Arben Puto Perjashtimi i Rexhep Qoses turp per Akademine

Arben Puto: Perjashtimi i Rexhep Qoses, turp per Akademine
Historiani dhe akademiku reagon ashpër ndaj Akademisë së Shkencave. Sipas tij, vendimi për të mos e ftuar Qosen në akademinë solemne është akt i paprecedentë...

Historiani dhe akademiku Arben Puto e quan një turp ftesën e munguar të Akademisë së Shkencave për akademikun Rexhep Qosja në akademinë solemne që do të mbahet në nëntor me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Sipas tij, ky veprim është edhe më i rëndë kur është marrë nga Kryesia e Akademisë, institucioni më i lartë studimor dhe tribuna e fjalës së lirë. Sipas Putos, Qosja ka të drejtë të ndërmarrë çdo lloj veprimi për të vënë në vend dinjitetin e tij, ndërkohë që ai vetë e quan një akt të paprecedentë. Më 26 nëntor të këtij viti, Akademia e Shkencave do të organizojë një akademi solemne për të kremtuar 100-vjetorin e Pavarësisë, ku janë ftuar personalitete nga trevat mbarëshqiptare. Emrat e konfirmuar janë: Kristo Frashëri, Ismail Kadare, Arbën Xhaferri, Françesko Altimari, Pëllumb Xhufi, Mihal Shmit nga Gjermania, Tito Johalas nga arvanitasit e Greqisë etj. Ftesa nuk ka shkuar për akademikun Rexhep Qosja, ku preteksti duket se ka qenë zëri i fortë kritik ndaj qeverisë. Historiani Arben Puto, i ftuar për të referuar në këtë aktivitet, shprehet se në këtë rast do ta shohë në vazhdim nëse do të jetë i pranishëm.

Akademia e Shkencave nuk i ka dërguar një ftesë për pjesëmarrje akademikut Rexhep Qosja në akademinë solemne që do të mbahet më 26 nëntor, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Si e komentoni këtë veprim?

Menjëherë dua të them se është një akt i paprecedentë e na ka shokuar të gjithëve. Është tepër i rëndë, sipas mendimit tim, fakti që ka qenë kryesia e Akademisë së Shkencave që e ka marrë këtë vendim. Nuk më rezulton të ketë pasur ndonjë ndërhyrje nga lart. Mund të kuptohen edhe arsyet se pse e kanë marrë këtë vendim, por kjo nuk e ul aspak përgjegjësinë e tyre. Akademia e Shkencave është institucioni më i lartë i studimeve, tribunë e komunikimit dhe e fjalës së lirë. Për këtë mungesë të Rexhep Qoses u hap një fjalë në rrethin e ngushtë të akademikëve dhe ne të gjithë reaguam aty për aty, por nuk na dëgjuan.

Ky vendim tani është njoftuar publikisht nga një intervistë e nënkryetarit të Akademisë së Shkencave, z. Muzafer Korkuti. Në këtë situatë ne kemi të drejtë të shprehemi qartë dhe prerazi përpara këtij akti të ulët. Rexhep Qosja ka të drejtë të marrë vendimin që do të vërë në vend dinjitetin e tij. Ne të gjithë ndihemi të fyer, madje na duket sikur edhe ne kemi njëfarë faji kundrejt kolegut tonë. Në këto kushte, në konferencën e nëntorit, secili nga ne ka të drejtë që të mbajë qëndrimin që do t’ia thotë ndërgjegjja.

Cili do të jetë qëndrimi juaj personal?

Unë do ta marr vendimin duke ndjekur zhvillimin e rrethanave.

Ju thatë se e mësuat më herët vendimin për “përjashtimin” e Qoses nga ky aktivitet. Cilat ishin arsyet që ju thanë?

Arsyet ishin të thjeshta, na thanë të mos i ngatërronim me qeverinë, sepse ai është shprehur kundër Kryeministrit. Po sa janë shprehur kundër Kryeministrit? Kjo nuk e justifikon aspak këtë qëndrim.

Sipas jush, duhet të ndreqet ky gabim deri në nëntor?

Turpi është bërë tashmë. Rexhep Qosja mund të mos pranojë kurrfarë marrëveshjeje pas kësaj që është bërë. Si mund të përjashtohet një personalitet kaq i madh i studimeve shqiptare dhe një patriot i flaktë i atdheut unik?! Nga Kosova rezulton të jetë thirrur vetëm kryetari i Akademisë së Shkencave, Hivzi Islami, i cili me sa di unë nuk ka lidhje me studimet albanologjike.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama