Vendimi i KAS-it për lënien në fuqi të atij të Apelit të UEFA-s, solli pakënaqësi në kampin bardhekuq dhe normalisht një goditje të madhe për klubin qoftë në aspektin psikologjik, edhe në atë financiar. Por, tashmë ajo që ndodhi nuk mund të kthehet pas dhe duket se klubi kampion i Shqipërisë është qetësuar dhe do të mendojë për t'u përgatitur sa më mirë në kampionat, atje ku do të duhet të mbrojë edhe një herë titullin kampion që e fitoi për të gjashtin vit radhazi.
Një ditë pas vendimit të KAS-it, ka reaguar vetë presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj duke thyer kështu heshtjen dhe duke vënë pikat mbi "i" për gjithçka që e shqetëson opinionin publik rreth të ardhmes së ekipit pas vendimit të KAS-i. Në një intervistë për gazetën "Panorama Sport", Takaj i tregon të gjitha. Kreu i klubit hidhet në kundërsulm dhe sfidon të gjitha rivalët. "Do të ketë edhe dy afrime të fundit për të mbyllur merkaton e Skënderbeut. Shumë shpejt do t'i merrni vesh emrat se për cilët bëhet fjalë. Janë dy afrime që do të rrisin akoma edhe më shumë forcën tonë në mënyrë që të gjithë të dridhen përballë këtij Skënderbeu", - deklaroi Takaj ndër të tjera gjatë intervistës së tij.
President, KAS la në fuqi dënimin e UEFA-s me një vit përjashtim të Skënderbeut nga Liga e Kampioneve. Si erdhi ky vendim për ju?
Ishte shpresa jonë për të fituar pafajësinë, por nuk ia dolëm të ishim fitues përballë gjykatës më të madhe sportive në Europë. Normalisht që jemi të mërzitur pasi jemi dënuar sikundër nuk e meritonim të dënoheshim. Një vendim që na ka mërzitur njëkohësisht dhe na ka lënë pezull me përgatitjet që kishim nisur.
Çfarë sjell ky vendim për Skënderbeun që mbetet jashtë Europës për sezonin 2016-2017?
Mund të them se është një vendim që na dëmton shumë si nga ana financiare ashtu edhe nga ana psikologjike. Por, jemi dënuar dhe duhet ta respektojmë. Kjo është ajo që mund të komentojmë për këtë vendim të fundit.
A do të ketë pasoja ky vendim në vijueshmërinë e projekteve të klubit?
Jo aspak. Kush ka menduar që ky vendim do të ketë pasoja është gabuar rëndë. Ne jemi sërish këtu, jemi më të bashkuar se kurrë dhe do të jemi më të fortë. Do të rinisim punimet duke u përgatitur për kampionatin dhe të gjitha forcat tona do t'i përqëndrojmë atje për të dalë sërish kampionë dhe për të bërë historinë në Europë me një pjesëmarrje në grupet e Ligës së Kampioneve.
President, shumë fjalë po dalin pas një vendimi të KAS-it, teksa edhe FSHF ka theksuar se do të jetë Komisioni i Etikës që do të shqyrtojë dosjen e UEFA-s mbi dënimin e Skënderbeut...
Nuk e kuptoj se ku doni të dilni. Nuk kam kundërshtuar asnjëherë asgjë.
E kemi fjalën për një deklaratë të klubit të Partizanit që kërkoi dënim ndaj Skënderbeut edhe nga FSHF...
Shikoni, gjithçka është e qartë. Ne nuk na dënoi Komisioni i Disiplinës së UEFA-s që të ketë vend për hetim. Nuk ka pasur asnjë vendim të Komisionit të Disiplinës sikundër është folur shumë gjatë në Shqipëri. Ka pasur vetëm një vendim Apeli që na ndëshkoi me një sezon jashtë Europe. Kjo është e gjitha. Më vjen keq kur shoh gjithë këtë dashakeqësi nga shqiptarët për një ekip shqiptar.
A druheni se FSHF mund të rishikojë titujt e Skënderbeut?
Nuk i druhem aspak një gjëje të tillë. Titujt i kemi merituar në fushë dhe i kemi fituar atje. Nuk ka asnjë shans që dikush t'i prekë ato, pasi kemi djersitur për ato tituj. Titujt nuk janë vetëm të Skënderbeut, por një pasuri e patundshme e gjithë qytetit të Korçës. Vetëm nëse lëviz mali i Moravës nga vendi atëherë mund të lëvizin edhe titujt e Skënderbeut. Besoj se u tregova i qartë.
Një tjetër pikëpyetje e madhe është edhe përsa u përket afrimeve të bëra nga klubi, çfarë do të ndodhë me ta?
Çfarë duhet të ndodhë?! Ata janë lojtarë të Skënderbeut dhe kanë kontratat me klubin tonë. Nuk kanë qenë afrime vetëm për Europë, por për të gjithë sezonin dhe kanë kontrata 3-vjeçare. Normalisht që këto afrime nuk i kemi bërë përkohësisht, por jemi menduar mirë për të forcuar ekipin. Por, prisni se nuk kanë mbaruar surprizat akoma.
Për çfarë surprizash e keni fjalën?
Do të ketë edhe dy afrime të fundit për të mbyllur merkaton e Skënderbeut. Shumë shpejt do t'i merrni vesh emrat se për cilët bëhet fjalë. Janë dy afrime që do të rrisin akoma edhe më shumë forcën tonë në mënyrë që të gjithë të dridhen përballë këtij Skënderbeu.
Pra po thoni se ekipi do të jetë më i fortë vitin e ardhshëm?
Sigurisht që do të jetë i fortë. Shumë më i fortë. Më vjen keq për të gjithë ata që u gëzuan dhe menduan se ky do të ishte fundi i Skënderbeut. Duhet të përballen edhe për shumë kohë me superfuqinë e këtij ekipi që këtë sezon do të jetë akoma edhe më i fortë. Prisni të shikoni një super ekip që do të vazhdojë dominimin e tij me meritë në futbollin tonë.
LLAZI SARO