Ardit Cela eshte koha qe Posta te ofroje edhe sherbime bankare

Ardit Cela: eshte koha qe Posta te ofroje edhe sherbime bankare

Posta Shqiptare po implementon në kohë rekord në të gjithë Shqipërinë, në bashkëpunim me ISSH, portalin online të pagesave të pensioneve. Kjo ka sjellë transparencë, siguri, efektivitet dhe pa diskutim, kohë më të shpejtë shërbimi”

Drejtori i Postës Shqiptare, Ardit Çela flet për sfidat e kompanisë në kohën e internetit dhe bilancin 6-mujor. “Në shumë zona, shteti shqiptar përfaqësohet vetëm me prezencën e zyrave postare. Ne kemi mundësinë që t’i transformojmë zyrat tona dhe dimensionin e tyre tradicional, duke i kthyer në qendra shërbimesh multifunksionale”

 Zoti Çela, figura e postierit ka luajtur një rol të rëndësishëm në shekuj për zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Ai ishte personi që lidhte anët e botës dhe sillte lajmin e mirë, të keq apo të rëndësishëm tek njerëzit. Si konsiderohet figura e postierit sot në botën e internetit dhe sa mund t’i mbijetojë Posta kohës së informacionit të shpejtë?

Pavarësisht evoluimit të vazhdueshëm të shoqërisë sonë, të orientimit të zhvillimit të shërbimeve gjithnjë e më shumë drejt natyrës dixhitale apo elektronike, pavarësisht depërtimit gjithnjë e më të madh të teknologjisë së informacionit në komunikimin e përditshëm, është e vështirë që të zëvendësohet roli që kryen Posta dhe postieri si përfaqësuesi emblematik i shërbimeve postare. Nuk janë vetëm letrat apo pakot që ne dorëzojmë, por së bashku me to ne shpërndajmë edhe shumë gëzim dhe lumturi, duke bashkuar njerëzit anembanë botës. Nuk është vetëm informacioni ai që ne transportojmë me postë, por së bashku me të është besueshmëria dhe konfidenca e një sistemi shekullor, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në transformimet shoqërore. Dhe e parë më gjerë, pa diskutim që procesi i postimit nuk mund të shihet thjesht dhe vetëm si një hallkë e shkëputur e një sistemi të tërë, pasi nëpërmjet tij, ne përcjellim prospëritet duke ndihmuar njerëzit anembanë globit të kenë akses mbi të mira, të cilat janë të domosdoshme në jetën e tyre, duke përfituar nga tregtia apo qoftë edhe duke krijuar modele të reja biznesi, të cilat punësojnë gjithnjë e më shumë njerëz çdo ditë. Në të njëjtën kohë mund të themi se eksperienca e administratave postare nga njëra anë dhe zhvillimi i vrullshëm i sistemeve dhe teknologjisë së informacionit nga ana tjetër, mund të jenë komplementare e të bëjnë të mundur ofrimin e produkteve dhe shërbimeve gjithnjë e më të plota, në përputhje me kërkesat e kohës dhe interesat e qytetarëve.

Posta Shqiptare ka një shtrirje kapilare në vend, thuajse më të madhe se edhe bankat. Si mund të shfrytëzohet më tepër ky avantazh dhe si operon kompania në terma ekonomikë?

Posta Shqiptare ofron shërbimet e saj nëpërmjet 553 zyrave postare në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, prej të cilave 70% të tyre e kanë vendndodhjen në zonat rurale. Është pikërisht kjo shpërndarje gjeografike e ushtrimit të aktivitetit, çka e bën Postën unike në llojin e vet. Madje mund të themi se në shumë zona, shteti shqiptar përfaqësohet vetëm me prezencën e zyrave postare. Prandaj është edhe kaq i rëndësishëm roli i shërbimeve që ofrohen nga Posta Shqiptare. Ne kemi mundësinë që t’i transformojmë zyrat tona dhe dimensionin e tyre tradicional, duke i kthyer ato në qendra shërbimesh multifunksionale. Zyrat postare mund të jenë fare mirë baza e shërbimeve të qeverisjes qendrore apo lokale. Mund të ndihmojnë biznesin duke sjellë lehtësira në pagesa dhe në konkurrueshmëri, e pa diskutim që mund dhe duhet të jenë gjithnjë e më shumë afër kërkesave të përditshme e gjithnjë në rritje të qytetarëve tanë. Në të njëjtën kohë më lejoni të them se, pavarësisht se Posta Shqiptare operon si një shoqëri tregtare, qëllimi dhe misioni i saj primar nuk është thjesht rezultati ekonomik, por mbi të gjitha ofrimi i një shërbimi të shpejtë, cilësor, të barabartë në të gjithë territorin. Edhe nëse është një letër e vetme, një pako e vetme, ajo duhet të shkojë e të mbërrijë deri tek qytetari që banon në zonën më të largët, me sigurinë e duhur, në kohën e përcaktuar, pavarësisht kostos apo vështirësive të shumta. Edhe pse shumë shërbime mund të rezultojnë joefektive në terma ekonomikë, ne mundohemi që të optimizojmë burimet dhe zgjidhjet, e pa diskutim të bëjmë të mundur që shërbimi sërish të jetë ekzistent, e për më tepër njësoj cilësor.

Si e gjetët Postën Shqiptare dhe cilat janë sfidat tuaja, në mënyrë që ky institucion t’i mbijetojë kohës?

Posta Shqiptare ndër vite ka njohur evoluim. Ku me ritme më të shpejta, ku me ritme më të ngadalta, e shoqëruar me vështirësitë e një tranzicioni shqiptar, ajo është sot këtu ku është, duke u munduar të jetë gjithnjë afër qytetarëve me shërbimet e saj. Shumë gjëra janë bërë mirë. Shumë të tjera nuk janë bërë ashtu siç duhet. E natyrisht që shumë të tjera mund të ishin bërë edhe më mirë. E rëndësishme është që të shohim përpara, duke u përpjekur të bëjmë më të mirën të gjithë bashkë, e duke u përpjekur që ta forcojmë pozitën e Postës Shqiptare në treg, pasi kështu sigurojmë edhe ofrimin e shërbimeve gjithnjë e më të shumta e më cilësore për të gjithë qytetarët.

 

Natyrisht që do të doja shumë që situata financiare dhe rezultati ekonomik i kompanisë  të ishte ndryshe nga çfarë realisht është, pasi një kompani që e mbyll vitin e saj financiar me humbje e ka të vështirë të përballet me të ardhmen, e të realizojë në nivelin e duhur objektivat që i ka vënë vetes. Por nga ana tjetër, jam i bindur se duke shfrytëzuar me kujdes eksperiencën e akumuluar në një shekull tashmë, duke përfituar nga praktikat e mira, duke u përqendruar me vullnet dhe me zgjuarsi, është e mundur që të ecim paralelisht në disa drejtime. Shëndeti financiar i një kompanie është shumë i rëndësishëm, e pa diskutim që këtu ka shumë për të bërë në drejtim të një menaxhimi të kujdesshëm, duke optimizuar burimet, duke ulur shpenzimet e rritur të ardhurat. Posta Shqiptare i ka të gjitha avantazhet e saj konkurruese për të patur atë rezultat ekonomik që duhet të ketë një kompani me përmasat dhe rolin e saj.

 

Nga ana tjetër, është e domosdoshme që të implementojmë një strategji efikase, në drejtim të krijimit dhe ofertimit të produkteve e shërbimeve të reja, e pa diskutim, atë të përshtatjes së tyre me trendin dhe ritmet që imponon zhvillimi i vrullshëm shoqëror. Mendoj dhe besoj se ka ardhur koha tashmë, që përveç shërbimeve financiare, aq të rëndësishme për qytetarët, bizneset, apo edhe entet qeveritare, Posta Shqiptare të ketë mundësi të ofrojë edhe shërbime bankare. Qytetarët shqiptarë e meritojnë që sikurse ndodh gjerësisht në Europë, të marrin dhe të kryejnë shërbime bankare pranë zyrave postare. Përpos që kërkohet një punë e gjerë dhe e madhe në funksion të krijimit të infrastrukturës së nevojshme rregullatore, jam i bindur që me përkrahjen dhe mbështetjen e qytetarëve do të bëjmë të mundur që vendimmarrja përkatëse në këtë drejtim të jetë ajo që duhet, në momentin që do të kërkohet.

Ju, së bashku me drejtoreshën e Tatimeve dhe atë të Doganave, ishit tre menaxherët e rinj në moshë, të cilëve qeveria u besoi poste të rëndësishme. Dhe skepticizmi nuk mungoi për këto emërime. Gjashtë muaj më pas, si do t’u përgjigjeshit qytetarëve që shprehën mosbesim, nisur nga kriteri i moshës dhe i mungesës së eksperiencës?

Mendoj se gjatë gjithë kësaj kohe kemi treguar seriozitetin, këmbënguljen dhe vullnetin e duhur për të drejtuar më së miri institucionet apo kompanitë që na janë besuar për të drejtuar. Në gjykimin tim, besoj që kemi arritur të sjellim vizionin, energjinë dhe entuziazmin e kërkuar. Performanca financiare në Postën Shqiptare gjatë kësaj periudhe ka pësuar përmirësim të ndjeshëm. Nga komunikimi i përditshëm që kemi me qytetarët, kuptojmë që cilësia e komunikimit dhe shërbimit është po ashtu në përmirësim të vazhdueshëm. Jam i bindur që edhe  rezultatet e punës së znj. Spiropali dhe znj. Shehu janë duke dhënë frytet e veta pozitive. Natyrisht që jemi vetëm në fillimet e punës sonë dhe sfidat që na presin përpara janë shumë të mëdha. Ne jemi të vendosur që t’i përballojmë ato me seriozitetin që duhet, e pa diskutim, në përmbushje të objektivave gjithnjë e në rritje.

Përveç rolit të vet parësor, Posta Shqiptare ka luajtur edhe ndërmjetësin mes shërbimeve të qeverisë dhe qytetarëve. E kam fjalën për shërbime, të tilla si shpërndarja e pensioneve apo e pagesave të ndryshme për dokumentet zyrtare. Ç’mund të bëhet që këto shërbime të ofrohen në kohë më të shpejtë?

Ne jemi duke punuar përditë që shërbimet tona t’i ofrojmë me cilësinë dhe sigurinë e duhur, por natyrisht edhe në kohën më të shpejtë të mundshme. Konkretisht, lidhur me pagesat e pensioneve që ju përmendët, Posta Shqiptare po implementon në kohë rekord në të gjithë Shqipërinë, në bashkëpunim me ISSH, portalin online të pagesave të pensioneve. Vetëm në 6 muaj kemi arritur që të zgjerojmë në pjesën më të madhe të zyrave tona implementimin e një sistemi të tillë, çka ka sjellë transparencë, siguri, efektivitet, dhe pa diskutim kohë më të shpejtë shërbimi. Në të njëjtën kohë, është bërë një punë kolosale në drejtim të integrimit të sistemit tonë informatik me sistemet e institucioneve apo kompanive të tjera me të cilat kemi bashkëpunim, çka bën të mundur raportimin në kohë reale të pagesave që arkëtohen në Postën Shqiptare, duke rritur në këtë mënyrë efikasitetin si dhe duke ulur kohën e ndërveprimit. I tillë ishte edhe rasti i pagesave të gjobave të policisë, ku që prej muajit janar, çdo pagesë që kryhet pranë Postes Shqiptare raportohet në kohë reale në sistemin e drejtorisë së policisë. I tillë do të jetë shumë shpejt edhe rasti i pagesave të faturave të ndryshme si: energjisë elektrike, arkëtimeve doganore etj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama