Ari dhe pushteti i tij i perjetshem

Ari dhe pushteti i tij i përjetshëm

Floriri, i përçmuar, nëmur apo adhuruar, mbetet flori i vlefshëm dhe i domosdoshëm. Po a ka qenë gjithmonë kështu? Sigurisht që jo. Një herë e një kohë njeriu i parë mund të luante me arin siç luajnë sot vogëlushët me guralecët, megjithatë kjo i përket një periudhe të largët, shumë të largët prehistorike. Ari prej mijëvjeçarësh, përveçse si monedhë, ka shërbyer si mjet zbukurimi. Është përdorur pa fund dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite të ekzistojë në thellësi të tokës.

Mendohet se mund të ekzistojnë në zemër të saj ende 20 apo 30 miliardë tonë që presin të bëjnë "udhëtimin" e tyre nga minierat, në kasafortat e bankave. Por përdorimi i arit si monedhë nisi vonë. Më pas monedhat u bënë me metale të tjera. Por ari mbetet ar dhe e ka sfiduar gjithmonë monedhën. Megjithatë pati një periudhë kur u sfidua nga "letra", e cila supozohej që ta zëvendësonte arin si njësi bazë monetare dhe mjet pagese e madje më pas edhe si rezervë valutore. Fillimisht për "letrën", kartëmonedhën, thanë se nuk vlente fare, e megjithatë për ata që bënin rregullat e lojës, ajo kishte më shumë vlerë se vetë ari.

Këtu vijmë te mëkati origjinal i monedhës moderne. Në atë periudhë, të gjithë nisën që t‘i ruanin letrat dhe ato printoheshin pa problem e dilnin në treg. Dhe këto letra e monedha lëshoheshin nga bankat, shteti dhe gjithçka bëhej në emër të arit. Më pas, kur për një sërë arsyesh monedha dominuese u bë dollari, amerikanët refuzuan që ta shndërronin në ar. Atëherë shumëkush bëri pyetjen: Ku bazohet monedha? Në vullnetin e Zotit ndoshta? E ndërsa kjo pyetje mbeti pa përgjigje, një biznesmen i famshëm gjerman me emrin Silvio Gesel paralajmëroi: "Nuk mund të grumbullojmë e të ruajmë letra që nuk kanë asnjë lloj vlere. Ky mashtrim i sajuar duhet të marrë fund. Ato që duhet të ruhen duhet të jenë sendet me një vlerë reale, investimet e vërteta, pasuria".

Por askush nuk e dëgjoi burrin e mençur. Kësisoj, vazhdon shtypja e monedhave financiare, pra borxheve, monedhës që ka zëvendësuar arin dhe vendosjes së rregullave të skemave piramidale bankare. Borxhet paguhen me borxhe. Sipas një ekonomisti të famshëm francez, kapitalizmi është sistemi i vetëm në të cilin borxhet nuk shlyhen kurrë. Pak a shumë si dallgët në breg të detit, që zënë njëra-tjetrën. Por edhe kjo e ka një kufi, sepse vjen një ditë që kupa mbushet dhe mashtrimit i del boja, por ata që paguajnë në fund janë njerëzit e thjeshtë. Po cili është roli i arit në gjithë këtë situatë? Pikërisht në një moment të tillë krize, ekonomia ka nevojë që të kapet pas diçkaje që nuk ka të bëjë me bastet e bankave. Kur monedhës i del boja dhe demokracia nuk luan më asnjë lloj roli, të gjithë kërkojnë që të gjejnë strehë te shkëlqimi verbues i arit. 

Kur Lufta e Dytë Botërore ende nuk kishte përfunduar dhe i gjithë ari ishte grumbulluar në shpellat e Forte Knox në Shtetet e Bashkuara, Maynard Kenyes, armiku i arit, propozoi variantin që ekonomia mund të bënte edhe pa metalin e çmuar. Sipas tij, duhej hequr dorë nga "standardi i arit" dhe në vend të tij duhej bërë një "politikë standarde", një marrëveshje botërore, prej së cilës të dilte një monedhë botërore e mbrujtur me vullnetin politik. Propozimi i tij ishte monedha me emrin "Bancor". Në fakt nuk ishte një monedhë e vërtetë, ishte një monedhë që nuk duhet ta shihte askush dhe në fakt askush nuk e pa.

Ndërkaq, monedha e dukshme ishte bërë dollari amerikan, që shumë shpejt "e hoqi qafe" arin. Dukej sikur kapitulli i arit ishte mbyllur njëherë e përgjithmonë, por nuk doli ashtu. Amerikanët, për shkak të lakmisë së madhe, e humbën kontrollin ndaj likuiditetit, duke u dhënë borxh vendeve të ndryshme, e mbi të gjitha vetvetes. Me shumicë edhe kinezëve, të cilët nisën që të dyshonin te monedha e gjelbër dhe të kujtonin Kenyes-in dhe propozimin e tij të dhjetëvjeçarëve të shkuar. Dhe sot kemi situatën kur arkitektët e botës financiare pa ar, po bien në varrin që kujtuan se ia hapën metalit të pavdekshëm.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama