Arjan Dredhasi Jo me ne hije

Arjan Dredhasi: Jo me ne hije
Korçarët zor ta kenë harruar Arjanin e para viteve ‘90, të riun çapkën dhe bandën që ai krijoi, i frymëzuar nga grupet e rrokut të kohës, ata që bënin muzikë larg vendit të tij të harruar dhe të izoluar nga bota.Të tjerë e panë javë më parë tek këndonte te nata e muzikës greke te “100 këngët e Shekullit”, i ardhur bashkë me të ftuarën kryesore të spektaklit, Katerina Kukan.

“Kishte etje” asokohe ai dhe djemtë e bandës për të dëgjuar pak muzikë bote, ndaj nuk e menduan gjatë për të rrëmbyer kitarat e për t’u larguar nga Shqipëria, së cilës po i ikte rinia me ide ndryshe, atyre njerëzve që regjimi komunist nuk kishte arritur t’u fikte ëndrrat. Në atë gjysmë jete që bëri në Shqipëri, Arjan Dredhasi përfundoi mësimet për kontrabas në liceun artistik “Tefta Tashko Koço”. Kishte dëshirë të kërkonte më tej në muzikën bashkëkohore, një përvojë që ai e preku në Greqi, fillimisht duke studiuar për kanto dhe nëpërmjet kurseve private. Dy vjet më vonë nuk ishte më muzikanti i fshehur në hije, aty në radhët e orkestrës duke interpretuar në kitarë, por protagonist i koncerteve prestigjioze. Arjani i çlirët vijon të rrëfejë që ka kënduar edhe nëpër buzuqe, pa lënë mënjanë koncertet që i përmbushnin ambiciet, ku jo rrallëherë ka qenë protagonist.

Historia e jetës së muzikantit zgjon kureshtje edhe për dashurinë e tij të lindur herët në adoleshencë, me korçaren Lili, e bija e Jani Polenës, ambasadorit shqiptar në Hungari. Dashuria e Arjanit është e bukur sepse bind edhe më mosbesuesit që ka ndjenja që jetojnë gjatë te njerëzit, marrin të tjera forma, zbehen ndoshta, por janë gjithmonë aty për të shpërthyer kushedi se kur…Më mirë se nga goja e Arjanit kjo histori nuk do të tingëllojë më bukur e rrëfyer

Arjan, një pyetje e zakonshme por vlen për të kuptuar më shumë… Kur ke filluar të merresh me muzikë?

Në moshën pesë vjeç. Në këtë kohë miku i babait tim më dhuroi një kitarë, të cilën asnjëherë nuk e pashë si lodër. Kjo ka qenë lidhja ime e parë me të. Mos të harrojmë që ishte tjetër sistem në atë kohë, në një moshë më të vonë nuk kishim mundësi që të dëgjonim atë muzikë që do donim, për të zgjeruar dijet tona. Që në atë kohë unë e pashë muzikën si zanat, jo më shumë për të fituar para, sesa për të argëtuar të tjerët. Në ato kohë fillova dhe interesohesha se ku kishte njerëz që të më jepnin mësim, megjithëse prindërit nuk ishin shumë dakord. Nuk doja të ngelesha vetëm tek ato mësimet klasike që merrnim në shkolla, doja të vazhdoja me tej, me muzikën moderne botërore. Ëndërr e cila m’u realizua në vitin 1991 pasi përfundova liceun artistik “Tefta Tashko Koço” për kontrabas. Por dua të theksoj edhe diçka, ka pasur një dell familjar, nga daja, ka qenë ai që në njëfarë mënyrë më ka dhënë mësimet e para dhe tani shpesh me shaka i them: eja të të mësoj unë tani.

Pse vendose të largohesh për në Greqi?

Arsyeja e emigrimit nuk ka qenë ekonomike. Me ndërrimin e regjimit kam pasur fatin që së bashku me disa djem nga Korça të ndërtonim grupin tonë. Patëm sukses në atë kohë në Korçë dhe kjo na nxiti për të mësuar më tej. Në atë periudhë na erdhi një ftesë nga Greqia për të shkuar dhe punuar. Koncerti solli koncertin dhe unë ngela për 20 vjet me radhë aty. Pas dy-tre vjetësh fillova të hedh hapat e mia të para si këngëtar, ku nisa shkollën për kanto dhe kurse private për muzikë, këndoja në skenat e muzikës. Në Greqi nuk ka vetëm buzuqe, ka skena ku luhet muzikë greke, por edhe e huaj.

Në atë kohë bëra një lloj pakti, pasi nëse do të këndoja vetëm muzikë rrok, atëherë duhet të merrja valixhen dhe të ikja në Britani a gjëkundi tjetër, ku edhe ka vendin. Vendosa të qëndroja në Selanik, në Greqi. Çdo herë që përfundoja një sezon pune, mendoja që ishte momenti për t’u kthyer, por çdo herë që e shkoja nëpër mend, vinte një ofertë tjetër.

Sa ka ndikuar përvoja në Greqi në formimin profesional?

Ka qenë një shkollë e dytë dhe besoj se është edhe më mirë se shkolla. Unë gjithmonë kam qenë i idesë që një njeri përvojën e fiton gjatë punës. Më ka ndihmuar më shumë sesa e prisja, sepse minimumi je në kontakt me instrumentin. Atje kam punuar ditë për ditë, kjo gjë nuk më ka lënë që të ngelem mbrapa. Kam punuar, jam formuar. I kam përjetuar të dyja: hedhjen e karafilave dhe të kënduarit në skena.

Përse u ktheve në Shqipëri?

Kam një vit e gjysmë që jam kthyer. Kam krijuar familjen time dhe kam një djalë të mrekullueshëm. Prindërit dhe të afërmit i kam ende andej, në Selanik, por shkoj shpesh. Në Shqipëri, përveç dëshirës për të jetuar këtu, më solli edhe një ftesë nga TV Klan për të qenë pjesë e orkestrës së “100 Këngët e Shekullit”.

Edhe pse ke 20 vjet punë si muzikant, je i panjohur për publikun shqiptar. Përse ke pritur kaq shumë për t’u shfaqur?

Është e vërtetë, deri më tani nuk kam qenë njeri televiziv. Deri sa më erdhi oferta nga Adi Hila dhe nga vëllezërit regjisori Bledi Laço dhe drejtuesi i “Këngëve të Shekullit” Pandi Laço, së bashku me ta dhe Aleksandër Frangaj, të cilët i falënderoj. Mendoj se ky është momenti i duhur. Unë nuk mund të rrija dot pa u kthyer në Shqipëri dhe pa marrë pjesë në këtë super spektakël dhe deri tani mendoj se kam bërë mirë, pasi kam marrë shumë reagime pozitive.  Jam aty si kitarist dhe si back vokalist. Fruti piqet, pa vilet. Nuk kisha qejf të hyja direkt si këngëtar në këto skena të mëdha, pasi nuk dua as të pengohem. Punoj edhe në “live”, në jetën e natës. U bënë tre sezone që gjendem në lokalet e Tiranës.

Të emocionon skena?

Jashtëzakonisht. Madje po ju them një sekret: unë para prindërve nuk këndoj dot. Sado e çuditshme që mund të duket, prindërit nuk kanë ardhur asnjëherë në një shfaqje timen, me përjashtim të një rasti ku në një kontakt me sy me ta, jam bllokuar totalisht dhe kam lënë mikrofonin e kam ikur. Që atëherë nuk është përsëritur më.

Je i kënaqur që je kthyer në Shqipëri?

Po, shumë, pasi m’u realizua ëndrra. Duhet një punë e paparë që minimumi të mbash dhe të realizosh sukseset.

Je i kënaqur që do performosh e dëgjosh këngë të kombësive të ndryshe, meqë “Këngët e Shekullit” këtë vit e jep këtë mundësi?

Interesante. Të njëjtën gjë e kam diskutuar edhe me punëdhënësit e mi, pasi mirë do të ishte që të dilja në të gjitha netët, këngët greke, italiane, britanike. Megjithatë, besoj se njeriu duhet të përqendrohet te ajo që di të bëjë më mirë. Më vjen mirë që jam aty dhe besoj se do kemi ndonjë surprizë tjetër.

Do të shohim ndonjëherë me ndonjë këngë tuajën?

Shumë shpejt. Momentalisht jam duke shkruar diçka. Është një bashkëpunim me Pandi Laçon.

Mos je gjë produkt i  vëllezërve Laço, fakti që të kanë ftuar e të kanë sjellë këtu?

Rastësi nuk është, për mua do ishte nder i madh të isha produkt i vëllezërve Laço ose i Tv Klan, por mos harro të jesh produkt i këtyre miqve, është gjë e madhe.

Të ka ndihmuar ekonomikisht kjo punë?

Normale. Por me këtë karakter që kam, nuk besoj së do të bëja diçka tjetër.

Një kujtim për Lilin

Takohet pas 15 vitesh me shoqen e fëmijërisë

Kur nis e tregon për historinë e tij të dashurisë, të lë gojëhapur. Aty i ke të gjitha: dashurinë, largësinë, mallin, telefonatat, mesazhet që e kanë mbajtur gjallë ndjenjën mes dy të rinjve

Arjan, na trego pak për familjen…

Bashkëshortja, me origjinë korçare, është lindur e rritur në Tiranë. Në pushimet verore ne gjithmonë shkonim te gjyshja. Ajo e kishte gjyshen në Korçë. Ishim shok fëmijërie. Adoleshenca na lidhi më shumë. Ishte një pëlqim i sinqertë nga të dy, madje mendonim edhe për martesë. Kur i thosha nënës së Lilit në atë kohë që dua të martohem me vajzën tuaj, më gjegjej: Rrituni dhe pak, se këtu jemi. Por më vonë u larguam, humbën njëri-tjetrin jo për ndonjë arsye konkrete, madje mund të them që nuk ka pasur arsye. Prindërit i Lilit kanë qenë për vite në ambasadë. Kur ikën, ikën me gjithë familjen. Në ‘91-shin qenë në Hungari, ndërsa unë u largova për në Greqi. Për një periudhë kohë i mbajtëm lidhjet, por ato humbën gjatë ‘96 –s. E kisha menduar se, nëse një moment takohem me këtë person, do të ndaj jetën me të. Kuptohet nëse do ta donte edhe ajo këtë gjë.

Para 16 vjetësh punoja në Athinë dhe, normalisht, kthehesha nga puna për në Selanik. Isha në udhëtim e sipër kur bie zilja e telefonit. E hap dhe dëgjoj një zë, që e njoha menjëherë. Më ra telefoni nga dora!

E rimarr dhe i them: “Më prit të frenoj!” Pyetja ime e parë kishte të bënte me jetën e saj private, ndërkohë që ajo më pyeste si isha me punë, me shëndet. Këmbëngula nëse kishte njeri në jetën e saj apo jo? “Jam vetëm”, më tha. I kërkova menjëherë nëse donte të martohej me mua. Përgjigja ishte po.

Kemi folur për 4 muaj në telefon, sepse për shkak të punës nuk shkëputesha dot. Flisnim në çdo moment, shpeshherë e gjeja duke ngrënë edhe bukë. Kur e pyesja për darkën që kishte përpara, ishte gjithmonë e njëjta përgjigje: në tavolinën e saj nuk mungonin kurrë ullinjtë. Pas katër muajsh u nisa nga Selaniku. U takuam në Korçë. E para që takova ishte ajo. Në dorë kisha një qese me ullinj që e mora me vete nga Greqia. Që kur jemi rigjetur, nuk jemi ndarë asnjë ditë. Kemi sjellë në jetë dhe një djalë, Joanin, i cili është gëzimi më i madh i jetës sime.

Lili ka qenë frymëzimi im gjatë gjithë “mungesës së saj”. Shumë krijime të miat, si në tekst, dhe në muzikë kanë pasur dedikim pikërisht atë.

Në momentin e parë që e pe, ishte ashtu si e kishe imagjinuar?

Ishte siç u lamë! Nuk kishte ndryshuar asnjë gramë. Njerëzit kur rriten, zbukurohen, sepse kujdesen më shumë për veten.

Ke filluar ta mësosh me muzikën Joanin?

Ka filluar vetë. Unë e kam marrë shpesh bashkëshorten në skenat greke edhe kur ka qenë shtatzënë. Siç duket, ai ka pasur kontakt me muzikën që në barkun e së ëmës. E merr kitarën dhe nuk e trajton si lodër, por si vegël muzikore dhe për këtë më vjen mirë. Sigurisht, kur të rritet do të ndjekë rrugën që ai do të dojë të ndjekë. Por, Joani është më i famshëm se unë në këto momente. Ai është imazh i një reklame të një telefonie celulare. Pas një audicioni të gjerë me fëmijë, ishte i vetmi që u përzgjodh dhe më pëlqen për këtë, madje kam vënë re që e ndien veten protagonist.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama