Arber Mazniku Si do te perzgjidhen CV-te per pune

Arber Mazniku: Si do te perzgjidhen CV-te per pune

Arbër Mazniku, kryetar i Grupit të Punës për punësimin në Partinë Socialiste, sqaroi dje skemën e funksionimit të ofertës së kryeministrit të ardhshëm Edi Rama për rekrutimet e reja në administratën shtetërore. Në një intervistë për TV "A1 Report", Mazniku dha edhe shpjegimet se si do të funksionojë nisma më e re e Edi Ramës për dërgimin e CV-ve tek një adresë e tij interneti, të gjithë atyre që duan të kontribuojnë për Rilindjen. "Synimi i zotit Rama është që ta çojë këtë ftesë përtej njerëzve të së majtës, por tek çdo njeri, që ka aftësitë dhe vullnetin për t’i shërbyer publikes. Është një hap i duhur në logjikën e Rilindjes së shtetit shqiptar, me një administratë publike që u shërben gjithë qytetarëve"- shpjegoi Mazniku.

 

Pyetjes se do ketë shumë kërkesa dhe si do përballohet kjo, Mazniku u përgjigj se: "siç thotë Rama, kjo nuk është një ofertë për punë për këdo; është një mundësi për të krijuar një database kombëtar të aftësive, të atyre që duan ta bëjnë këtë punë". Më pas është menduar që një grup pune të shohë gjithë CV-të e aplikantëve dhe ato do t’u ndahen institucioneve respektive, që do krijohen, rindahen dhe është duke u bërë një studim i mirëfilltë i institucioneve, se si do të riadaptohen ato për t’i shërbyer Rilindjes", deklaroi Mazniku. "Jo të gjitha ata që aplikojnë do përzgjidhen dhe nga fluksi i aplikimeve që kemi parë që në ditën e parë, një pjesë e caktuar do ketë mundësi të ecë përpara. Fakti që ka pasur një pritshmëri kaq të mirë, do të thotë që është pritur pozivisht. Njerëzit që aplikojnë janë me aftësi nga më të thjeshtat dhe deri tek me nivele tepër të larta", ka shtuar më tej Mazniku. Ai e quajti një proces të mirëfilltë aplikimi për vendet e punës, por pa e cilësuar një ofertë punësimi, as platformë punësimi.

 

"Kësisoj do t'’i japim një shans apo mundësi çdo t Shriu shqiptar apo të reje, që është i gatshëm të kthehet dhe është i gatshëm për të kontribuar për vendin, për të ngritur kapacitetet më të mira të vendit në shërbim të administratës publike dhe shtetit shqiptar. Dhe fryma e Rilindjes është shpërndarë te shumë qytetarë në gjithë Shqipërinë, përtej 1 milion votave që projekti mori dhe ka gatishëmri të qytetarëve për të kontribuar në këtë projekt. "Pjesë thelbësore e konceptit të Rilindjes është rikthimi i besimit te institucionet e shtetit dhe roli te publikja. Logjika dhe besimi ynë është se pjesa dërrmuese e rritjes së punësimit do bëhet në sektorin privat", ka theksuar shefi i PS-së për Punësimin. Ai ka shpjeguar se nga logjika e ringritjes së fshatit do krijohen 150 mijë vende pune dhe me një set shërbimesh rreth fshatit. Rreth 40 mijë mendohet se do krijohen nga rikrijimi i manifakturës, industrisë përpunuese në vend. 'Dhe do kemi 140 milionë euro investim në këtë sektor", ka shtuar Mazniku, duek theksuar se synohet punësim gjithashtu edhe nga turizmi, që mund të zgjatet si sezon deri në dhjetor.

 

"Ne besojmë te punësimi i ndershëm, që njerëzit të kenë mundësi të garojnë në bazë të aftësive të tyre. Kjo do ndihet shpejt dhe do japë shpejt efektet e tyre. Ka gjëra që kanë të bëjnë me riaftësimin e popullsisë, e cila nuk ka aftësi sa duhet për të konkurruar në një treg rajonal dhe europian. Por kjo do dojë më shumë kohë", theksoi Mazniku. Vetëm pak orë pas publikimit të ofërtës nga kreu i PS-së dhe kryeministri i ardhshëm Edi Rama për plotësimin e formularit, burime nga PS-ja thanë dje për “Shekulli”-n se ka patur një numër të madh aplikimesh. Shumica e aplikimeve kanë ardhur nga qytetet e mëdha dhe ku ka më shumë akces për internet dhe pjesa dërrmuese e aplikantëve kanë deklaruar se janë me arsim të lartë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama