Argetimi lufta per audience

Argëtimi, lufta për audiencë
Departamentet e programacioneve janë si në ethe. Kanë nisur të transmetohen emisionet e para, ndërsa të tjerat priten të fillojnë për punë ditësh. Drejtuesit e departamenteve thonë se në hartimin e programit të ri është pasur gjithnjë parasysh publiku. Është testuar nevoja e tij për informacion, argëtim, zgjidhje problemesh…

Ndihet “dueli” i heshtur mes televizioneve, të cilët përpiqen të thithin sa më shumë audiencë, të përfshijnë të gjitha grupmoshat. Nga sa mësohet, tendenca e këtij sezoni është argëtimi. Janë blerë formate të gatshme, nga marka të njohura spektaklesh në botë, janë “huazuar” programe, tashmë të provuara në ekranet e fqinjëve përtej detit.Thua ende ekranet shqiptare nuk janë të gatshme për të krijuar dhe prodhuar programe tërësisht shqiptare?!

Por nuk mungojnë “blerjet” brenda për brenda vendit. Edhe këtë vit do të ketë ndryshim kanali për të parë ndonjë emision të preferuar. Tashmë lëvizja e personazheve televizivë është kthyer në modë. Gjithçka për të fituar audiencën. Drejtori i programacionit në TV “Klan”, Albert Dumani, thotë se ka muaj që punohet pikërisht për këtë. Ndërkaq, drejtoresha e programacionit pranë “Top Channel”, Vjollca Dedej, thotë se njerëzit po ndihen të lodhur dhe kanë nevojë të argëtohen, ndaj dhe mes shumë variantesh janë përzgjedhur disa programe të këtij profili.

I tillë pretendohet të jetë “Ti vlen” një garë jo e mirëfilltë talentesh, ku kriteri bazë nuk është aftësia për të kënduar apo kërcyer, por për të argëtuar publikun. Nuk do mungojnë “ethet” e diturisë në kuicin “7 për 7000”, ku të rriturit do të përballen me fëmijë gjeni të moshave 9-15 vjeç. Të dyja këto programe, të blera dhe mbikëqyrura nga producentët e huaj. Do të rikthehet spektakli i humorit “Portokalli”. Thuhet se do të ketë personazhe të reja, ndërsa do të mungojë treshja “SHLBLSH”, të cilën në fakt do ta shohim në një tjetër ekran, pikërisht në “Klan”. Ky i fundit, përpos argëtimit, duket se po përforcon linjën e programeve me karakter social, karshi të cilave njerëzit janë shumë të ndjeshëm. Krahas programit “Më shumë dashuri” me regji të Vera Grabockës dhe drejtimin e Alketa Vejsiut, “Klan”, i “rrëmben” “Vizion Plusit”, një nga programet e tij më të shikuara, “Njerëz të humbur”, nën drejtimin e Aida Shtinos. Ndërkaq, ky i fundit vijon me kalendarin e mëparshëm. Të njëjtat emisione, të njëjtit prezantues, madje me ndonjë program më pak, për shkak të lëvizjeve të “tregut”. Por aty ku dy televizionet rivale përplasen “kokë më kokë”, është e diela.

Duket se aty është dueli i vërtetë. Nga njëra anë Ardit Gjebrea (21 shtator), nga ana tjetër Adi Krasta (28 shtator) sjellin një program maratonë prej rreth 6 orësh, ku do të ketë shumëçka, muzikë, balet, intervista, informacione, lojëra, të ftuar… Një format tanimë i njohur, i huazuar nga ekranet italiane, ku këto lloj programesh aplikohen prej kohësh. Fqinjëve u ka siguruar një numër të madh spektatorësh. Pranohet se kjo është edhe arsyeja pse huazohen. Por që ka edhe rrezikun brenda. Atë të konsumimit dhe rënies në monotoni. Megjithatë mbetet për t’u parë.

Për Ardit Gjebrenë, ky nuk është programi i parë shumëorësh. Pasi eksperimentoi vite më parë në “Telebingon Kombëtare” (gjë që e bëri më pas edhe në Kosovë) rikthehet për të qenë sërish i pranishëm në të “Dielën shqiptare”. Adi Krasta, i cili ka lënë pas shoë-konkursin “Ethet” dhe një emision mëngjesi, e ka menduar emisionin e vet si një program plot diell, duke e quajtur “E diell në TCH”. Ndryshe nga Gjebrea që preferon të jetë vetëm në drejtimin e shoë-t, Krasta do të ketë edhe dy shoqëruese Arbana Osmanin e Xhemi Shehun.

Prurjeve të reja iu shtohen programet e përhershme, qofshin këta argëtues, informativë, analitikë… Ishin pikërisht emisonet e “vjetra”, por të prezantuara sitë riformatuara, që hapën sezonin. Janë përgjithësisht talk-shoët, apo emisionet e paraditeve, të cilat nga ato pak prezantime, që kanë bërë, duket se kanë ndryshuar vetëm mënyrën e vendosjes së kolltukëve. Po ata drejtues, po ato tema, madje po ata të ftuar, që shfrytëzojnë rastin për të prezantuar ngjyrën e re të flokëve. Ky është sezoni i ri në ekranet shqiptare. Shumë premtime, shumë huazime, shpenzime dhe… kohë për të vlerësuar.


Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama