Libri “Migjeni – fryma moderne në letërsinë shqipe” (Estetika migjeniane) përbën një nga modelet më të arrirë teorikë e metodologjikë të shqyrtimit të dukurive social-artistike në mënyrë të gjithanshme, një model udhërrëfyes për studentët dhe studiuesit më të kualifikuar të shkencave shoqërore, veçanërisht për ata në fushë të estetikës dhe të shkencave për letërsinë
Arti migjenian është një dukuri mjaft komplekse në letërsinë e shqiptarëve. Ndonëse u ngjiz në harkun kohor të fare pak viteve ky art ngjan me një masiv diamanti, të ngjizur në laborator krijues gjenialiteti, në të cilin reflektohen në mënyrë të përqendruar prirjet progresive, shoqërore e politike, estetike e letrare mbarëshqiptare e më gjerë dhe njëherazi funksionon si një burim i fuqishëm rrezatimi vlerash artistike e njerëzore. Duke qenë e tillë letërsia migjeniane ka tërhequr me forcë të veçantë interesimin e vazhdueshëm, jo vetëm të artistëve të fjalës, por edhe të kritikëve, të studiuesve të historisë së letërsisë, të filozofisë së artit etj.
Krijimtaria migjeniane ka përthithur vëmendjen e studiuesve më në zë, pavarësisht nga atmosfera politike përgjithësisht e trazuar ose mjaft e trazuar në shoqërinë shqiptare: kryesisht si risi avanguardiste në gjysmën e dytë të viteve ’30 të shekullit XX, kur shoqëria shqiptare përjetonte ngërçet e prag-katastrofës së pushtimit prej shteteve fashisto-naziste; përgjithësisht si muzikë poetike e veçantë që nuk mbytej nga gjëmimi i topave përgjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore; si prijës letrar i protestave kundër shoqërisë së vjetër në vitet e para pas mbarimit të kësaj lufte dhe përgjatë periudhës së regjimit socialist totalitar, si krijuesi më i pranuar, ose më saktësisht, më i paanashkalueshëm nga të gjithë rrymat e kritikës letrare në rrjedhën e zhvillimeve demokratike pastotalitare deri në aktet tona.
Shumica e studimeve mbi artin letrar të Migjenit karakterizohen nga profesionalizmi dhe nga përgjegjësia qytetare. Por vepra studimore më voluminoze, më e kompletuar në gjithçka, me risi të shumanshme është punimi monografik “Migjeni-fryma moderne në letërsinë shqipe” (Estetika migjeniane), i shkruar së fundimi nga Alfred Uçi (nuk po i përmend titujt shkencor sepse prej vitesh ai e ka tejkaluar rëndësinë e tyre, është shndërruar në një emër të përveçëm në fushë të studimeve filozofike e artistike, estetike e sociologjike). Kjo monografi e rilevon personalitetin krijues dhe sidomos artin letrar të Migjenit në disa rrafshe të ndërthurur, filozofik e sociologjik, estetik e artistik, historik e human etj. Uçi argumenton se krijimtaria letrare e Migjenit, si art i sintetizuar maksimalisht, përfaqëson një shkollë avanguardiste në letrat shqipe, jo në kuptimin e ngushtë nihilist, pra jo si mohimi i vlerave të trashëgimisë më të arrirë të së kaluarës letraro-artistike.
Arti migjenian përfaqëson një avangardë mjaft të avancuar në kuptimin modern, domethënë si një univers artistik, i lidhur në mënyrë të qenësishme me “mekanizmat” më të përparuar të letërsisë pasardhëse që kanë tejkaluar epokat historike dhe si trampolinë për zhvillimet artistike të ardhshme. Disa krijime letrare dhe disa “.....letra të Migjenit –shkruan Uçi- na duket sikur na flasin për aktin e vetëdijshëm të Migjenit për t’i kapërcyer kufijtë e realizmit të vjetër, duke ndërtuar e zbatuar një estetikë moderne nga përgjithësimi i realizmit të ri të shek.XX. Kjo tregon se ai nuk e përkrahte prirjen e sociologjizmit vulgar, që të mos kapërcehej mbi e përtej përvojave tashmë të ezauruara të realizmit të mëparshëm dhe sëbashku me përvojat pozitive të tij të ecej më tej drejt sintezash të reja estetike, që i kish letërsia europiane e shek.XX dhe që mund ta tërhiqnin edhe letërsinë shqipe në bulevardet e gjëra të modernitetit.
Por duke e materializuar në krijimet e tij letrare këtë estetikë, ai nuk e quante veten, siç e ka quajtur ndonjë studiues, pjesëtar të avangardizmit, të nihilizmit, që mohonin tërësisht traditat e së kaluarës; Migjeni i çmonte realistët e mëdhenj të së kaluarës, por ai ishte i aftë të përfitonte edhe nga përvojat pozitive të romantizmit dhe të drejtimeve të reja të modernizmit; ai shihte mundësi me vlerë estetike jo vetëm te romantizmi ose realizmi, por edhe nga të tjera mundësi reale të zhvillimit të estetikës. Migjeni ishte, sipas mendimit tonë, një realist i tipit të ri, modern, bashkëkohor, integral në estetikën e vet origjinale....”. Përgjithësime të tilla teorike komplekse pasurohen e konkretizohen me një gamë mjaft të gjerë faktesh e detajesh artistike, estetike e jetësore. Në këtë libër, si dhe në shumë libra të tjerë të Alfred Uçit, parashtrohen të gërshetuara përgjithësime teorike të niveleve më të epërme me interpretime të shumanëshme të mesazheve që bartin e përcjellin edhe detajet më të imtësishme.
Për këtë mjafton të pohojmë se në këtë studim shqyrtohen fakte që dëshmojnë marrëdhëniet e Migjenit me disa organe të shtypit përparimtar të viteve ’30 të shekullit XX, dhe veçanërisht me revistën “Bota e Re”. Madje korigjohen jo pak gabime të përsëritura e të shumëfishuara nga studimet pararendëse jo vetëm për orientimet ideopolitike të Migjenit, por edhe për profilet politike, për realizuesit dhe financuesit e revistës “Bota e Re”. Saktësime të tilla ndihmojnë për të ndriçuar më mirë labirintet e krijimtarisë artistike migjeniane, për të tejkaluar edhe gabime e keqinterpretime në shkencat shoqërore e historike.
Për gati gjashtë dhjetëvjeçarë Alfred Uçi qëndron në ballë të avangardave më të përparuara të mendimit shqiptar në shkencat shoqërore. Studiuesi Mario Bruneti, i cili e ka njohur krijimtarinë mjaft të gjerë dhe mjaft cilësore të Alfred Uçit përgjatë 30 viteve të fundit, skicon portretin krijues të tij me këto penelata kryesore: “intelektual....me vizion të qartë dhe të fortë kritik ndaj realitetit shoqëror... që ka mbetur si pikë referimi e lartë dhe e patrandshme e forcave rinore dhe intelektuale që aspirojnë të ndërtojnë “Shqipërinë e re”.... Veprat e tij shkencore, mbi të gjitha ato filozofike dhe estetike përbëjnë një kontribut të veçantë që lë gjurmë të pashlyeshme në kulturën kombëtare dhe europiane. Sikurse në mjaft libra të tjerë, edhe në këtë punim monografik Uçi sjell një gamë të gjerë risishë, konceptuale dhe interpretuese, të cilat i parashtron përmes diskutimeve dhe polemikave të mir-argumentuara dhe me frymë qytetarie. Në këtë linjë metodologjike Uçi selit edhe idenë e shkollës migjeniane në letrat shqipe.
Këtë ide, ai e konstrukton duke davaritur mjegullën e paragjykimeve mjaft të përhapura në fushë të studimeve mbi letërsinë shqipe, sipas të cilave “ në letërsinë shqipe nuk ka shkolla artistike, por individualitete krijuese mjaft të spikatur”, se “ duke qenë mjaft individualistë shkrimtarët dhe poetët shqiptarë nuk mund të vihen nën një kapele rryme artistike ose shkolle të përbashkët”, “ se mungesa e shkollave letrare e ka sfumuar frymën kolektiviste në letërsinë shqipe dhe ka përforcuar origjinalitetin e krijuesve të saj etj....
Në këtë punim monografik Alfred Uçi e shtjellon konceptin shkollë letrare në kuptimet themelore dhe në dallimet dhe segmentimet interferuese të tyre. “Ka shumë nuanca të ndryshme të kuptimit.... të termit shkollë letrare...- arsyeton Uçi-, por ne duam të kujtojmë në dy vija themelore të tij: si karakterizim i krijimtarisë origjinale të një krijuesi të veçantë, mjaft të talentuar, ose të një bashkësie krijuesish që kanë prirje origjinale të afërta”. Përmes argumentave të hollësishme filozofike dhe estetike, sociologjike dhe kritike Uçi argumenton se shkolla migjeniane rilevohet në këta dy rrafshe. Në vijim ai analizon, si të thuash, linjat kryesore të komunikimit, të drejtëpërdrejtë dhe sidomos të tërthortë, të dukshme dhe të padukshme, por gjithësesi të qenësishme të krijimtarisë letrare migjeniane me krijimtarinë e disa brezave të poetëve dhe prozatorëve shqiptarë më të talentuar, më humanë e më atdhetarë, që nga vitet ’50 të shekullit XX deri në ditët tona...
Ndikime të tilla të krijimtarisë letrare migjeniane janë thelbësore, mjaft të tërthorta e të sofistikuara dhe përgjithësisht të pjesëshme, jo tërësore. Mendoj se është e vështirë, në mos e pamundur, që krijimtaria e ndonjë artisti të fjalës ta përthithë, ta përpunojë në laboratorin vetjak e ta rrezatojë në të ardhmen në universin origjinal të krijimtarisë migjeniane. Fuqia shkollëformuese e artit migjenian funksionon si një rrymë e pastër uji që përshkon shkëmbinjtë e del në sipërfaqe, duke ushqyer oaze artistike në çdo terren socialartistik, pavarësisht nga klima politike e trazuar ose mjaft e trazuar. Në krijimtarinë e shumë shkrimtarëve dhe sidomos poetëve shqiptar të pas Luftës së Dytë Botërore ka diçka të fisme nga shpirti artistik migjenian si lakonizëm gjuhësor ose frymë proteste kundër çdo perversiteti social, si fjalëformim artistik ose si këndshikim zhbirilues, si karakterizim estetik i nivelit më të epërm ose si përqeshje groteske që shkallmon themelet e çdo dukurie të shëmtuar, si revoltë ndaj çdo paragjykimi ose si filozofim paqëtues dhe vizionar etj. Por, Alfred Uçi nuk kufizohet vetëm me ndikimet e shkollës migjeniane në krijimtarinë letrare. Shkollën migjeniane në tërësinë e parametrave të saj Uçi e analizon edhe si një mekanizëm kompleks, me fuqi veprimi të jashtëzakonshëm për t’u orientuar në zgjidhjen e problemeve të mprehta sociale që përjeton shoqëria shqiptare e viteve të fundit, për të sfumuar e tejkaluar plagët sociale të shumëllojshme, për të afruar shoqërinë shqiptare në mendësi e në shumëçka me standartet më të përparuara të shoqërive perëndimore.
Libri “Migjeni – fryma moderne në letërsinë shqipe” (Estetika migjeniane) përbën një ngamodelet më të arrirë teorikë e metodologjikë të shqyrtimit të dukurive socialartistike në mënyrë të gjithanshme, një model udhërrëfyes për studentët dhe studjuesit më të kualifikuar të shkencave shoqërore, veçanërisht për ata në fushë të estetikës dhe të shkencave për letërsinë.
* Titulli origjinal është Libri “Estetika migjeniane” i Alfred Uçit – model më i arrirë studimesh gjithëpërfshirëse. Marrë me shkurtime