Ndeshja e 7 korrikut me Slovan Bratislavën, e vlefshme për turin e parë eliminator të Ligës së Europës, ishte menduar si takimi i fundit për Agustin Torasën me fanellën e Partizanit.
Lojtari e pati deklaruar vetë se pas kësaj sfide, për arsye familjare, do të largohej drejt Argjentinës. Pas përfundimit të sfidës stërvitore të së enjtes me sllovakët,
Torasa është kthyer në Shqipëri së bashku me lojtarët e tjerë. Mësohet se Agustin Torasa e ka shtyrë kthimin në Argjentinë, pasi do të mbetet pjesë e Partizanit edhe për dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kampioneve ndaj hungarezëve të Ferencvaroshit.
Madje, qëndrimin e tij me të kuqtë për këtë raund e ka pranuar dje për "Panorama Sport" edhe drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Genc Tomori.
Në këto kushte, trajneri Sormani mund t'i bëjë llogaritë për hungarezët edhe me praninë e sulmuesit argjentinas. Mbetet për t'u parë nëse Torasa do të jetë titullar ndaj Ferencvaroshit, pasi në testin me Slovanin ai u hodh në fushë në pjesën e dytë.