Ardian Bitraj kerkon statusin e te penduarit

Ardian Bitraj kerkon statusin e te penduarit

Ardian Bitraj, personi kyç i dyshuar për vjedhjen e Thesarit të Shtetit, ka kërkuar të marrë statusin e të penduarit të drejtësisë, por kjo i është mohuar nga Task-Forca e Prokurorisë së Tiranës, e cila po heton skandalin në Bankën e Shqipërisë. Mohimi i kësaj të drejte i është bërë për arsyen se ai nuk tregon se ku ka dërguar paratë, pavarësisht se pretendon se ai i ka lënë të gjitha në baste sportive dhe lojëra fati.

 

Nga ana tjetër, prokuroria u ka ofruar statusin e të penduarit dy personave që mendohet se nuk kanë pasur bashkëpunim direkt me vjedhjen e realizuar nga Bitraj. Sipas Prokurorisë së Tiranës, Ardian Bitraj dhe nëntë të akuzuarit e arrestuar për skandalin janë rimarrë në pyetje nga grupi i punës, me qëllim që të verifikohet vërtetësia e thënieve të tyre. Por gjatë rimarrjes në pyetje, Bitraj ka kërkuar të fitojë statusin e të penduarit, megjithëse kjo kërkesë kjo nuk është pranuar.

 

Nga ana tjetër, Prokuroria e Tiranës shpreson të tërheqë në bashkëpunim dy nga të dyshuarit në skandalin e vjedhjes së Bankës së Shtetit, Petrit Ramohitaj, ish-përgjegjës i arkës në veprim dhe Bashkim Xhilaga, ish-përgjegjës i të dyja arkave. Dy ish-nëpunësve të Degës së Thesarit u është ofruar mundësia e bashkëpunimit për të kuptuar më mirë se çfarë ndodhte brenda mureve të Thesarit, pasi besohet se ata kanë informacion të nevojshëm për procesin hetimor, aq më tepër që paraprakisht ka të dhëna se ata nuk janë të implikuar direkt në procesin e vjedhjes së 713 milionë lekëve, por thjesht kanë shpërdoruar detyrën me mosveprimet e tyre.

 

Në fakt, Xhilaga dhe Ramohitaj u pyetën nga Prokuroria e Tiranës javën e kaluar, ku edhe u shprehën se s’kishin asnjë faj, por gjithë përgjegjësia, sipas tyre, qëndron tek eprorët. Në rrëfimin e parë të tyre, të dy burrat thanë se drejtuesit e kishin lënë departamentin pa rregullore dhe nuk kuptohej se çfarë detyre kishte njëri apo tjetri. Ishte kjo deklaratë që solli 12 orë më vonë arrestimin e ish-drejtorit Dorian Çollaku, i dyshuar bashkë me Mimoza Bruzian, si bashkëpunëtorët e ngushtë të Bitrajt.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama