Young, zgjedh epiqendër Thethin
Forumi shqiptar-britanik i investimit po jep frytet e veta. Këto fryte janë tashmë edhe në fushën intelektuale dhe akademike. Dhe kur investimi vjen nga truri akademik komentet janë të tepërta. Antonia Young është një akademike nga Universiteti i Bradfordit në Angli. Ajo do të udhëheqë këtë verë një ekip në Shqipëri që të punojë me shqiptarët në çështje të ambientit dhe ekonomisë. Antonia Young, një kërkuese e respektuar e studimeve të paqes në departamentin me të njëjtin emër të këtij universiteti, do të koordinojë programin e edukimit të verës, duke u vendosur në disa shkolla të Thethit, një zonë e shquar turistike shqiptare në zemër të Alpeve. Me një ekip të dedikuar vullnetarësh dhe ndihmësish, duke përfshirë edhe dy zotërinj të “Yorkshire Dales National Park”, Young do të aktivizojë work shop-e dhe seminare për të rinj dhe të rritur nga zona e Thethit për të promovuar kujdesin për ambientin dhe njëkohësisht do të mësojnë edhe gjuhën angleze për banorët e zonës.
E dashuruara me Shqipërinë
E ka ndjekur Shqipërinë për herë të parë në vitin 1958. Ka shkelur në të për të parën herë në vitin 1989 dhe që atëherë gruaja britanike, nuk i është ndarë më Alpeve shqiptare. Një dashuri alla Durham, që duket se nuk e ka zhgënjyer. Së fundmi, qëllimi i etnologes Antonia Young është krijimi i një programi për ndihmën e fëmijëve shqiptarë të zonës veriore dhe përpjekja për ta integruar, një areal krejt të harruar nga qeveria qendrore me kërkesat turistike të qytetërimit të sotëm. “Shpresa e programit të verës, Thethi, është ai që do të mundësojë sa më shumë njerëz të jetë e mundur të kenë fatin të vinë në këtë vend dhe të shfrytëzohet edhe avantazhi i madh që ne kemi prej një grupi vullnetarësh entuziastë anglisht-folës, që janë nga Anglia dhe disa të rinj shqiptarë ambientalistë, që mbartin njohuri të gjëra për vendet e tyre të mrekullueshme dhe dëshirën për t’i mbrojtur dhe për t’u kujdesur për to…, që të kthejnë shpresën këtu”, shprehet ajo. Fjalë të bukura dhe ide të mëdha. Realizimi i mbetet kohës, por më shumë ideve të qytetarëve britanikë që do të gjenerojnë në të ardhmen në këtë vend të mrekullueshëm dhe kaq të veçuar në Alpet tona në veri...Antonia është nga njohëset më të mira të Alpeve Ballkanike dhe prezente në të për çdo vit...
Projekti për mësimin e gjuhës
“Programi edukativ është ingranuar shumë specifikisht me banorët e rajonit. Para së gjithash, ai lidhet me fëmijët e fshatit të Thethit (5 ditë në javë për tetë javë resht, në tre grupmosha) dhe e dyta të rriturit e fshatit, vetëm njëherë në javë. Ne shohim me sy se fëmijët nga fshatrat e afërt po ashtu dëshirojnë të afrohen në program, megjithëse neve nuk i kemi marrë deri më tani. Do t’i mirëpresim dhe mësojmë për vitet e ardhshme, sesa shumë duhet të kujdesemi. Megjithëse kemi një ekip shumë të përkushtuar shqiptar, na është dashur të rekrutojmë dhe personel. Sqaroj se kemi një komunitet shumë të përkushtuar, me të cilin unë kam punuar për gjatë 20 viteve”, tregon Antonia. Sipas saj, ata kanë kërkuar në mënyrë specifike mësimin e gjuhës angleze në gjithë këta vite, sepse aktualisht është bërë e vështirë dhe gjithmonë e më vështirë për ta, ta kenë gjuhën e huaj në shkolla pas rënies së komunizmit. “Mësuesit e kanë lënë këtë vend dhe qeveria qendrore i ka neglizhuar vendet rurale. Në fakt, që nga viti 1991 ka pasur mësues të huaj në shkollë. Pas vitit 1991, gjuha që ata kanë qejf të mësojnë është anglishtja”, shton ajo. Por faktet tregojnë se, ka qenë një holandez, i cili ndërtoi një shkollë vere për të mësuar anglishten në Theth nga viti 1993 deri në vitin 1996. Por, kur në vitin 1997 ndodhi shkatërrimi kombëtar prej rënies së skemave piramidale dhe që shkaktoi aq kaos në vend (2000 të vrarë vetëm në 6 muaj dhe një shkatërrim i tmerrshëm), ai nuk u kthye më. “Në tre vitet e tjera, unë kam premtuar të bëja të gjitha gjërat me organizatën tonë që bashkëpunon (tani) dhe me një organizatë të përkushtuar me qytetin më të afërt, Shkodrën. Kjo është një qendër rajonale dhe nga Autoriteti Rajonal i është dhënë miratimi i plotë programit dhe diçka si asistencë. Drejtuesi i Departamentit të Edukimit për të gjithë Veriun e Shqipërisë ka dhënë bekimin e tij, lejen për ta përdorur shkollën (është e ndërtuar për 600 nxënës, megjithëse shumë prej tyre kanë migruar tash), dhe vetë do të ndjekë edhe ceremoninë finale për të shpërndarë certifikatat”, thotë britanikja.
Programi i verës
“Programi i verës është vetëm një aspekt i vogël i punës në Parkun Ballkanik të Paqes. Ky është viti i parë, që ne e realizojmë atë dhe dëshira jonë që ta përsërisim dhe ta rrisim nga viti në vit”, shprehet etnologia. Sipas saj, është në bashkëpunim edhe për programe të ngjashme në Luginën e Valbonës dhe në vitet e ardhshme do sigurohet dhe kjo do funksionojë dhe ndërkufitar, në bashkëpunim me NGO, që punojnë tashmë me B3P, dhe që mundësojnë shkëmbimet në mes rinisë lokale të Malit të Zi dhe Kosovës me Shqipërinë. “Megjithëse kjo përpjekje është bërë si një Program Veror, shpresohet që përfitimet do të vazhdojnë për çdo vit. Shpresa jonë konsiston në bashkëpunimin me lokalët për të krijuar një qendër turistike informacioni, e cila do vazhdojë që të funksionojë edhe pasi Programi të mbarojë. Në fundjavat, ku janë dhe të rriturit, shpresohet që komuniteti lokal të ketë pjesëmarrje në seminare (p.sh., aksionet për menaxhimin e hedhurinave, që është bërë një problem në rritje dhe i shëmtuar), shton Young.
Veprat e Young dhe lidhja me Shqipërinë
“Black Lambs dhe Grey Falcons: Gratë udhëtuese në Ballkan” është libri i parë që e lidh akademiken Young me Shqipërinë. I publikuar nga “Bradford University Press”, më l99l ai u realizuar në bashkëpunim me J.B. Allcock dhe u ribotua më 2000. Një lidhje tjetër me Shqipërinë është edhe “Albania” me disa seksione për Kosovën i botuar nga ABC-CLIO Press, Oxford & Santa Barbara, në vitin l997. Libri i tretë është “Women who Become Men: Albanian Sworn Virgins”, botuar nga Berg US/UK,2000 dhe i ripublikuar në vitin 200l, duke përfshirë edhe kapituj të kanunit shqiptar. Një bashkëpunim me Robert Elsie, Berit Backer’s Ph.D thesis “Behind Stone Walls: Changing Household Organization among the Albanians of Kosova”, është publikuar nga Dukagjini Publishing House, në Pejë të Kosovës më 2003. Ajo ka një kontribut të çmuar në tre referenca volumesh si “Roots of Conflict in the former Yugoslavia”, botuar nga “ABC-CLIO Press”, Oxford and Santa Barbara, l999, “Europe Since l945”, (Garland 2000), “Greenwood International Encyclopedia of Contemporary Women’s Issues” korrektuar nga Lynn Walter (Conn.2003) dhe një sërë artikujsh të seleksionuar me tematikë për Shqipërinë dhe Kosovën.
Fatmir Terziu : Gazeta Panorama