Apophis kinezet mendojne per shmangien e rrezikut

Apophis, kinezet mendojne per shmangien e rrezikut
Pas amerikanëve dhe rusëve, edhe kinezët po mendojnë alternativat e mundshme që do të devijonin trajektoren e asteroidit Apophis, i parashikuar të përplaset me Tokën në 13 prill të 2036-s. Pavarësisht se parashikimi nuk ka sigurinë absolute, rreziku i një impakti të Apophis me Tokën u zbulua në vitin 2004 dhe që atëherë shkencëtarët po përpiqen të gjejnë një zgjidhje që do të shmangte përplasjen.

Rreziku

Apophis ka një diametër prej 200 metrash (sipas disa vlerësimeve të tjera shkon deri në 350 m) dhe lëviz me një shpejtësi 20 km për sekondë, çka të bën të mendosh se përplasja me Tokën do të çlironte një energji të frikshme. Kujtojmë se asteroidi apo kometa e rënë në Tunguska në vitin 1908 shkatërroi 80 milionë pemë, duke u shtrirë në 2150 km2 në Siberinë e pabanuar. Trupi qiellor kishte një diametër prej vetëm 30 metrash.

Hipotezat

Amerikanët dhe rusët po vlerësojnë të gjitha hipotezat, por ajo që ka gjetur më shumë interes deri tani është ndërtimi i një sonde hapësinore, e cila do t’i afrohet asteroidit dhe ta bëjë të ndryshojë “rrugën” në të cilën po lëviz. Sipas parashikimeve të tyre, sonda duhet të ndikojë në lëvizjen e trupit qiellor pa e prekur fare atë, por vetëm falë efektit që vjen nga masa e tij. Ndërsa shkencëtarët rusë parashikojnë që sonda të ulet në sipërfaqen e asteroidit, ku aktivizimi i motorëve të saj të ndryshojë trajektoren e lëvizjes.

Kinezët

Në universitetin e Tsinghua-s në Pekin, studiuesit projektojnë një zjgidhje më të sofistikuar, por objektivi mbetet i njëjtë: ndryshimi i trajektores për të shmangur rrezikun e përplasjes me planetin tonë. Në një artikull të publikuar, një grup astronomësh të drejtuar nga profesori Shengping Gong propozojnë një mjet hapësinor me vela diellore, i cili i shtyrë nga presioni i rrezatimit të yllit në një orbitë të ngadalësuar në krahasim me atë të asteroidit, do të përplasej me këtë të fundit me një shpejtësi prej 90 km për sekondë, duke provokuar shmangien e tij nga trajektorja.

Siç dihet, rreziku kultivon zgjuarsinë, kështu që edhe nëse Apophis do të ndryshonte “rrugën” në mënyrë natyrale (edhe kjo parashikohet), studimet mbeten të dobishme për rreziqe të tjera. Janë me qindra asteroidet që kryqëzojnë trajektoren e tyre me Tokën dhe në të ardhmen, ndonjëri prej tyre mund të paraqesë rrezik.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama