Arben Puto - Plani grek per regjistrimin etnik dhe qeverite shqiptare

Arben Puto - Plani grek per regjistrimin etnik dhe qeverite shqiptare
Historiani i njohur, profesor Arben Puto, është një ndër penat më prodhuese në fushën e studimeve historike. Nga lartësia e tij e 87 vjetëve, ai mund të jetë i qetë me kolanën e veprave që ka krijuar tashmë, ku hidhet dritë mbi aspekte e fenomene të spikatura të historisë së vendit tonë e rajonit, mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacinë. Në këtë intervistë për Mapo, ai pranon të diskutojë edhe për situatën politike aktuale, regjistrimin me bazë etnike, Akademinë e Shkencave dhe problemin e minoritetit grek

Profesor jemi në kohë fushate dhe objektivisht interesi fokusohet drejt ecurisë së saj. Si po i përjetoni këto javë parazgjedhore? Në ç’mënyrë reagon një akademik ndaj asaj që zhvillohet përreth tij, shpesh në forma të ashpra e polemike?

Si çdo qytetar i këtij vendi, i ndjek me shqetësim ngjarjet politike. Fushata elektorale po komprometohet rëndë nga raste dhune. Të shpresojmë se palët do t’i thërrasin arsyes dhe do të gjejnë një ekuilibër në këtë ballafaqim elektoral. Mund të përshëndetet thirrja që ka bërë zoti president për një atmosferë më të qetë, për një gjuhë më të moderuar dhe të qytetëruar. Është me shumë vend. Dhuna verbale gjeneron dhunë fizike. Madje mund të përshkallëzohet dhe të çojë në eksese me pasoja të rënda.

Është me vend, edhe thirrja që bëri këto ditët e fundit z. Kryeministër, për të hequr disa nga sulmet personale midis kundërshtarëve politikë. Kjo është, aq më tepër, me rëndësi kur e thotë kryeministri që flet në emër të qeverisë, e cila ka detyrën kryesore në administrimin e zgjedhjeve.

Respektimi i ligjit, një angazhim më serioz nga ana e qeverisë janë kyçi për uljen e tensioneve dhe normalizimin e situatës përpara se ajo të dalë jashtë kontrollit.
Kryeministri iu drejtua kundërshtarit politik, duke e ftuar që të mos përdoren më fyerje, poshtërime, cenime të jetës private. Gjeti një shprehje figurative shumë të goditur të Faik Konicës, që thoshte se “çdo gjuhë ka një shportë me fjalë të pista”. Të mos futet dora në atë shportë. Duam të besojmë se ky është një reflektim nga kryeministri, që e shtyn atë të heqë dorë nga kjo praktikë e pahijshme, të mos futë më duart në atë shportë. Të kuptohemi, kjo nuk është polemikë, është preokupim i sinqertë i çdo qytetari për imazhin e vendit dhe për një komunikim të qytetëruar edhe në politikë. Sidomos në politikë.

Ka një element të ri në marzh të fushatës elektorale, është Iniciativa për Tiranën. A mund të shërbejë kjo nismë si një element racional në fushatë?

Ideja është e mirë në parim, si një mundësi për rrahjen e problemeve të Tiranës. Por iniciativa është e njëanshme, është vetëm një palë. Mesa po duket nga takimet e para, mbledhja po merr karakterin e një manifestimi në krah të një kandidati. Njihet prirja e organizatorëve, po e bëjnë të qartë edhe shumica e pjesëmarrësve, pavarësisht se aty-këtu mund të dëgjohet edhe një zë “i pavarur” kritik. Me një fjalë, kjo është pjesë e fushatës së kandidatit të mazhorancës. Pjesëmarrësit kanë përpara jo kandidatin, por kryebashkiakun e zgjedhur. Ata i japin mendime sesi ta bëjë punën më mirë. Vota e pjesëmarrësve nuk është më e fshehtë, ata kanë votuar përpara 8 majit. Padyshim ky është një sukses i Bashës.

Ju jeni duke shkruar një libër të ri për luftën italo-greke dhe fenomenin e kuislingëve. A mund të na e shtjelloni përmbajtjen e tij?

Ky është një libër për luftën italo-greke 1940 – 1941. Unë e trajtoj atë si një pjesë të historisë sonë gjatë luftës së dytë nën okupacionin italian, pastaj gjerman. Zhvillimet në frontin e luftës nuk hyjnë në këtë këndvështrim. Vëmendja përqendrohet në situatën që krijohet brenda vendit dhe në shkallë ndërkombëtare. Një element kryesor është kolaboracionizmi me pushtuesit, sjellja dhe veprimtaria e qeverive kukulla, që ia kanë lehtësuar detyrën pushtuesit, duke kompromentuar rëndë të ardhmen e vendit.

Disa herë pretendohet se këto qeveri kolaboracionistë kanë arritur një objektiv të dorës së parë: kanë realizuar unitetin kombëtar, kanë ndrequr padrejtësitë e së kaluarës, kanë krijuar “Shqipërinë e Madhe” me Kosovë e Çamëri të bashkuara me shtetin amë.

Qeveritë kukulla janë përpjekur të legjitimojnë kolaboracionizmin, me qëllimin e nacionalizmit shqiptar për unitet kombëtar.

Por në ato rrethana nuk mund të bëhej fjalë për “unitet kombëtar”. Ishte e rreme, iluzore, ishte një fiksion. Në të vërtetë Shqipëria e Madhe ishte një shtrirje territoriale e okupacionit, ishte një fiksion. Irredentizmi, nëse nuk ka qenë një ambicje e shfrenuar për pushtet, edhe duke sakrifikuar pavarësinë, ka qenë një verbëri e skajshme politike. Për arsyen e thjeshtë se kufinjtë as caktohen, as ndryshohen në kohë lufte. Po bënin një dëm të madh, merrnin anën e Italisë dhe të Gjermanisë, duke e degraduar kështu pozitën e Shqipërisë në Luftën e Dytë, nga viktimë e agresionit, në palë ndërluftuese në krah të fuqive të Boshtit, që pësoi disfatë.

Me qëndrimin dhe veprimtarinë e tyre, kolaboracionistët jepnin argumente “prova” se Shqipëria ishte aleate e Boshtit dhe për këtë do të paguante.

Në këtë libër unë kam një kapitull të veçantë mbi Konferencën e Paqes, të Parisit të vitit 1946. Aty Greqia solli pikërisht këto argumente për Shqipërinë si aleate të Boshtit, shtet të mundur në luftë, për të marrë Shqipërinë e Jugut (Vorio-Epirin). Gjithë platforma e delegacionit grek në këtë konferencë mbështetej në këto argumente. Nuk ka pasur ndonjëherë kaq shanse Greqia për t’ia arritur qëllimit, sesa në këtë konferencë. Kishte dështuar dy herë Venizellos, si në 1912 – 1913, ashtu edhe në Konferencën e Paqes pas Luftës së I. Kjo e treta do të ishte e vërteta.

Por gjatë debatit në konferencë doli qartë se argumenti më i fortë ishte rezistenca shqiptare. Lufta Nacional Çlirimtare, e cila e rreshtoi Shqipërinë në krah të Koalicionit Antifashist. Si rezultat Shqipëria shpëtoi nga një sundim i ri dhe u njoh si palë nënshkruese në Traktatin e Paqes me Italinë të vitit 1947, si shtet fitimtar.
Të them të drejtën kam një merak kur trajtoj këtë temë, se mos duke goditur irredentizmin nën okupacion të huaj mund të keqkuptohem, të qortohem për shpërfillje ndaj idesë së madhe të unitetit kombëtar. Çështja është e thjeshtë. Bëhet fjalë për periudhën e luftës nën okupacion. Sot është kohë tjetër. Ka një varg faktorësh të realitetit të ri, në të cilin Uniteti Kombëtar hap shtigje dhe jep shpresa për një shtet të përbashkët të kombit shqiptar. Shqipëria del e pacunguar, Kosova zgjohet dhe fillon një rezistencë të vetëdijshme kundër sundimit, gulagut serb, gjen përkrahjen ndërkombëtare për vetëvendosje, çlirohet dhe del më vete me një kufi të përbashkët me shtetin amë. Tani është koha kur “Të rinjtë e Vetëvendosjes” kërkojnë Kosovën pa tutelë ndërkombëtare. Është koha kur shkencëtari vizionar Rexhep Qosja ngre zërin dhe angazhohet plot pasion për Unitetin Kombëtar. Shpresojmë se do të vijë ajo ditë kur lajmëtari i së ardhmes do të thotë fjalën e tij edhe nga tribuna e Kuvendit të Shqipërisë.

Kohët e fundit po shprehet e po diskutohet gjallërisht për regjistrimin e popullsisë. Konkretisht: a duhet të përfshihet në regjistrim edhe deklarata mbi përkatësinë etnike?

E kam ndjekur debatin që në fillimet e tij. Thelbi i debatit përqendrohet te deklarata sipas vullnetit individual. A është e drejtë? Kjo çështje, veçanërisht këtu tek ne, ka të bëjë me çështjen e minoritetit. Nuk është problem për pjesëtarët e minoritetit. Është e drejtë e padiskutueshme që ata të zënë vend në regjistrim si pjesëtarë të grupit etnik respektiv.

Mirëpo, gjatë debatit, është shprehur mendimi se është e drejtë e kujtdo ta shpallë kombësinë sipas vullnetit të tij. Fjala vjen, që një me kombësi shqiptare të deklarohet minoritar grek. Kjo është në mospërputhje me të drejtën e minoriteteve, si një temë e të drejtave të njeriut në kuadrin e gjerë të të drejtave ndërkombëtare.

A ka një përkufizim të nocionit të minoritetit në përgjithësi?

Kjo çështje diskutohet prej kohësh. Minoritetet kanë tërhequr vëmendjen relativisht vonë, pas Luftës së I Botërore, në Lidhjen e Kombeve, pasi u bënë shumë ndryshim e kufinjsh dhe disa kombe u gjendën të shpërndara në shumë shtete. Është ndjerë nevoja e përkufizimit të minoriteteve: ç’është minoriteti? Debati është zhvilluar në shumë mbledhje ndërkombëtare, por ka pasur pikëpamje të kundërta dhe nuk ka qenë e mundur të arrihet të pranohet një formulim i caktuar i nocionit të minoritetit. Kjo shpjegohet me faktin se shumë shtete pretendojnë se kanë popullsi homogjene dhe nuk njohin minoritete. Për shembull Franca, Bullgaria, Rumania edhe vetë Greqia.

Ka një akt të posaçëm ndërkombëtar për minoritetet, siç është Konventa-kuadër për mbrojtjen e minoriteteve, e miratuar nga Këshilli i Europës më 1994. Konventa i është shmangur përkufizimit. Por, Asambleja Parlamentare ka hartuar një protokoll në të cilin është arritur të bëhet një përkufizim. Sipas tij, minoriteti kombëtar është një numër personash të cilët a) banojnë në territorin e një shteti dhe janë shtetas të tij; b) mbajnë lidhje të vjetra të qëndrueshme me këtë shtet, por c) shfaqin karakteristika etnike, kulturore, fetare ose gjuhësore të veçanta.

Projekti, në këtë përkufizim, përcakton dy kritere: objektiv dhe subjektiv. Nuk mjafton deklarimi i një përkatësie etnike, pa e mbështetur atë në të dhëna objektive: cila është prejardhja, cila është gjuha, cilat janë lidhjet familjare.

Ç’mund të thuhet atëhere për problemin e minoritetit në rastin shqiptar?

Këtu tek ne, debati ka marrë një karakter të mprehtë, për arsye të orvatjeve që bëhen nga rrethe të caktuara greke, për të shtuar artificialisht numrin e popullsisë minoritare greke. Në librin që përmenda, unë i kushtoj një vend të posaçëm politikës aneksioniste greke me Vorio-Epirin, që shoqërohet me një fushatë obsesive antishqiptare, edhe me konotacione të hapura raciste.

Në fund të fundit, me gjithë lidhjet e vjetra tradicionale në plan ndërkombëtar, Greqia dështoi. Por nuk tërhiqej. Pas nënshkrimit të Paqes me Italinë, që sanksiononte integritetin territorial të Shqipërisë, qeveria greke deklaroi se nuk do ta njihte, përderisa ajo nuk merrte Vorio-Epirin. Në të vërtetë, diplomacia greke e ka mbajtur gjithnjë në axhendën e saj këtë çështje. Dhe e mban akoma. Nuk është më koha e pretendimeve territoriale, nuk bëhet më fjalë për ndryshime kufinjsh. Por qëllimi është po ai: të zgjerohet zona e influencës greke, nëpërmjet rritjes artificiale të numrit të minoritetit, të vendosen përmendore të prezencës greke në hapësira të reja, si puna e varreve mbi varre, si çështja e Himarës, ajo e Korçës. Dhe problemi është se asnjë qeveri shqiptare në këto 20 vjet, nuk ka mundur t’iu rezistojë kërkesave greke, as për shkollat vend e pa vend, as vizitave provokuese të deputetëve që shprehin kënaqësinë që vijnë në “vend-lindje”, as marrëveshjes për hapësirën detare.

Të shpresojmë se nuk do të kalojë edhe ky plan për ta keqpërdorur regjistrimin, për po ato qëllime. Nuk duhet t’i mohohet askujt e drejta për të deklaruar përkatësinë etnike, por kriteret objektive kanë peshën kryesore në balancë.
Duke përfunduar, mund të shprehet bindja se tek ne, opinioni i gjerë ka besim në situatën e re të krijuar në Europë dhe në Ballkan, se e kaluara e armiqësive dhe e konflikteve nuk do të kthehet më, se një forcë e re është hapur pa prapakthim, edhe në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Por pa ligje lufte.

Si e gjykoni gjendjen në Akademinë e Shkencave sot?

Të them të drejtën, unë nuk e kam njohur aq mirë gjendjen në Akademinë e Shkencave, kam hyrë relativisht vonë. Por kam formuar mendimin tim për Akademinë, pas së ashtuquajturës “Reformë”. Drejtuesit e Akademisë nuk e përjashtonin reformën. Ishte fjala për një raport të ri midis qendrës dhe instituteve. Por kjo “reformë” është prishje. Sipas mendimit tim, problemi nuk është shkëputja e Instituteve nga akademia, si institucion qendror.

Ishin institute me emër e me rezultate: Instituti i Historisë, i Gjuhësisë, i Arkeologjisë, i Kulturës Popullore, në fushën e Shkencave Humane. Institute po aq të konsoliduara në fushën e Shkencave Teknike: Instituti i Sizmologjisë, Bërthamore, i Hidrologjisë. Dhe me kaq lista është e mjaftueshme. Problemi sot është se këto institute janë pothuaj inekzistente. Janë shkurtuar fondet, nuk ka botime, nuk janë më revistat e njohura prestigjioze të albanologjisë, nuk jepen fonde të mjaftueshme, janë shkurtuar kuadrot. Në krye të instituteve janë vënë militantë partiakë. Bie në sy veçanërisht Qendra Albanologjike, në krye të së cilës është vënë një studiues që njihet si i formuar dhe i përgatitur, por që nuk ka të bëjë me albanologjinë. Si rezultat, ka një regres të dukshëm në studimet albanologjike.

Bota akademike duhet të shprehë më fort shqetësimin për këtë gjendje, për pasojat rrënuese të kësaj reforme. Për rrethet shkencore ka ardhur koha të shtojnë përpjekjet që autoritetet të jenë më të ndjeshme për nevojën urgjente të rimëkëmbjes së Instituteve.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama