Aktori i njohur korçar, Minella Borova, është shuar në moshën 66-vjeçare. Minella ka ndërruar jetë në Buenos Aires të Argjentinës, ku edhe jetoi për 20 vjet, pikërisht që prej vitit 1993. Ai numëron dhjetëra filma në karrierën e tij kinematografike, por në morinë e roleve, do të mbahet mend për Besnikun në filmin “Udhëtim në Pranverë”. Por, përveç roleve, ai ka qenë për shumë vite një artist dhe njeri i dashur e i vlerësuar nga komuniteti artistik, i cili edhe sot e kësaj dite vazhdon t’i referohet mendimeve, batutave e thënieve të tij. Homazh për ndarjen nga jeta të aktorit ka bërë edhe faqja e teatrit kombëtar të komedisë në rrjetin “Facebook”, ku adhurues të Borovës kanë publikuar imazhe të tij, mes tyre edhe një fotografi nga më të fundit të aktorit.
Minella Borova lindi në vitin më 22 shkurt 1947 në Korçë. Kreu studimet e larta për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969. Punoi në teatrin “A. Z. Cajupi” të Korçës deri në vitin 1979, më pas si pedagog i “Mjeshtërisë së aktorit” në Institutin e Lartë të Arteve, deri në vitin 1989 dhe si specialist i teatrit në Ministrinë e Kulturës, deri më 1991. Në vitin 1993 emigroi për gati 15 vjet në Argjentinë, për t’u rikthyer sërish në vitin 2006, ku edhe nisi punë si specialist i teatrit në Qendrën Ndërkombëtare e Kulturës “Pjetër Arbnori”. Megjithatë, ai emigroi sërish në Argjentinë. Roli i tij i parë është ai i Lirimit në dramën “Njollat e murrme” (1969) të Minush Jeros me regji të Mihal Luarasit, me të cilin fitoi edhe çmim si “Aktor i ri”.
Minella Borova u shqua më fort si aktor i planit satirik, por herë-herë edhe lirik e romantik. Në lojën e tij spikat një humor i çlirët, shije e hollë, një sjellje e shpenguar, njëherazi edhe elegante, ku ndihet synimi për të skicuar tipa e karaktere të ndryshëm. Ndër rolet më të realizuar të tij janë: Leka te “Të pamposhturit” e M. Jeros, 1970; Martini te “Mosha e bardhë” e Dritëro Agolli, 1972; Stenli Kor tek “Engjëjt e skëterrës” e George Bellak dhe Pol Kantën, 1972; mësuesi te “Plumbat e shkronjave” të Naum Priftit, 1974; hetuesi te “Qyteti i akuzuar” i Teodor Laços, 1978; Vehapi te “Tri ditët e kiametit” e Luan Qafëzezit, 1984; Raqi te “Mësuesi i letërsisë” i Ruzhdi Pulahes*, 1986 etj.
Në vitin 2007 pas një ndërprerjeje rreth 15-vjeçare, luajti rolin e protagonistit në dramën “Duke pritur Hënën” e Karlos Maria Alsina, me të cilin riafirmoi talentin e tij si aktor që gërsheton mirë rrafshet psikologjike me ato humoristike e satirike, duke kaluar sa nga njëri te tjetri. Minella Borova fitoi emër më fort si aktor i filmit, ku ka realizuar një spektër të gjerë figurash të dimensioneve e karaktereve të ndryshme si tek “Udhëtim në pranverë”, “Rrugë të bardha”, “I treti”, “Pylli i lirisë”, “Rrethimi i vogël” dhe veçanërisht me rolin e oficerit fashist në filmin “Në fillim të verës”. Ai ka shkruar edhe mjaft artikuj kritikë për teatrin, sidomos në vitet 1980-1990.
Në vitin 2003, ai u shfaq në festivalin e pestë ndërkombëtar të teatrit “Skampa 2003” në qytetin e Elbasanit. Drama që paraqiti titullohej “Pushtet”, një prej shumë dramave që Minella Borova ka përkthyer nga spanjishtja, tepër e pëlqyer në Argjentinë, ku ai ishte edhe një prej protagonistëve, së bashku me regjisorin e njohur argjentinas Daniel Denoud. Por përtej mesazhit të një drame tepër interesante, të një pjese që ka në thelb jetën në kohën e diktaturës në Argjentinë aktuale dhe për Shqipërinë, qëndron dhe pasioni, puna e stërmundimi i aktorit Borova që ndonëse punon 15 orë çdo ditë në punë të rëndomta për mbijetesë, gjen kohën të merret me art.
Në lidhje me jetën e tij në Argjentinë, Minella kishte deklaruar më parë, se kishte shitur nëpër rrugë së bashku me çifutët. “S’kishte punë tjetër për ne emigrantët. Kam përshtypjen se këto idetë e emigracionit në shoqërinë shqiptare janë të zmadhuara, pasi informacioni me kohë ka qenë i zmadhuar për andej. Atje nuk është fushë me lule, përkundër, por dhe informacioni për Shqipërinë vjen i deformuar. Ekziston atje një grup i vogël i shoqërive shqiptare të ikura kryesisht prej dekadash, të themi të organizuar, pasi dhe mbështetja e ambasadës shqiptare atje është e mirë. Edhe pse në festa kombëtare ngrihet flamuri shqiptar, shumë prej tyre flasin me dashuri e thonë ‘jemi shqiptarë’, më vjen keq, më dhemb se pjesa më e madhe e tyre nuk dinë shqip”, është shprehur vite më parë Minella Borova.