Pas një mbledhjeje që ka zgjatur plot shtatë orë, nga ora 14:00 deri në orën 21:00, Këshilli Kombëtar i Restaurimit në Ministrinë e Kulturës ka anuluar të ashtuquajturin koncesion të Kalasë së Lezhës. Përmes një deklarate për mediat ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka bërë me dije se kemi të bëjmë me një procedurë fiktive për të legjitimuar një shkelje ligjore.
“Procedura e dhënies me qira të Kalasë Lezhë në vetvete përmban një sërë shkeljesh të cilat konsistojnë në:mos legjitimimin e ish MK për të zhvilluar këtë procedurë, pasi MK nuk ishte administratore e Kalase se Lezhes kur KKR aprovoi projektin, dhe vetem pasi i kishte kryer keto procedura, del VKM per kalimin e administrimit nga bashkia te MK.
Theksojmë se që nga koha që është zhvilluar procedura për përzgjedhjen e konkurrenteve për zhvillimin e rijetëzimit, nuk ka asnjë vendimmarrje të kësaj të fundit për miratim procedure, pra edhe kur u hap procedura e konkurrences ku u paraqit vetem nje kandidat, natyrisht subjekti i projektit te aprovuar tashme me pare, nuk u mbyll e nuk kemi asnje akt qe te dekalorje fituesin.
Në lidhje me projektin e rijetëzimit të Kalasë Lezhë, theksojmë se ky projekt nuk është hartuar në kuadër të procedurës së rijetëzimit parashikuar nga Legjislacioni në fuqi dhe Karta Restaurimit, nderkohe qe territori i brendshem cilesohet si nje nentoke me potencial te madh arkeologjik”, ka deklaruar Kumbaro.
Kumbaro ka nënvizuar se,” Bazuar në nenin 116 dhe në vijim të Kodit të Procedurave Administrative vendosa Shpalljen absolutisht të pavlefshëm të aktit administrativ Urdhër të Ministrit nr. 27 date 1.2.2011 “Për rijetezimin e kalasë Lezhe”, si dhe Anulimin e procedurës se Rijetëzimit si një procedurë në hartuar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për sa argumentuar me lart”.
Në datën 3 maj 2013, në Fletoren Zyrtare është hedhur një udhëzim i ministrit të Kulturës së kohës, Visar Zhiti. Në “UDHËZIM, Nr. 1, datë 3.5.2013, PËR DHËNIEN ME QIRA TË MONUMENTEVE TË KULTURËS”, përcaktoheshin, detaje e kritere për dhënien me qira të monumenteve, pagesat që duhet të bëjnë kompanitë, kushtet që duhet të plotësojnë dhe faktin që sa më shumë të punësuar të ketë, do të ulet qiraja etj. Afati i lidhjes së kontratës së qirasë për rijetëzimin e monumentit përcaktohet rast pas rasti nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit; për sipërfaqe mbi 200-500 m2 është deri në 10 vjet, ndërsa për sipërfaqe mbi 500 m2 është deri në 20 vjet. Pas kësaj, është fshehur gjithë dhënia me qira e kalasë së Lezhës.