Arbri i Big Brother bireson ne distance

Arbri i Big Brother, birëson në distancë
Pasi ka organizuar mbjelljen e 26 pemëve të ullirit në Gërdec, ngritjen e një fushe sportive në shkollën fillore të fshatit Muçaj, si dhe krijimin e një këndi lojërash për fëmijët e kopshtit të fshatit Marqinet të Bashkisë së Vorës, që u shkatërrua nga shpërthimi i municioneve të Gërdecit, ai u drejtohet fëmijëve jetimë.

Pjesa më e madhe e të miturve që trajtohen në qendrën publike të "Zyber Hallullit" janë të braktisur nga prindërit, ndaj Arbri dhe miqtë e tij kanë vendosur që të ofrojnë më shumë dashuri për këta fëmijë. Në kuadër të fushatës "Ndryshimi fillon nga ty", pesë fëmijë jetimë që qëndrojnë në ambientet e "Zyber Hallullit" do të provojnë të jenë në qendër të vëmendjes dhe afeksionit që do të ofrohet për ta nga stafi i Arbrit të "Big Brother". Vetë Arbri tregon me sinqeritet se teksa i shihte të gjithë këta fëmijë kaq të bukur dhe të mirë, vendosi që birësimi në distancë të bëhej me rotacion, pra çdo muaj pesë fëmijë të "Zyber Hallullit" do të bëheshin pjesë e përkujdesjes së veçantë në sajë të këtij birësimi në distancë.

Pasi ka fituar çmimin e madh prej 50 mijë eurosh në spektaklin "Big Brother", "reality show"-n më të ndjekur në vend, Arbri premtoi se këtë shumë do ta vinte në dispozicion të "veprave të mira në mbështetje të komunitetit". Motoja e Arbrit është që së bashku mund të ndryshojmë realitetin, ndaj dhe vetë ka menduar që të jetë një shembull i tillë. Veprimtaritë e para të tij u zhvilluan në Bashkinë e Vorës pas shkatërrimit që pasoi shpërthimi i depos së demontimit të municioneve ushtarake në Gërdec, ndërkohë që fëmijët jetimë dhe kthimi i vëmendjes nga birësimi në distancë ishte një thirrje e dytë për solidarizim në ndihmë të njerëzve në nevojë.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama