamina” është në gjendje të ndërpresë ciklin jetësor të viruseve, duke parandaluar riprodhimin e tyre si në inde, ashtu edhe te kafshët e gjalla. Për sa i përket ekzistencës së barnave të shumta që janë në gjendje të kurojnë infeksionet bakteriale, shumë pak ilaçe janë efikase kundër viruseve. Barnat aktuale antivirale janë shumë specifike, veprojnë vetëm në një cep viral, por cepat mund të pësojnë shumë lehtë mutacione, duke zhvilluar një rezistencë ndaj ilaçit. “Kjo është një rrugë krejtësisht e panjohur në trajtimin e sëmundjeve virale, - shpjegon përgjegjësi i studimit, Michael Zasloff, drejtori i repartit të imunologjisë kirurgjike në institutin e transplanteve, të “Georgetown University Hospital”. - Ka gjasa që të kurojmë shumë sëmundje që aktualisht trajtohen si infeksione kronike”.
“Momenti eureka” i ilaçit antiviral
Zasloff e zbuloi “squalamina”-n në vitin 1993, ndërsa kërkonte agjentë antibakterialë tek peshkaqenët, të cilët janë imunë ndaj disa sëmundjeve të ndryshme, duke përfshirë edhe të gjitha viruset. Ai zbuloi se “squalamina”, që nuk ngjasonte me asnjë përzierje të përshkruar apo zbuluar më parë, pengonte zgjerimin e enëve të gjakut, gjë që do të thotë se molekula e asaj përzierjeje ka fuqi për të ndalur shumimin e qelizave kancerogjene. Studimet e ndryshme që janë bërë tek njerëzit kanë çuar me kalimin e kohës te “momenti i eurekës” së Zasloff, pra në momentin që është vërtetuar se “squalamina” është gjithashtu në gjendje të ndalojë viruset. “Arrita të shikoja se si ajo përzierje funksiononte kundër viruseve, njësoj sikur po shihja një film”, - kujton shkencëtari. “‘Squalamina’ është një molekulë e ngarkuar pozitivisht, dhe si pasojë sapo futet në një qelizë, kapet ‘si me ganxhë’ në membranat e saj të brendshme, të cilat kanë ngarkesë negative”, - shpjegon Zasloff. Në këtë mënyrë, “squalamina” largon çdo lloj proteine të ngarkuar pozitivisht e cila është ngjitur në membranën e qelizës, një veprim ky, bën të ditur studiuesi, që nuk ka asnjë efekt negativ mbi qelizën.
Kur një virus pushton një qelizë, “pret” që ato proteina të jenë të pranishme në membranën qelizore. Pa proteinat virusi nuk është në gjendje të riprodhohet. “Asnjë përzierje tjetër e njohur për shkencën nuk është në gjendje të bëjë këtë gjë, - thotë Zasloff. - Kjo është një veti vërtetë e rëndësishme”. Madje, aq e rëndësishme saqë i ka ndihmuar peshkaqenët të mbijetojnë për miliona vjet dhe mund të jetë çelësi i madh i suksesit të evolucionit të tyre. “Mbrojtjet antivirale të peshkaqenëve janë të mahnitshme, - thotë Zasloff. - Me kalimin e viteve kanë përvetësuar një sistem imunitar vërtetë të mrekullueshëm dhe vazhdojnë ta kenë”, - shton ai.
“Squalamina” është efikase edhe kundër viruseve të njeriut
Studimi tregoi se “squalamina” ishte në gjendje të luftonte infeksionin e virusit të etheve tropikale në qelizat e enëve të gjakut të njeriut, si edhe hepatitin B e D në qelizat e mëlçisë së njeriut. Tashmë struktura e peshkaqenëve nuk është më e nevojshme për të prodhuar “squalamina”-n, e cila është sintetizuar në laborator që prej vitit 1995. Zasloff dhe kolegët e tij kanë zbuluar gjithashtu se “squalamina” frenon ethet e verdha, virusin e etheve të kuajve lindorë dhe “cytomegalovirus” te kafshët e laboratorit. Përzierësit e zakonshëm me bazë “squalamina”-n janë në gjendje të veprojnë vetëm mbi qelizat që kanë “porta kimike” të cilat e lejojnë hyrjen e tyre, ashtu si janë enët e gjakut, të kapilarëve dhe mëlçisë.
“Megjithatë, një ilaç me bazë “squalamina”-n mund të merret potencialisht vetëm për të luftuar një shumëllojshmëri virusesh edhe në tipe të tjera qelizash”, - thekson studiuesi.
“Përfundimet e studimit duken premtuese për sa i përket barnave antivirale, - ka deklaruar Todd Rider, shkencëtar në laboratorin “Lincoln Laboratory”. “Deri tani shkencëtarët kanë treguar se ‘squalamina’ është efikase kundër gjashtë lloje virusesh, përveç zbulimit që ka efekte helmuese dhe efekte të tjera anësore në disa lloje qelizash në doza krahasuese dhe ato që kërkohen për efikasitetin antiviral”, - ka shtuar Rider. “Do të jetë interesante të testohet efektshmëria e ‘squalamina’-s te viruset e tjera dhe të kuptohet nëse efikasiteti viral mund të arrihet pa ndonjë efekt toksik mbi çfarëdolloj indi”.
Zasloff ka nënvijëzuar se, çdo substancë ka një shkallë helmueshmërie dhe se vetëm testet klinike do të tregojnë se sa i sigurt është ilaçi për njerëzit. Gjithmonë duke u bazuar te Zasloff, testet mbi qeniet njerëzore duhet të fillojnë pas një viti e gjysmë. “Peshkaqenët e kanë fshehur ‘squalamina’-n në trupat e tyre prej 700 milionë vjetësh, - ka thënë ai. - Tani na e kanë dhuruar neve”.