Fati tragjik i shumë prej këtyre burrneshave bëhet shëmbëlltyrë e statusit të tyre gjatë periudhës së komunizmit.
“Nëse komunizmi do të kishte vazhduar edhe 50 vjet të tjerë, fenomeni i ‘virgjineshave’ ndoshta do të ishte zhdukur totalisht…por kësaj nuk i dihet”, ngre dyshimin antropologia angleze, Antonia Young. Para se të takonte për herë të parë një “virgjineshë” (pas viteve ’90), Young dyshonte nëse fenomeni i “virgjineshave” kishte mbijetuar gjatë komunizmit. “Shumica e dokumenteve që flisnin për to i përkisnin së shkuarës. Mendohej se fenomeni i njohur si virgjineshë absolutisht ishte zhdukur gjatë regjimin komunist. Ky ishte një subjekt i kulturës shqiptare, që dëshiroja ta vëzhgoja”, – thotë ajo. Në një konferencë të mbajtur në Universitetin e Bradfordit në vitin 1987, me temë “Gratë udhëtare në Ballkan”, ajo paraqiti një letër të Rose Wilder Lane, ku hamendësoi për ekzistencën virgjineshave. “Herën e parë që vizitova Veriun e Shqipërisë më 1989-ën, bëra kërkime lidhur me këtë çështje. Udhëtarët perëndimorë që vizitonin Shqipërinë në atë kohë lejoheshin të udhëtonin vetëm nën një mbikëqyrje të rreptë, por ama për këto grupe ata kujdeseshin shumë dhe ishin mjaft të përgatitur, duke ndjekur itinerare të veçanta. Këto grupe e kishin të ndaluar të flisnin me ndonjë tjetër përveç drejtuesit të tyre ose me përfaqësuesit e shtetit…Vite më vonë u befasuam kur mësuam se fenomeni i “virgjineshave” vazhdonte të ekzistonte, ku shumica e këtyre burrneshave jetonin në veri dhe shumë pak në jug, madje u tronditëm kur morëm vesh se ky fenomen vetëm 150 km larg nga kryeqyteti i Shqipërisë, ishte krejt i padëgjuar”.
Kjo sepse regjimi komunist, siç vlerëson Antonia Young në librin “Gratë që u bënë burra. Virgjineshat e betuara shqiptare”, u soll me këto gra që visheshin e silleshin si burrat sikur ato të mos ekzistonin. Ndaj dhe studiuesit e huaj që kishin lexuar për fenomenin nga përshkrimet e udhëtimeve të hershme nëpër Ballkan, e sidomos në Shqipëri, filluan të mendonin se kjo traditë ishte zhdukur një herë e përgjithmonë. “Puna kërkimore mbi temën e virgjineshave u shkrua nga perëndimorët (shumica u botua kryesisht në vitet 1960) sidomos në lidhje me Shqipërinë, duke u bazuar në të dhënat e grumbulluara para viteve 1940, ku shumica e studiuesve hamendësonin se kjo traditë ishte zhdukur një herë e përgjithmonë. Kjo sepse qeveria shqiptare (komuniste) e ka shmangur gjykimin dhe faktin se këto tradita ekzistojnë. Pas vitit 1967 dhe sidomos pas “revolucionit kulturor” në vitin 1974, shumë prej zakoneve që vinin qysh prej lashtësisë u përjashtuan nga folklori. Prandaj nuk ka të dhëna kërkimore zyrtare për jetesën e femrave si burra gjatë kësaj periudhe.” Antropologia shqiptare, Andromaqi Gjergji shkroi për virgjëreshat deri në vitin 1963, duke e përshkruar këtë fenomen si traditë në zhdukje në “Gjurmë të matriarkatit në disa doke të dikurshme të jetës familjare” (Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës). E në fakt, fenomeni ka mbijetuar me vështirësi gjatë regjimit komunist dhe çka vëren me dyshim në fillim të këtij shkrimi antropologia Young mund të kishte ndodhur vërtet. “Gjatë komunizmit, Pashku ka qenë veç një argate.
Atë e rritën gjyshja dhe axha. Laura Façhia (gazetare italiane, e cila udhëtoi në Veri të Shqipërisë gjatë viteve 1998-2002 për të treguar historinë e burrneshave) tregon se Pashku kur ishte e vogël, pa me sytë e saj sesi ushtarët e Hoxhës i masakruan burrat e familjes, sepse ata ishin përpjekur të arratiseshin përtej kufirit të Shqipërisë dhe prej asaj kohe ajo u rrit si një trimëreshë e vërtetë dhe pa kurrfarë modeli femëror. Fëmijëria e saj shkoi maleve duke kullotur delet me djemtë e tjerë. Fati tragjik i shumë prej këtyre burrneshave bëhet shëmbëlltyrë e statusit të tyre gjatë periudhës së komunizmit. “Lindita, rreth të 40-ve, jeton në Shkodër, dhe për nga pamja duket më femërore nga të gjitha burrneshat e tjera që kishim intervistuar. Babi i kishte vdekur kur ishte katër vjeç. Në moshën 10-vjeçare, e vetme, pa motër apo vëlla, Linditës ia lypi nevoja të merrte në dorë rolin e mashkullit në familje, edhe për hir të së ëmës. Në punë i dilnin probleme pafund dhe e inatosur u kundërvihej anëtarëve të partisë. Acarimi kulmoi kur një ditë përlau një fotografi të Enver Hoxhës dhe e shkalafiti copë e çikë përballë anëtarëve vendorë të partisë gjatë një takimi që po mbanin. Kjo revoltë i kushtoi njëzet e një vjet burg. Ajo bëri vetëm pesë vjet dhe u lirua, sepse regjimi u shemb ndërkohë që ajo vuante në burg dënimin. Gjatë këtyre pesë viteve Lindita vuante në burgjet e meshkujve dhe shpesh ishte subjekt për abuzime nga më çnjerëzoret. Kujton kur një herë i thyen dhëmbët, por ndalon së rrëfyeri në hollësira të tjera. Në të njëjtën mënyrë ka vuajtur edhe një tjetër “virgjineshë” nën regjimin komunist; ajo ishte Angjelina (ose siç mori emrin më vonë, Luk).
Pak kohë pas martesës së saj, ajo u burgos për arsye politike. Shumë vjet më pas u la e lirë dhe e gjeti veten në mes të katër rrugëve pa një shtëpi; nuk ishte në gjendje të gjente dot burrin e as familjen e saj dhe i vetmi shpëtim ishte të shndërrohej në burrë (Luk)…Dilorja (një tjetër “virgjineshë”) refuzoi të bënte shërbimin ushtarak, madje edhe stërvitjen e detyruar, duke kundërshtuar prerazi qeverinë komuniste. Kur e takova për herë të fundit, ajo vazhdonte të merrte pjesë nëpër mbledhjet e fshatit. Gjatë periudhës komuniste, kjo familje ishte nga të fundit që e braktisi tokën e saj, deri kur përfundimisht ia morën me dhunë. Dilorja, një katolike e devotshme, shpesh vizitohej nga forca policore për këtë shkak, por ajo i shkonte të sajës në këtë ballafaqim të rrezikshëm: “Ju kisha ra n’fije atyne njerzve, shpesh msheftas ju dhonsha gjana nën dorë: bajsha çmos që familja jeme me i prit si i ka hije malsorit, por prap se prapë urdhni zyrtar nga jash zon’s na shpronësoi prej tok’s sonë”. Pendesa më e madhe e Dilores është se: “komunistat ma morrën kalin dhe koburen teme” Këto janë vetëm disa nga rastet që Antonia Young përshkruan në librin e saj; “qeveritë e së kaluarës u përpoqën ta ‘zhduknin’, por nuk ia dolën”, – thotë ajo.
Marrëdhënia me fenë
Antropologia Young e ka parë fenomenin në të gjitha këndvështrimet, për të gjetur përgjigje për shumë pikëpyetje të saj. Një element është dhe marrëdhënia e këtyre grave që u bënë burra me besimin. “Për pjesën më të madhe të “virgjineshave” që takova, feja në jetën e tyre nuk luante ndonjë rol të rëndësishëm. Asnjëra nuk ishte betuar përpara ndonjë kreu fetar. Më besimtarja (katolike) ishte Dilorja; Lulja kishte varur nëpër muret e shtëpisë piktura të shenjtorëve, por nuk kishte ndonjë farë lidhjeje të fortë me kishën. Shkurtani dhe Hakiu, si justifikim për pasivitetin dhe mosinteresimin e tyre ndaj besimit mysliman, thoshin se ishte mungesa e një xhamie në katund ose në zonat përreth. Pyetja ime për këtë shpërfillje ndaj një përkatësie fetare merrte një përgjigje pikërisht me reflektimin e jetës gjatë gjithë viteve nën regjimin komunist. Kjo formë strikte e komunizmit në Shqipëri (shpallja si vend ateist), ndikoi drejtpërsëdrejti te të paktën katër prej “virgjineshave”; Dilorja, Pashku, Lindita dhe Angjelina. Me shumë gjasa, të tjera virgjinesha kanë qenë shumë besimtare dhe për këtë arsye janë internuar dhe e kanë pasur të pamundur që të merrnin rolin e kreut të familjes”.
Tabu të flasësh për seksin
“Duhet të matesh mirë kur përmend fjalën ‘seks’ në këtë zonë tejet të prapambetur. Ka mbetur krejtësisht tabu. “E për çka duhet me m’mungue marrdhania seksuale kur un tash e kam i familje kaq t’madhe?” – thotë Lulja. Puna asht gjaja ma e ransishme n’jetë teme”. Ashtu si dhe virgjëreshat e tjera, ajo dukej shumë e përhumbur, kur e pyet rreth lesbizmit, nuk kuptonte fare konceptin e femrës lesbike. Riprodhimi është arsyeja e vetme për të bërë seks dhe mbi të gjitha bëhet vetëm brenda lidhjes martesore”. Gazetari Tom Parfitt (Daily Telegraph & The Guardian) takoi ”virgjineshat shqiptare në vitin 1997 dhe shkroi për këtë fenomen interesant (siç e përshkruante ai) që kishte hasur në Veri të Shqipërisë. Ai nuk ngurroi t’i pyeste ato rreth seksualitetit.
“Kur bëhet fjalë për seksualitetin e “virgjineshave”, mund të shkaktohen çoroditje të ndryshme, – thotë Young në librin e saj, – paçka se është mjaft e vështirë të hapësh diskutimin rreth asaj që konsiderohet një temë tmerrësisht intime, t’i shtosh këtu edhe betimin e tyre për beqari të përjetshme, gjë që e bën më të vështirë, kur në të shumtat e rasteve lind edhe njëlloj kureshtjeje e pavend për të hyrë më thellë në jetën private të këtyre grave. Për shkak të natyrës jo shumë të përfolur dhe tabu rreth subjektit gjinor në shoqërinë rurale shqiptare, bëhet edhe më e vështirë përcaktimi i qartë mbi prirjet seksuale të “virgjineshave”.
Për to aludohet se kinse shtiren sikur nuk kuptojnë, për t’u mbrojtur dhe shmangur kësaj teme tabu. Një tjetër vështirësi në terren ishte edhe të paturit gjithmonë me vete e dikujt që përkthente intervistat e mia, i cili përfshihej në një situatë të rrezikshme dhe gjykuese ndaj “virgjineshave” për çfarëdolloj aktiviteti seksual që ato mund të kishin… Fakti se homoseksualiteti femëror nuk është përmendur fare në legjislativin e Shqipërisë, duke u ndalur vetëm në homoseksualitetin mes meshkujve, ligj i cili u ndryshua dhe u amendua vetëm në vitin 1995, të bën të besosh se teorikisht koncepti i homoseksualizmit femëror as që është njohur e menduar fare. Mes virgjineshave, të cilat kanë dhënë besë, nocioni i lesbizmit është një koncept krejt absurd dhe tabu, mundësia për ta njohur dhe folur rreth këtij koncepti në këtë shoqëri është thuajse zero”. Vetëm pasi qëndroi gjatë në Veri të Shqipërisë dhe u ul e bisedoi me këto gra-burra, Antonia Young kuptoi se ato ishin rezultat i një shoqërie patriarkale.
“Në Amerikë, fenomenin e virgjineshave e shihnin vetëm si një formë të homoseksualitetit. Gjatë hulumtimeve të mia në Shqipëri, intervistave dhe bisedave me “virgjineshat” por dhe me banorët, kisha kuptuar se në fakt ishte krejt ndryshe”. Sipas saj, rastet që kanë të bëjnë me seksualitetin e këtyre grave, janë trajtuar në formën e miteve dhe të legjendave, një prirje kjo e ca autorëve (të cilët kurrë nuk kanë mundur të takojnë “virgjineshat” për të cilat shkruajnë) që shkruajnë rreth kësaj teme, të cilët lënë të nënkuptohet se këto gra na qenkan lesbike. “Dilorja, një “virgjineshë” nga Shkodra, qe mësuar të argëtohej me miqtë e saj duke ngacmuar vajzat e fshatrave të tjerë, por kur zbulonin të vërtetën, nguteshin ta ndërprisnin me kaq lojën e tyre. Nikolla, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth seksualitetit të Dilores, përmendi diçka se “siç tha ajo vetë, u mësua të zbavitej duke ngacmuar vajzat e reja simpatike, por do të ishte krejt jashtë logjikës për të, nëse do ta vazhdonte më tej këtë shaka. Si një ‘virgjineshë’, as që bëhej fjalë që Dilorja ta çonte më tej këtë prirje të mundshme”, – vëren Young. Kur ajo e pyeti Buten (kunatën me të cilën jetonte në një shtëpi Shkurtani, “virgjinesha” që Young takoi në vitin 1994 në Bajram Curri) rreth seksualitetit dhe dëshirave që mund të kishte Shkurtani, ajo i ishte përgjigjur: “Ai s’ka aspak dëshira seksuale, edhe pse dikur ka qenë shumë i pashëm”. Të njëjtat gjëra ndjen dhe Hakiu, një tjetër burrneshë që ajo e takoi në Bajram Curri. “Gjithmonë jam ndjerë si plakë, pa kurrfarë dëshirash seksuale”.
Burrneshat që u shfaqën në art dhe letërsi
“Virgjineshat” kanë qenë shpesh subjekt i letërsisë, filmave dhe teatrove. Për filmin “Virdzina” (Virgjëresha) është folur shumë. I shfaqur në Malin e Zi në shekullin XIX, ky është zyrtarisht dhe filmi i fundit i prodhuar si një bashkëpunim midis kinematografisë kroate, serbe dhe asaj franceze. Ngjarja bazohet mbi një histori të vërtetë, e lexuar në një gazetë nga regjisori Srdan Karanoviç. Në të cilin flitej për një grua në vitin 1944. Karanoviç besonte se ky qe rasti i fundit i një burrneshe që jetonte. “Nita” është tragjedia me katër akte e shkruar nga Josip Rela (1895-1996) nga Zadari i Kroacisë, por me prejardhje shqiptare. Subjekti bën fjalë për një shqiptare nga Zara, që thotë se ‘unë nuk dua të shpërngulem nga vendi im’ dhe vesh rrobat e një mashkulli, duke u shndërruar në mashkull. Para se të vishej si burrë, ajo kishte njohur edhe një djalë simpatik, Zefin, dhe kjo e vendos atë në një situatë të vështirë dhe dilematike. Kur Zefi vendos të martohet me një tjetër, Nita – dhe kjo ndodh në fundin e dramës – i shkon në dasmë. Zefi nuk e njeh. Nita heq rrobat mashkullore dhe thotë: ‘Unë jam Nita’. Zefi kthehet tek ajo, por ngaqë Nita nuk e kthen dot më betimin e dhënë, vetëvrasja i duket i vetmi shpëtim nga kjo situatë. Drama u shkrua në vitet ’80 dhe është vënë disa herë në skenë. Libri për fëmijë “Pran of Albania” i shkruar nga Elisabeth Cleveland Miller, u botua në vitin 1929, dhe rrëfen historinë e një vajze që jeton në një fshat në Veri të Shqipërisë. Për t’i shpëtuar martesës me një burrë që duan t’ia bëjnë me shkuesi, Prana vendos të bëjë betimin. Libri ka një fund të lumtur. Në kundërshtim me traditat: burri me të cilin Prana duhej të martohej me shkuesi ishte ai që ajo kish takuar dikur, ish dashuruar me të dhe i ishte betuar se nuk do të martohej me askënd tjetër. Betimi shpërfillet dhe në fund lexuesi duhet të hamendësojë se çifti jetoi i lumtur. Vite më vonë, fenomeni i virgjineshave tërhoqi dhe vëmendjen e shkrimtares Alise Munro (fituese e çmimit ‘Nobel’ 2013). Thelbi i librit të Munro-së “The albanian virgin” (1994) lidhet me traditën e virgjineshave.