Arberi E dija qe do te fitoja

Arberi: E dija qe do te fitoja
Arbëri, fitues i Big Brother 5, theksoi në studion e emisionit ‘Fan Club’ se ishte i sigurtë në fitoren e tij sepse është “përballur me të tjerët si burrat, ndërsa Liami jo”.

“Unë kam ditur kur të përplasem me të tjerët, në kohën që Liami është përballur për gjëra banale. Ky ishte gabimi i tij. Unë u futa për të fituar dhe nuk kam kursyer as energjinë e fundit për këtë qëllim. Ia dola mbanë si burrat”, deklaroi Arbëri, i cili në finalen e Big Brother mundi konkurrencën e Liamit për të fituar çmimin e madh.

“Unë e prisja që do të fitoja dhe ia kam thënë edhe Liamit para se të hynim në dhomën ku na u njoftua verdikti i publikut sepse unë jam përballur me të gjithë në mënyrën më të mirë. Unë dita të luftoja, ndërsa Liami nuk kishte argumenta dhe unë për këtë arsye e prisja Arbanën të thonte emrin tim, isha i sigurtë”, shtoi Arbëri.

Më tej, fituesi i edicionit të pestë të Big Brother, u shpreh se Ermali ishte shumë më lart se Liami: “Unë nuk e kam lënë Liamin të mposhtej nga Ermali sepse Ermali ishte “doktor shkencash” në krahasim me të. Unë e kam shpëtuar shumë herë, por Liami nuk i bëri llogaritë mirë.”

“Tani unë do të vazhdoj jetën time normale, do të vazhdoj shkollën e më pas të shohim”, përfundoi Arbëri.

Liami: Arbëri fitoi prej votave të Kosovës

“Ne shqiptarët nuk votojmë shumë, ndërsa kosovarët janë më të dhënë. Jam i bindur se Arbëri ka fituar prej votave të Kosovës.”

Kështu u shpreh Liami, i renditur i dyti në edicionin e pestë të Big Brother, duke shpjeguar humbjen e tij në finale.

Ja momenti ku Liami mendon se i iku nga duart çmimi i madh: “Unë neglizhova kur Arbëri tregoi një lëkundje kundrejt meje. Ishte gabimi im që nuk fola me Ermalin dhe t’i suleshim Arbërit.”

Në fund Liami zbulon fjalët që it ha në vesh Arbërit kur u përqafuan në fund të spektaklit: “I kam thënë që me këto lekë t’i blejë një shtëpi familjes sepse e di që jetojnë me qira.”

Genta: Big Brother ndikoi për mirë tek mua

Genta, e renditura e treta nga votat e publikut, theksoi: “Big Brother ka ndikuar për mirë tek mua. Tani dua diçka të mirë për jetën time, por në radhë të parë qetësi shpirtërore dhe psikologjike pas atyre që kam kaluar. Kam dëshirë të punoj në televizion.”

Duke iu rikthyer skandalit të fotove, Genta u shpreh: “Fotot ishin një abuzim nga një person tek i cili unë kisha besim. Nga çdo e keqe ka një të mirë, unë mora gjërat pozitive.”

Françeska: E prisja të arrija në finale

“Prisja të shkoja në finale sepse kisha siguri dhe besim tek vetja. Më pas, nuk parashikohen gjërat. Vetëm nuk prisja që Ermali të ishte i pari nga finalistët që doli nga shtëpia”, deklaroi Françeska, e cila u rendit e katërta nga votat e publikut.

“Nuk e mohoj që objektivi im ishte çmimi i parë, por kur vjen fundi nuk parashikohet dot rezultati”, shtoi Françeska.

Ermali: Kam bërë lojë të ndershme

Ermali, i cili ishte i pari nga finalistët që humbi mundësinë për të fituar çmimin e madh, nënvizoi se gjatë gjithë kohës ka luajtur ndershëm: “Kam bërë lojë të ndershme sepse nuk përfitoj dot nga të tjerët. Ishin 100 milionë lekë në lojë, por unë nuk e bëj dot këtë gjë.”

Në lidhje me të ardhmen, ai u shpreh: “Mendoj se Big Brother do më japë më shumë mundësi për të ardhmen.”

“Big Brother është i vetmi spektakël në Shqipëri me audiencë maksimale. I them gjithë të rinjve ta provojnë këtë eksperiencë sepse mësojnë dhe njohin më mirë veten. Ja kam kaluar shumë bukur dhe nuk jam penduar kurrë që kam hyrë. Jam i lumtur që arrita deri këtu dhe famën që kam fituar do ta shfrytëzoj në maksimum”, shtoi Ermali.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama