Arapi i Partizanit kthehet edhe argjentinasi Torasa

Arapi i Partizanit, kthehet edhe argjentinasi Torasa

Merkatoja e Partizanit duket e vakët, pasi deri tani klubi ka zyrtarizuar vetëm 19-vjeçarin shkodran, Esin Hakaj. Por situata brenda kampit të kuq është ndryshe, pasi mësohet se drejtuesit e klubit i kanë hedhur piketat e merkatos dhe madje me disa prej tyre është arritur edhe akordi, prandaj në ditët në vijim pritet të zyrtarizohen. Kohë më parë është folur se pjesë e përforcimeve të Partizanit mund të jenë edhe disa lojtarë të Skënderbeut, të cilëve u ka mbaruar kontrata me klubin korçar.

Arapi ne dyluftim

Burime pranë klubit e bëjnë të sigurt transferimin e mbrojtësit Renato Arapi nga Skënderbeu te të kuqtë e kryeqytetit. Mësohet se palët kanë gjetur akordin dhe shumë shpejt mbrojtësi durrsak pritet që të nisë përgatitjet me kryeqytetasit për pjesëmarrjen në Kupat e Europës, që me shumë mundësi i pret turi i dytë eliminator i Ligës së Kampioneve. Për momentin nuk bëhen të ditur termat e kontratës, por e bëjnë të sigurt 29-vjeçarin si pjesë e Partizanit të sezonit të ri futbollistik.

Përpos suksesit me Skënderbeun, Renato Arapi ka veshur fanellën e ekipeve kombëtare, nga U-18-ta deri te Kombëtarja A. Për momentin merkatoja e Partizanit ka qenë e përqendruar vetëm në të majtë të mbrojtjes, ku Esin Hakaj është zyrtarizuar, Renato Arapi konsiderohet i sigurt, si dhe në ditë e para të grumbullimit me ekipin u përgatit edhe kosovari Ilir Blakçori, i cili në fund nuk udhëtoi me ekipin në Itali.

Agustin Torasa

Rikthimi i Agustin Torasës te Partizani është pritur me entuziazëm në kampin e kuq, kryesisht nga tifozëria. Sulmuesi argjentinas i është bashkuar dje ekipit në Itali, ku prej dy ditësh ekipi është zhvendosur për të kryer përgatitjet për përfaqësimin në Europë. Agustin Torasa ka mbërritur dje në hotel "Victoria" dhe ka kryer menjëherë vizitat mjekësore. Torasa do t'i bashkohet sot grupit në seancat stërvitore. Presidenti Gaz Demi ka insistuar prej kohësh në rikthimin e argjentinasit, pasi Torasën e donte në ekip për t'ua bërë dhuratë tifozëve të kuq.

Argjentinasi u josh edhe nga klubi i Kukësit, madje ish-drejtori Dervishi bëri të pamundurën që Torasa të bëhej pjesë e klubit verilindor. Por në fund, sulmuesi ka preferuar që të mbetet pjesë e Partizanit, ndonëse përfitimi financiar do të jetë më i vogël sesa ai që mori në pjesën e dytë të sezonit. Ditë më parë u tha se të kuqtë i kanë ofruar rinovimin Torasës për një rrogë 6-7 mijë euro në muaj.

Ilir Cara



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama