2013 - Libri i Malltezit ka si botim të parë vitin 2013. Për botimin mori vendim Magjistratura
1 mijë lekë - Libri që është për qëllime studimore për shkollën master kushton 1 mijë lekë të reja
210 faqe - Libri për koncesionet në Shqipëri, nga e drejta private në atë publike ka 210 faqe gjithsej
Zhvillimet
Magjistratura - Vendimi i Shkollës së Magjistraturës për botimin e librit të Argita Malltezit mban numrin 242 dhe është marrë më 15 prill të vitit 2013
Reformat - Në librin e saj, vajza e ish-kryeministrit vlerëson reformat e marra nga ana e qeverisë “Berisha” për ndërhyrje në ligjin e koncesioneve
Oponentët - Oponentët e librit mbi koncesionet janë dy juristët Xhezair Zaganjori, aktualisht kryetari i Gjykatës së Lartë, dhe Mariana Semini
HEC-et - Në faqen 126, jepen të gjitha 22 vendimet që qeveria “Berisha” ka dhënë në formë koncesioni për ndërtimin e hidrocentraleve në Shqipëri
Vajza e ish-kryeministrit ka hedhur në treg botimin, i miratuar nga Magjistratura
“Koncesionet në Shqipëri, nga e drejta private në të drejtën publike”. Ky është libri më i fundit i autores Argita Malltezi, që për opinionin publik dhe mediatik shqiptar, njihet si e bija e ish-kryeministrit Sali Berisha. Profesore e asociuar, doktore, Malltezi, ka hedhur në treg librin, i cili më tepër shërben për shkollën e lartë të Magjistraturës shqiptare. Madje dhe botimi, monografi për koncesionet në Shqipëri, ka të drejtën e copyright (të drejtën e autorit), pikërisht Shkollën e Magjistraturës. “Ky libër shkollor shërben për të gjithë studentët e Juridikut që po kryejnë një diplomë masteri”, shprehet shitësja e një prej bibliotekave në Tiranë.
Ndërsa vetë libri ndodhet i publikuar edhe në faqen zyrtare elektronike të Shkollës së Magjistraturës. Studimi monografik i Argita Malltezit, përmban 210 faqe, me një çmim prej 1 mijë lekësh dhe është hedhur për botim në prill 2013, dy muaj përpara zgjedhjeve parlamentare. Në atë kohë në pushtet ishte qeveria e djathtë me kryeministër Sali Berisha. Oponentë të këtij libri mësohet se janë Xhezair Zaganjori, aktualisht kryetari i Gjykatës së Lartë, si dhe Mariana Semini.
Libri përshkruan një historik mbi çështjet koncesionare, duke nisur para dhe pas epokë së mbretit Zog dhe më pas në epokën postkomuniste, ku bumin e madh dhënia e koncesioneve të pasurive kombëtare e pati gjatë qeverisjes së kryeministrit Berisha. Pikërisht për këtë bum, Malltezi i kushton vëmendje të veçantë në librin e saj koncesioneve, e cila jep të dhëna për rrugën se si duhet përshkruar për ta fituar nga shteti një investim në një formë të tillë, pra koncesionare. “Në përpjekjet e saj për t’u bërë një treg tërheqës për investimet e huaja, Shqipëria ndërmori një sërë reformash ligjore për të mundësuar një sistem fiskal favorizues për investimet, rrëzimin e barrierave që diskriminojnë investimet e huaja…
Për realizimin e këtij qëllimi, në periudhën 2005-2013, në Shqipëri u ndërmorën një sërë reformash që kishin si synim përmirësimin e kuadrit rregullativ ekzistues dhe plotësimin e tij me akte të reja ligjore që i përgjigjen dinamikës së zhvillimit të ekonomisë… ndryshimet në fjalë ndikuan në rritjen e interesit për investimet e huaja në Shqipëri dhe në rritjen e menjëhershme të fluksit të aplikimeve për investim në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, gjë që në vetvete bëri të nevojshëm rishikimin e legjislacionit, e veçanërisht mbi marrëdhëniet koncesionare”, shkruhet në faqen numër 122 të këtij libri, ku autorja vë në pah vendimet e marrë nga babai i saj, Kryeministri Berisha. Gjithashtu vlerësohet se vendimi më i fundit i ndërmarrë nga qeveria “Berisha” më 25 prill të vitit 2013, zgjeronte mënyrën e investimeve, jo vetëm me koncesione, por dhe me format e tjera të partneritetit publik privat. Më tej në faqen 126, jepen të gjitha vendimet që qeveria “Berisha” ka dhënë në formë koncesioni për ndërtimin e hidrocentraleve në Shqipëri.
Në tabelën pasqyruese janë 22 vendime të qeverisë “Berisha”. Argita Malltezi gjatë kohës së qeverisjes së djathtë në Shqipëri, është akuzuar nga opozita socialiste se ka ndërhyrë në dhënien e koncesioneve në Shqipëri. Socialistë të shumtë si Saimir Tahiri, Taulant Balla apo dhe Erjon Braçe, kanë akuzuar se vajza e kryeministrit, nëpërmjet studios së saj avokatore, ka ndërhyrë në dhënien e koncesioneve. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit të PS-së në opozitë, kjo ka qenë një nga armët e forta të sulmeve në adresë të familjes së kryeministrit për ndërhyrje në dhënien e koncesioneve, ku opozita pretendonte se studioja ligjore e vajzës së kryeministrit bënte rolin e ndërmjetësit. Jo të pakta janë rastet ku Malltezi i është kundërpërgjigjur, duke i hedhur në gjyq deputetët socialistë, pasi, sipas saj, akuzat e lëshuara në adresë të saj janë të pavërteta.
Malltezi: Falënderoj familjen për mbështetjen
Argita Malltezi është pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Në faqen zyrtare të këtij fakulteti, prof. as. Malltezi është pjesë e departamentit të së drejtës civile. Nga viti 2005-2009, ka pasur studion ligjore “Malltezi”. Në falënderimin e saj për librin mbi koncesionet, Malltezi shkruan se ai është frut i një pune gati njëvjeçare. “I falem Zotit dhe ndihem e detyruar ndaj atyre që me mënyra të ndryshme mbështetën përpjekjet dhe punën time. Një falënderim të veçantë familjes sime, përgjithmonë dhe në çdo gjë; për dashurinë dhe mbështetjen, inkurajimin dhe debatin, ngrohtësinë, forcën dhe besimin. Me mirënjohje dua të falënderoj oponentët, sugjerimet e të cilëve ndikuan në plotësimin e punimit me disa aspekte të reja. Ndihem e nderuar që botimi i këtij libri realizohet nëpërmjet Shkollës së Magjistraturës, Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar dhe Fondacionit Slynn”, shkruan Malltezi në faqen 3 të librit.