Arena Kombetare ruhet pjesa ballore. Rama kunder kritikeve

Arena Kombëtare, ruhet pjesa ballore. Rama kundër kritikëve

Ndeshjet eliminatore për kampionatin e ardhshëm europian kombëtarja jonë e futbollit do ketë mundësi t'i luajë në një shtëpi të re. Pas "Elbasan Arana", prej disa javësh ka nisur puna intensive për ndërtimin e impiantit më të madh dhe modern të futbollit shqiptar në Tiranë, Arena Kombetare.

arena kombetare projekti

Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ndoqën sot nga afër punën që po kryhet për çmontimin e stadiumit të vjetër "Qemal Stafa", i cili do t'i lerë vendin "Arenës Kombëtare".

"Shikojmë me kënaqësi se po avancon me shpejtësi të madhe, siç është në fakt, në filozofinë e Bashkisë së re të Tiranës, ky projekt historik që do t'i kthejë në fakt Tiranës një vlerë të jashtëzakonshme përmes një investimi të jashtëzakonshëm, duke bërë të mundur që në vend të ngrehinës së vjetër, ku as futboll në nivel ndërkombëtar nuk luhej dot, por as për qytetarët nuk ofrohej asgjë.

Një stadium nesër ndër më të bukurit e Europës, një hapësirë urbane dhe publike ndër më të bukurat, në mos më e bukura e Tiranës së shekullit të ri, dhe një përgjigje e merituar për të gjithë ata që nuk dinë asgjë tjetër përveçse të ngrenë gishtin e akuzës nga kafenetë ose nga kafja e madhe e pazarit të thashethemeve. Unë jam shumë krenar që ky projekt vjen vërtet në një kohë që përkon me shembullin e jashtëzakonshëm që kombëtarja u dha të gjithëve, se çfarë është në fakt, për një popull, për një shoqëri, për një vend si i yni, sporti dhe suksesi në sport", tha kryeministri, Edi Rama.

stadiumi1

Ndërkohë që, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vuri në dukje se deri më tani punimet kanë ecuri me ritme të larta, duke theksuar rëndësinë që i është dhënë zhvillimit të sportit në vendin tonë, duke përmendur këtu një sërë investimesh të rëndësishme të karakterit sportiv në territorin e Bashkisë së Tiranës.

"Ne kemi avancuar jashtëzakonisht me procesin e çmontimit, 70 % është kryer, besoj se brenda javës përfundon ky proçes. Është ndoshta mënyra më e mirë për të pritur Kombëtaren kur të kthehet me përgatitjet për projektin e ri. Besoj se jo vetëm 24 muaj, por ndoshta edhe më shpejt, do të kemi mundësi që të kemi një fushë komplet të re", u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Ai ka shtuar se nga ky projekt, qytetit i vijnë edhe një sërë përfitimesh të tjera, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe infrastrukturor. "Përveçse ka një tempull të futbollit, që besoj vjen në momentin më të mirë, qyteti do përfitojë 4 sheshe publike, që momentalisht nuk i ka, në secilën prej anëve, veri-jug-lindje-perëndim, që do të jenë për përdorim publik gjatë gjithë ditëve që nuk ka ndeshje. Jemi sot në një proces vendim-marrje, ku si parkingu përpara, si parkingu mbrapa, kthehen në 2 parkingje nëntokësore", shtoi Veliaj.

Ministrja Kumbaro bëri të ditur se projekti ruan dhe respekton historinë kulturore dhe sportive të stadiumit "Qemal Stafa", pasi ruan pjesën e fasadës, e cila integrohet në projektin e ri. "Jemi përballë fasadës në të cilën kemi pikërisht pjesën e konsideruar si monument kulture nga vendimi i fundit i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve.

Qemal Stafa

Kemi bashkëpunuar me studion e arkitektëve të cilëve iu është bashkuar ekspertiza e Palazzo Spinelli-t. E reja është që në rezultatin e fundit që do të vijë të prezantohet para KKR-së javën që vjen, fasada do të ruhet siç është, jo vetëm do të ruhet por do të jetë pamja ballore e stadiumit dhe do të jetë edhe funksionale për të shërbyer për të njëjtin funksion hyrës siç ka shërbyer gjithë këto vite. Ne kemi ruajtur këtë projekt, e konservojmë të plotë dhe e risjellim në projektin e ri kështu siç është", tha Kumbaro.

Stadiumi "Arena Kombëtare" është parashikuar të ketë një kapacitet prej 22.500 spektatorë, Stadiumi do të jetë i kategorisë 4, sipas standardeve të UEFA-s (kategoria maksimale) dhe punimet pritet të përfundojnë brenda 24 muajsh. Arena Kombëtare do të ruajë pjesën ballore të stadiumit ekzistues, e cila është shpallur Monument Kulture.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama