Anulohet shperblimi i Vitit te Ri per Administraten

Anulohet shperblimi i Vitit te Ri per Administraten

Një lajm i mirë për 170 mijë shqiptarë dhe lajmi i keq për 88 mijë të tjerë. Qeveria ka vendosur të shlyejë brenda muajit dhjetor pagesat e prapambetura të personave me aftësi të kufizuara. Por, këto para do të sigurohen nga fondi i planifikuar për shpërblimet e fundvitit për administratën shtetërore, që përbëhet nga rreth 88 mijë veta.

Pagesa

Pagesa e paaftësisë për invalidët do të shlyhet brenda dhjetorit së bashku me muajt e prapambetur. Për këtë arsye, qeveria ka hartuar një akt normativ për të çelur fondin prej 1.8 miliardë lekësh. Por burime të gazetës Shqip thonë se një pjesë e këtij fondi do të merret nga ai për shpërblimet për administratën. Janë rreth 88 mijë punonjës, të cilët thuajse çdo vit marrin shpërblimin për festat e fundvitit, por që sivjet nuk do t’u jepet. Fondi i tyre do të kalojë për ata që kanë më shumë nevojë, të cilët prej muajsh nuk marrin pagesën e paaftësisë dhe që jetojnë në kushte ekstreme varfërie. Prej gati 4 muajsh, 170 mijë persona që trajtohen me këtë pagesë nuk kanë mundur ta tërheqin atë, për shkak të mungesës së parave.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se ky fond i parashikuar në buxhet u shpenzua i gjithi gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, duke lënë në mëshirë të fatit mijëra persona me aftësi të kufizuara.

Akti normativ i miratuar nga Ministria e Financave parashikon që detyrimet e prapambetura ndaj kësaj shtrese, rreth 1.8 miliardë lekë, ose 18 milionë dollarë, të shlyhen brenda dhjetorit, duke u dhënë kështu mundësinë të kalojnë festat pak a shumë si të tjerët.

Burimet

Por pjesa e shpërblimit ndaj administratës është vetëm gjysma e fondit të nevojshëm, rreth 900 milionë lekë. Burimet të gazetës bëjnë të ditur se është siguruar tashmë edhe pjesa tjetër e këtij fondi; nga kursimet e bëra te shërbimi ndaj borxhit, të përfituara nga kursi i këmbimit apo ulja e interesit.

Pothuajse që në fillim të njohjes së problemit të mospagimit prej muajsh të kësaj ndihme për invalidët, qeveria u shpreh se pagesat do të shlyheshin të gjitha brenda janarit, një muaj i cili u dukej shumë larg të pamundurve, të cilët prej muajsh sorollateshin dyerve të bankave pa marrë atë shumë modeste me të cilën mbanin frymën gjallë.

“Ndonëse nga ky vendim preken shumë punonjës të administratës, të paktën njerëzit do ta dinë se ku po shkojnë paratë, e në rastin konkret jo për të bërë fushatën e ndonjë deputeti.”, tha një zyrtar i qeverisë për Shqip.

Situata

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, disa javë më parë bëri prezente problematikën, duke vënë theksin te fakti se borxhi ndaj kësaj shtrese arrinte në 6 miliardë lekë dhe se 170 mijë invalidë nuk ishin paguar prej muajsh.

Shumë prej tyre protestuan ashtu siç bënin shpesh, ndërsa shumë të tjerë ishin mësuar. Pjesa më e madhe filluan avazin e “ushqimeve dhe ilaçeve me lista”.

Pothuajse e njëjta situatë ishte dhe në vitin 2012, kur invalidët nuk morën pagesën e paaftësisë për pothuajse 6 muaj. Kjo është dhe ajo çka Kryeministri Rama theksoi në fillim të këtij muaji për këtë çështje: Këta janë më të dobëtit, këta presin, këta janë më të dobëtit dhe po mos t’i marrin nuk kanë çfarë na bëjnë…
 

Vendimi për vitin 2014

Nuk rritet mosha e daljes në pension

Qeveria nuk ka parashikuar asnjë rritje të moshës për dalje në pension për vitin 2014. Ndonëse javët e fundit u spekulua së tepërmi me këtë temë mbi mundësinë e rritjes së kësaj moshe si për burrat ashtu dhe për gratë, burime të sigurta shprehen se asnjëri nga ato opsione nuk është i vërtetë. Nuk do të ketë rritje as për vitin 2014, edhe pse gjatë takimeve me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ekspertë të Bankës Botërore u diskutua gjerësisht rritja e moshës së pensionit, si një hap për rigjallërimin e skemës së sigurimeve dhe daljen e saj nga kolapsi. Ekspertët e FMN-së dhe BB-së kërkuan që së paku të rritej me dy vjet dalja në pension, si për burrat ashtu dhe për gratë, ose së paku barazimi i moshës. Ndërkohë, nga qeveria “Rama” nuk është pranuar asnjë nga variantet, së paku dhe për vitin 2014.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama