Sot, "Huffington Post", uebsajti që ajo lançoi në vitin 2005, së bashku me bashkëpunëtorin e saj, Ken Lerer, dhe gjeniun e marketingut, Xhon Pereti, ndodhet në vendin e 15-të të listës së sajteve informativë më të klikuar të botës, një vend pas "Washington Post" dhe mbi BBC. Çdo muaj klikohet nga rreth 9 milionë individë të ndryshëm, ose nga dyfishi i klientëve të një viti më parë dhe po çdo muaj merr rreth gjysmë milioni komente nga lexuesit. Një biznes ky që ka arritur vlerën e 90 milionë dollarëve. I njohur ndryshe si "HuffPo", ky sajt informativ është bërë i famshëm nga një staf prej 55 punonjësish me kohë të plotë, përfshi Arianën. 28 prej tyre janë editorialistë, krahasuar me 1000 të tillë që ka "New York Times".
Nëse do të klikosh në sajt, në çdo moment të ditës do të të ofrohet një kopje e "Associated Press", kontribute nga autorë që nuk paguhen, histori të ndryshme, si dhe komente të shumta. Pak a shumë, ky sajt i ngjan një gazete të përditshme të një qyteti të vogël, megjithëse shumëkush mendon që modeli i të servirurit të lajmit në këtë sajt ka ndryshuar biznesin e lajmeve. Kur "Seattle Post- Intelligencer" u shndërrua në gazetën e parë të përditshme që kaloi nga formati në letër në atë elektronik më 18 mars, sajti i saj i ri u konceptua duke u nisur nga ngjashmëria me "Huff- Po". Suksesi i sajtit i ka dhënë mundësi Arianës, tashmë 58 vjeçe, që të asistojë në një biznes gjithnjë e në rritje, edhe pse vetë media, sidomos shtypi i përditshëm i shkruar, ndodhet në një moment shumë kritik mbijetese. "Huffington Post" ka tre funksione kryesore": blogjet, lajmet dhe komentet, të cilat i kryen më së mirë. Ato janë shërbime të cilat ofrohen me një mënyrë novative e që nuk të krijojnë lodhje apo bezdi.
Për Arianën është sikur e gjithë jeta e saj, një përzierje arritjesh e skandalesh, të ishte një praktikë e gjatë për punën që do të niste me sajtin e suksesshëm, ku gjithçka është interesante dhe asgjë nuk zgjat shumë. Ajo është shkolluar në Universitetin e Kembrixhit dhe u shfaq për herë të parë me librin mbi jetën e Maria Callas, ndërkohë që ka shkruar 12 libra të tjerë, më modestë për sa i përket famës. Fama e bëri të njohur dhe e futi në rrethe njerëzish të pasur. Brenda pak kohe u martua me një milioner nafte dhe iu dha Partisë Republikane. Gjithçka në jetën e Arianës ka qenë e shpejtë dhe ritmike. Brenda një kohe të shkurtër u divorcua nga i shoqi, pasi doli që ai ishte biseksual dhe duke braktisur republikanët u dha me mish e shpirt pas demokratëve. Në vitin 2003 kandidoi për postin e guvernatores së Kalifornisë, por u tërhoq kur doli në dritë se kishte pasur një shmangie taksash.
Më pas është përfolur për shumë marrëdhënie që ka pasur me persona dhe lëvizje të ndryshme politike, madje edhe me kulte. Ariana është një person që e shkruan historinë e saj përditë. Bëmave të së shkuarës i mbivendosen sukseset e së tashmes e në një kohë si kjo e jona, kur është luks i madh të merresh me të kaluarën, Ariana është një figurë që ndodhet në një moment shumë pozitiv profesional. Me gjithë ulje-ngritjet e jetës së saj, ajo nuk e humbi kurrë aftësinë e të bërit të njerëzve për vete. Kjo është një nga arsyet që në sajtin e saj ka plot 3000 blogje, disa prej të cilëve të njerëzve shumë të famshëm që shkruajnë për sajtin, madje pa u paguar asnjë cent. Ndërkohë ka edhe mjaft shkrime të blera nga gazetat e tjera, apo nga gazetarë të pavarur.
Veç kësaj, sajti është ndërtuar në mënyrë të tillë që të mos të të lodhë dhe të të shkaktojë mërzi, por përmes thjeshtësisë së tij të të ofrojë informacion, zbavitje dhe një mënyrë të mirë të kalimit të kohës. Gruaja në krye të kësaj perandorie të re e sheh veten në qendër të tendencës së medias sot, madje e konsideron shpikjen e saj si të ardhmen e gazetarisë. Së fundmi ajo ka investuar në gazetarinë investigative plot 25 milionë dollarë, edhe pse shuma është e madhe. Ariana shpreson që një ditë investimi i bërë të jetë i suksesshëm.