Në sytë e publikut atë janë parë si rivalët e përbetuar, që për një gazetar mbase do të ishte disi e sikletshme nëse njërit prej tyre mund t’i përmendje emrin e tjetrit. Por showman-i Ardit Gjebrea, në një intervistë ekskluzive dhënë në ditët e para të vitit për “Ora News”, duke folur për punën e tij të vitit që shkoi dhe projektet e 2012-s, nuk ka hezituar t’i përgjigjet edhe një pyetjeje të Sonila Meços në lidhje me Adi Krastën. Duke përmbysur idenë e krijuar këto vite si në media ashtu dhe në rrethet e ngushta mes artistëve, se Arditi dhe Adi janë dy “armiq” apo rivalë që nuk e shohin dot me sy njëri-tjetrin, Arditi ka pohuar një fakt krejt të kundërt.
Ai ka treguar se me Adi Krastën janë miq, shkëmbejnë mesazhe telefonike dhe komunikojnë vazhdimisht me njëri-tjetri si dy kolegë të mirë dhe miq të vjetër. Për më tepër pyetjes së Sonilës se si e komentonte atë që mund të quhej konkurrencë televizive mes tij dhe Adi Krastës, si dy moderatorët e vetëm të nivelit të lartë përballë njëri-tjetrit në formatin televiziv të së dielës, përkatësisht Ardit Gjebrea tek e “Diela Shqiptare” në Tv Klan” dhe Adi Krasta tek e “E diell” në “Top Channel”, ai nuk e anashkaloi aspak.
Në lidhje me këtë konkurrencë moderatorësh me eksperiencë të gjatë që pas viteve ’90-të, dhe që të ty të identifikuar si të vetmit zotër të punës në këtë fushë, Gjebrea pohoi: “Personalisht më mungon shumë Adi Krasta këtë periudhë që nuk shfaqet në ekran, dhe uroj një rikthim sa më të shpejtë të tij”. Më tej, ai shtoi se “madje më vinte shumë keq që isha në transmetim të dielave në të njëjtin orar me Krastën, pasi me sinqeritet e them se Adi Krastën do preferoja ta ndiqja nga shtëpia, kur ai drejtonte ‘E diell’”. Emrat e Adi Krastës dhe Ardit Gjebreas u komentuan si një dyshe interesante për të prezantuar madje edicionin jubile të festivalit të 50-të të këngës, që u mbajt në fund të dhjetorit në RTSH. Për disa u komentua si një ide fantastike që do t’i bënte netët e këtij festivali më të ndjekura, dhe për disa të tjerë si një mision i pamundur, duke pasur parasysh faktin se ekzistonte ideja se ata nuk kanë as një përshëndetje me njëri-tjetrin, e jo më të shfaqen së bashku në një skenë dhe të shkëmbejnë batuta jashtë skenarit.
Dy emrat e prezantuesve të njohur kanë qenë ikonat kryesore që televizionet i kanë pasur si shtylla të forta për të konkurruar njëri-tjetrin. “Top Channel” shpeshherë e vendosi Adi Krastën në pozitën e prezantuesit sfidant për të konkurruar televizionin tjetër konkurrent, “Tv Klan”. Në fillim me emisionin e mëngjesit në “Top Albania Radio” pas largimit të Aldon Lipes në “Tv Klan”. Më pas, Krasta u vendos përballë Ardit Gjebreas, i cili kishte filluar më parë të përgatitej për spektaklin “E Diela Shqiptare” dhe “Top Channel” në kohë rekord përgatiti programin “E diell”, duke vendosur si prezantues primar Adi Krastën.
Por dhe bashkëpunëtorët e dy prezantuesve kanë qenë të njëjtë. Dikur ishte regjisorja Vera Grabocka, që bentë spektakle të bukura me prezantimin e Ardit Gjebreas e Adi Krastës. Ndërsa regjisori Pali Kuke, që tashmë punon me Gjebrean për programin “E Diela Shqiptare”, para pak vitesh ishte regjisor i spektaklit “Ethet e së premtes mbrëma”, një format i suksesshëm i prezantuar nga Adi Krasta. Tashmë, pas largimit përfundimtar nga “Top Channel”, nuk dihet se në cilin ekran do ta shohim këtë sezon Adi Krastën.