Ai është një nga pionierët e modernizmit spanjoll i njohur në skenën ndërkombëtare. Në qytetin e tij të lindjes, Barcelonë, zhvilloi formimin e tij artistik, në kryqëzimet brilante që karakterizuan fundin e modernizmit.
Fillimet e tij si vizatues në publikimet periodike qenë të shkëlqyera dhe shumë shpejt u kthye në një dizejnator të talentuar të afisheve kinematografike ku shfaqet një sinkretizëm plastik i kujdesshëm, i influencuar nga burimet e avangardës që shënuan shekullin XX: që nga kubizmi deri tek futurizmi, nga ekspresionizmi deri tek estetika e dizejnimit grafik.
Clavé, për shkak të Luftës Civile, u largua në Francë, ku zbuloi litografinë dhe gravurat, fusha të cilat më vonë do t´i hapnin portat e botës editoriale dhe që do ta bënin ilustrues të njohur. Publikimet e tija si Carmen de Merimée (1946) apo Dama Maç e Pushkinit janë shembuj të këtij momenti.
Përfaqësoi Spanjën në Bienalen e Venecias me një ekspozitë individuale. Me 1942, miqësia e tij me Pikason i dha fund këtij momenti intim dhe përgjatë disa viteve ia dedikoi punën e tij rrymave tradicionale të pikturës: natyrave të qeta, peizazheve dhe portreteve, në një udhëtim që e çoi deri tek abstraksionet.
Në 1954, Clavé, i cili tashmë ishte një figurë artistike e rëndësishme në një univers plastik të Francës dhe pasi jetoi një periudhë suksesesh të mëdha skenografike ndërkombëtare (Shtëpia e Bernarda Albës, Frika, Zija në 24 orë si dhe bashkëpunimet me fat me Ruth Page për Operën e Cikagos), vendosi t´i dedikohej krejtësisht pikturës.
Në këtë moment futi në krijimtarinë e tij një ikonografi mesjetare plasticiteti bindës: mbretër me mjekra, mbretëresha të pakapshme si dhe figura antropomorfe me një kuptim të fuqishëm. Kjo qe gjithashtu një periudhë zbulimi dhe rekuperimi i materialeve plastike. Clavé u kthye ne një ekspert të thurjeve, pigmenteve dhe derivateve të tyre vizuale, të cilët në funksion të dritës transformoheshin në, një atmosferë ajrore, gjithnjë në një kundërshti formale me ritmet e pikturës.
Në 1956 Antoni Clavé iu kushtua më shumë skulpturës, teknikë që e perceptoi në fillimet e viteve 30, me anë të një sekuence të mrekullueshme të objekteve të gjalla me një pamje surrealiste. (Njeriu me monokël, Telefoni etj.) Kolazhet e tij i përgjigjen një skeme strikte shprehëse, duke e afruar veprën e tij me formalizmin. Kjo konsiderohet periudha e shkëlqimit më të madh të Clavé-së. Ekspozita që rri hapur në GKA deri më 15 dhjetor, në kuadrin e Vjeshtës Kulturore Spanjolle Shqipëria, mbështetet nga Shoqëria Shtetërore për Veprimin Kulturor të Jashtëm të Spanjës (SEACEX), Ministria Spanjolle të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit dhe ajo e Kulturës.