Arberisht edhe ne 2011-n

Arberisht edhe ne 2011-n
Arbëreshët e Italisë po e ruajnë ende gjuhën. Edhe pse vetëm këto dhjetë vitet e fundit shteti italian po përkujdeset me ligje dhe fonde për minoritetet. Edhe pse sidomos televizionet në italisht i kanë bjerrur lidhjet me gjuhën mëmë. Edhe pse jetojmë në kohët e globalizmit, arbëreshët rezistojnë, të habisin, mrekullojnë, duke folur ende arbërisht, e në fund të fundit: shqip.

"Gjaku im, gjaku yt. Besa ime, besa jote. Gjaku i shprishur nuk u harrua"

Nga e dërguara në katundet arbëreshe në Kalabri

"Ti kjeve a Tirana?". "- Po." "-Kur do të venjë prap?", "Po t'mund, ka t'iki prapë. Shum bukur Tirana".

Vitet, dekadat, shekujt kalojnë dhe ata ende flasin shqip, atë shqipen e tyre arkaike, 'arbërishten e Skënderbeut', siç u pëlqen ta quajnë. Duke të befasuar sa herë zbulon gjurmët që mbeten e shkelen përherë po aty. Duke të mrekulluar e mallëngjyer përnjimend.

E këta që hedhin e presin si më sipër në gjuhën e katragjyshërve pesëshekullorë nuk janë ndoca të moçëm, por fare të rinj. Adriana Ponte, 33 vjeç dhe Antonio Oliva, 22 vjeç, të dy teknikë informativë në sportelin gjuhësor në San Cosmos Albanese dhe San Demetrio Corone. Pikërisht për të kujdesuar e përçuar sa më mirë gjuhën arbërore. Por jo vetëm këta, nga më të lëçiturit nëpër shkolla.

Kur merr tatëpjetë sokaket e katundeve me radhë, që të përngjasojnë sa me fshatrat e Bregut në Rivierën Shqiptare, e sa me Gjirokastrën apo Italinë e Jugut, gjithë përshëndetjet mes së njëjtës 'racë' rëndom janë vetëm dhe vetëm në arbërisht.


"Këto janë pjesë e një qarku të mbyllur, i cili nis nga familja, lagjia, miqësitë, e përcillet deri te detaje si mesazhet në celularë me njëri-tjetrin. Gjithçka zakonisht mes nesh ne e përcjellim vetëm në arbërisht", thotë Antonio Oliva, arbëreshi me emër dhe mbiemër tipikë italianë.

Edhe pse të dy të rinjve më sipër nuk iu qëllojnë emër dhe mbiemër në arbërisht, tregojnë se ngado gjen jo pak të tillë ende autentikë arbërorë.

E kështu, mes arbëreshëve nuk para ekziston asnjëlloj komunikimi tjetër, asnjë përçapje për t'u shprehur në gjuhë tjetër, veç asaj të të parëve mërgimtarë në këtë dhé, atij grumbulli tingëllimash që iu kanë shqiptuar gojë pas goje që sa kanë lindur në shtëpi, udhë, krua, festa kombëtare, dasma, vdekje. Sidomos me ato 'i'-të, 'nj'-të, 'ç' e shpeshta e të theksuara të dialektit tosk.

Kjo pasi vetëm katundi Vacarizzo Albanese ka popullsi gege, katër katundet e tjerë: Santa Sofia D'Epiro, San Cosmos Albanese, San Demetrio Corone, San Giorgio Albanese, pjesë e Unione Arbëria në Kalabri, janë arbëreshë toskë, të ardhur fill pas vdekjes së Skënderbeut në 1468.

"Në pesë katundet arbërore të zonës sonë në jug të Kalabrisë me gati 1000-1200 banorë secili katund, me gjithë emigrimet jashtë apo migrimet brenda Italisë, arbëreshët zënë ende gati 80% të popullsisë", e ndërpret soditjen me shpjegime statistikore kryetari i bashkisë së Vacarizzo Albanese, Aldo Morina.

Ndërkohë që në gjithë Kalabrinë gjenden rreth 24 komuna, ndërsa në gjithë Italinë nga Sicilia deri në Abruzzo janë rreth 50 komuna arbëreshe, të shtrira në shtatë krahina të zonës mesdhetare dhe qendrore, ku numërohen rreth një qind mijë arbëreshë. Që rezistojnë ende me krenari në kulturën, identitetin dhe ekzistencën e tyre të veçantë. Udhë, udhë, udhë e sokake dhe buzë tyre mori pleqsh, burrash, grash, të rinjsh, që hedhin e presin kaq lehtësisht edhe pas pesë shekujsh larg tokës mëmë në arbërisht dhe vetëm në arbërisht.

E vetiu mbijnë pyetjet që të shkëpusin nga realiteti: "Ku jam?", "- Në Shqipëri?", "Në Arbëri?", "Në përrallat dhe ëndrrat e së shkuarës?!", "Në librat e vjetër e të ngjallur të arkivave?!", "Si është e mundur?!". Çdo rrugë absolutisht me dy mbishkrime; italisht dhe shqip.

Via Albania, (Udha e Shqipërisë), Via di Kastriot (Udha e Kastriotit), Udha e Moresë, Udha Kroi i Nusevet, Udha e Mendullavet (bajameve), Udha e Moroitëvet, Udha Zef Serembe, Udha Jeronim De Rada etj. Edhe muzeumet, bashkitë, kishat, apo dhe baret e thjeshta ku hyn të pish diçka. "Vino rosso" dhe Verë e kuqe" përkarshi në një tabelë të madhe ndanë bar-kafesë "La bella poesia" në San Cosmos Albanese. Gjithçka, gjithçka në dy mbishkrime.

"Ne, në fakt, me fjalën 'rrugë' emërtojmë hapësirën e ngushtë dhe me 'udhë' atë më të gjerë dhe kryesore.", thotë Adriana, duke na dhënë një mësim arbëror neve këtej nga Shqipëria, për të mos i përzier kuptimet e 'rrugë' me 'udhë' e ta përdorim ca më shumë këtë të dytën.


E po të përvijosh hap pas hapi njohjet e shoqëruara me të tjera zbulime gjuhësore në të tjera vende publike si bar-kafe, restorante, dyane, sheshe, e rrethuar nga 'vëllezërit dhe motrat' arbëreshë, arbërishten e gjen që nga banakieri, kamarierja, ndonjë çift pensionistësh ulur aty duke rrufitur qetë ndonjë kafe e tek kush hyn e del gjatë gjithë kohës.


Është e pamundur të mos përgjigjen arbërisht, e për më tepër kur mësojnë edhe nga vjen. Të tjerë pensionistë nën diell ta bëjnë me dorë nga dritaret. Edhe ata arbëreshë dhe arbërisht. "Ju ngë Shqipëria edhe vinjë e na kujtonjë", të thonë.

"Përmallesh këtu kur vjen për herë të parë. Ndoshta ju jeni mësuar me këtë realitet të përditshëm dhe nuk iu ndodh si ne shqiptarëve", iu thua atyre miqve arbëreshë që të shoqërojnë. "Jo. Jo. Na beso. Aspak. Edhe për ne është një dashuri dhe përmallje e përhershme", pohojnë me fjalë apo tundje koke të gjithë.

"Po nuk flasim vetëm ne arbërisht. Edhe italianët kanë mësuar nga ne arbërisht. Ka mjaft nga ata që e flasin, por më shumë vetëm e kuptojnë. Janë mësuar tashmë me mënyrën tonë të çuditshme të të folurit", të tregon studiuesja e gjuhës, Adriana Ponte, e cila ndihet me fat pse është rritur mes dy prindërish, të cilët e kanë mëkuar që herët me arbërishten. Plus edhe ka ardhur disa herë në Shqipëri për të marrë pjesë në kurset e gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës.

Krahasuar me shqipen, arbërishtja aq sa afrohet edhe largohet me të. Pasi kjo e fundit është një përzierje e shqipes arkaike me italishten. "Gjuha jonë nuk është zhvilluar prej shekujsh dhe ne kemi ruajtur vetëm variantin e vjetër. Dhe sa herë na lipset një term i ri, na vjen në ndihmë italishtja.

Ndaj ju nga Shqipëria nuk na kuptoni dot plotësisht. Nëse unë dua të them për shembull fjalë themelore: Ku do të venjë? (Ku do të shkosh?) e them në arbërisht. Por kur dua të them: Ku do të venjë në Liceo Classico", e them gjysmë italisht", shpjegon ajo. Liceu Klasik në San Demetrio Korone, aty ku ka dhënë mësim edhe Jeronim De Rada e si nxënës i tij ka studiuar edhe Luigj Gurakuqi e shumë të tjerë, është i vetmi ku mësohet në mënyrë eksperimentale gjuha shqipe, por duke e konfrontuar me atë arbëreshe.

Mësuesi i këtij liceu, arbëreshi Pino Liguori, shpjegon se aty përveç gjuhës shqipe mësohet edhe rreth historisë së Shqipërisë. Kuptohet edhe rreth kulturës italiane dhe në të ka edhe një bibliotekë shumë të pasur si me libra shqip, ashtu edhe italisht. Sipas tij, është pikërisht arbërishtja ajo që ka ruajtur dhe ruan shumë fjalë të vjetra të shqipes, që meritojnë të futen në fjalor.

Në dhjetëvjeçarin e fundit nëpër katundet arbëreshe ka më shumë mundësi dhe shkolla në gjuhën shqipe. Me ligjin italian numër 482 të vitit '99 të gjithë minoritetet në Itali kanë të drejtë të marrin fonde nga shteti për kurse gjuhe apo për të hapur shkolla në gjuhën amtare. "Por krahasuar me minoritetet e tjera, ne edhe pse jemi më të shumtë në numër, krahasuar me sardët, friullët, bolzanasit në veri, për ata ka më shumë financime, për ne jo. Dihet që Veriu shihet si më i privilegjuar në krahasim me Jugun", vëren Adriana Ponte.

Por megjithë atmosferën mbizotëruese pozitive rreth dashurisë për atdheun e mërguar dhe paharruar, nuk ka asgjë të përsosur, e sidomos pas pesë qind vjetësh larg, martesave që normal s'mund të jenë më vetëm brenda llojit në kohët e globalizmit apo pushtetit të madh të televizionit.

Në familjen e gazetarit arbëresh Vincenzo Baffa Trasci, ku e hapin portën gjithë mikpritje që nga gjyshja 80-vjeçare Elisabetta, nusja Rita apo dhe nipi Giuseppe, të gjithë arbëreshë, të tregojnë se veç atyre që ndihen krenarë që janë arbëreshë e flasin arbërisht, ka edhe jo të tillë, që e kanë modë të përdorin italishten. 'Ka ndikuar disa vite edhe nami i keq i emigrantëve që erdhën nga Shqipëria, i cili tani është zhdukur.

Përkundrazi! Tani për shqiptarët flitet vetëm mirë. E tek ne në Kalabri pati vetëm shqiptarë të mirë. Por sidoqoftë, ne e flasim të gjithë gjuhën tonë dhe e themi me krenari që jemi arbëreshë", thotë nusja e shtëpisë, Rita Baffa.

"Edhe atyre fëmijëve të vegjël, të cilëve arbërishtja nuk iu mësohet nga prindërit apo nuk vijnë në shkolla, në fakt e mësojnë disi atë nga shokët, sepse e flasin pothuajse të gjithë, ashtu me atë zhargonin e tyre të pjesshëm", shton mësues Liguori.

"E ruajtëm në mënyrë gojore brez pas brezi. Ndërsa tani që mund edhe ta mësojmë në shkolla dhe ta shkruajmë, nuk mendoj se ka më rrezik gjuha arbëreshe. Më mirë do të jetë", shton në bisedë Adriana. E aq më tepër që ka edhe katedra të gjuhës shqipe në universitetet në Palermo, Cosenza, Romë dhe Napoli. Dhe shumë botime periodike në shqip.

E jo vetëm për gjuhën. Arbëreshët si komunitet elitë në historinë e Kalabrisë kanë krijuar për bukuri të gjitha institucionet që iu duhen për të ruajtur dhe rezistuar në identitetin e trashëgiminë e tyre kulturore; libra dhe revista pa fund në shqip dhe arbërisht ku ruhen dhe zhvillohen edhe poezitë dhe proverbat gojore shekullore, muzeume ku ruhet tradita e kostumeve popullore dhe artizanale, fotografi kujtesë, festa kombëtare dhe fetare me rite bizantine, duke pasur rreth e përqark një Itali katolike. Por edhe prodhime ushqimore ku shquhen sidomos ulliri dhe vaji i ullirit, verërat, si dhe receta tipike vetëm arbëreshe, që do t'i zbulojmë njëra pas tjetrës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama