Zyra e administrimit: Taksë për përdorim imazhi
Parku Arkeologjik i Apolonisë tashmë është një destinacion jo vetëm për turistët, por edhe për çiftet që martohen. Është e rrallë të mos ndeshësh të paktën dy-tri nuse që e zgjedhin këtë vend për një set fotografik apo për të bërë xhirimin e ditës së shënuar. Piku shënohet në gusht. Sipas statistikave të mbajtura nga zyra e administrimit të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, vetëm të premten që shkoi, më 10 gusht, kanë hyrë në park 46 nuse. Ndërkohë që janë mbi 800 çifte që në harkun e një viti e gjysmë kanë zgjedhur Apoloninë për të fiksuar kurorëzimin e tyre. Për çdo xhirim, parku ka vendosur një taksë prej 1000 lekësh të reja. Një shumë që në logjikë i bie të mos paguhet nga çifti, por nga kameramani.
Drejtori i zyrës së administrimit të parkut, Marin Haxhimihali, shpjegon se kjo taksë është miratuar me një vendim të posaçëm të Ministrisë së Kulturës rreth një vit e gjysmë më parë, kohë kur ishte ministër Ferdinand Xhaferi. Sipas tij, kjo është një taksë që paguhet për përdorim imazhi, për qëllime private e komerciale, e njohur prej kohësh në parqe arkeologjike në vende të tjera të botës. Madje, pas një studimi që i është bërë tregut, në Apoloni aplikohen tre taksa të ndryshme, të cilat i diferencon qëllimi dhe çmimi. Për turistët, ka vetëm një çmim, ai i biletës që kushton 300 lekë.
“Në një bashkëpunim që patëm me profesor Sebastiano Tusa, i cili, sipas një projekti të UNESCO-s, hartoi një raport për parqet arkeologjike, na ndihmoi duke na vënë në dispozicion legjislacionin italian. Sipas tij, i gjithë sistemi i kulturës shqiptare ishte i vonuar në aplikimin e tarifave të tilla, të njohura si mënyra fitimprurëse për monumentet e kulturës.
Këto tarifa aplikohen kur disa kërkesa ndaj Parkut Arkeologjik, i kalojnë kufijtë e një vizitori normal. Këto kanë të bëjnë me përdorimin e zonës për qëllime të aktiviteteve familjare, siç janë ceremonitë e dasmave, fejesat, pagëzimet në kishë (tarifë që i shkon kishës) etj. Kemi të bëjmë me përdorimin e imazhit dhe në të gjithë botën përdorimi i imazhit taksohet. Tashmë jemi në ekonominë e tregut dhe është më se normale që kundrejt një imazhi që ofrohet, të paguhet, për më tepër këto janë çmime simbolike”, thekson Haxhimihali.
Nga sa duket, në fakt një tarifë e tillë nuk është bërë pengesë për qindra çifte që shkojnë drejt Apolonisë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Por përveç nuseve, Apolonia dhe monumentet antike janë të lakmuara po aq edhe nga këngëtarët, qofshin të muzikës popullore apo të lehtë, për të realizuar videoklipet e tyre. Për këtë kategori, Haxhimihali tregon se ka një tjetër tarifë. Për një shërbim videoklipi paguhet 2000 lekë të reja ora, ndërsa kategoria e tretë i përket shfrytëzimit të monumenteve për aktivitete artistike që paguhet 5000 lekë të reja ora. “Këtë tarifë e kemi eksperimentuar për herë të parë në shtatorin e vitit 2011 në ‘Netët Apoloniane’ që u organizuan në odeon.
Nuk është më tabu që disa imazhe kult të shfrytëzohen për përfitime të parkut, i cili kërkon fonde për mirëmbajtje dhe administrim”, thekson drejtori Marin Haxhimihali. Madje, sipas tij, kjo praktikë shënon një rast të menaxhimit të pasurive kulturore jo me synimin për t’i kthyer në bare e restorante. “Këto kohë ne kemi dëgjuar vazhdimisht të flitet për monumente që kërkohen të rijetëzohen përmes restoranteve dhe hoteleve. Ne jemi kategorikisht kundër kësaj praktike që tjetërson monumentin. Mënyra që ne kemi zgjedhur është një formë alternative, përmes së cilës monumentet mund të sjellin të ardhura pa bërë betonizim”, shpjegon Haxhimihali.
Përtej të gjitha këtyre procedurave administrative, pyetja që mbetet është: A rrezikojnë këto grupe dëmtimin e monumenteve? Vetëm pak kohë më parë, një statujë në Apoloni ra dhe u rrëzua si shkak i pakujdesisë së një dasmoreje. Sipas Marin Haxhimihalit, ai ishte një rast aksidental, i ndodhur edhe si pasojë e mosvëmendjes së rojës, ndaj të cilit u morën masa ndëshkuese. “Të gjitha këto grupe janë në mbikëqyrje të plotë nga personeli i parkut, të cilët punojnë dhe me orare të zgjatura. Më shumë sesa çiftet e reja apo këngëtarët që vijnë e xhirojnë videoklipe, për ne janë problematikë nxënësit e shkollave, të cilët kanë ndonjëherë edhe sjellje të papërgjegjshme”, thekson Haxhimihali. Apolonia ka shënuar këtë vit një tjetër rritje të numrit të turistëve. Vetëm gjatë muajit korrik janë shënuar 1100 turistë të huaj.
Kërkesa
Të rritet çmimi i biletës
Çmimi i biletës për çdo turist që shkon të vizitojë Apoloninë kushton 300 lekë të reja. Çmimi ka mbetur i njëjtë edhe pas hapjes së muzeut arkeologjik, i rihapur pas 20 vitesh. Për drejtorin e zyrës së administrimit të Parkut Arkeologjik, Marin Haxhimihali, ky çmim duhet të kishte ndryshuar. “Me hapjen e muzeut oferta u shumëfishua, janë 800 objekte të rralla dhe bileta mbeti ajo që ishte. Është anomali që duhet korrigjuar, por për këto vendos Ministria e Kulturës. Muzeu ka shpenzime kolosale. Vetëm ndriçimi i jashtëm me projektorë shkon 200-300 mijë lekë në muaj”, thekson Haxhimihali.
Tarifat
1000 lekë për ceremoni familjare
2000 lekë ora për videoklipe
5000 lekë ora për veprimtari artistike