Por ja që këto ditë, ekzaktësisht duke nisur që nga e shtuna e kaluar, arkeologët mund të jenë duke e zbuluar këtë monument. Ata po gërmojnë mbi një dysheme të periudhës romake, për të cilën dyshojnë se mund të jetë pikërisht forumi romak i qytetit, pjesa arkitektonike shumë e rëndësishme e qyteteve të epokës romake, atje ku zhvillohej dimensioni politik dhe shoqëror i jetës njerëzore.
Ditën e djeshme, pas tentativave të "Shekullit" për t'u informuar në mënyrë të saktë, vumë re një tension mes arkeologëve dhe një tentativë të tyre për ta fshehur këtë lajm, duke u nisur nga qëllime pozitive, duhet thënë, pasi duan të jenë sa më të qartë në atë që po zbulojnë dhe të mos nxitohen me deklarata që mund të jenë të gabuara. Nëse ëshët vërtet forumi romak ky që po zbulojnë e që shikoni në foto, atëherë ky zbulim mund të jetë ndër më të rëndësishmit, pasi ky forum duket se ka një shtrirje shumë më të zgjeruar se perceptimet që kanë patur arkeologët për të, deri më sot.
Rikthim i sensacioneve "ugoliane?"
Ugolini i ndjerë, një "baba" për Butrintin, nëse mund të shprehemi kështu, ka lënë pas "bijtë e vet", për të vijuar të nxjerrin në dritë gjurmë qytetërimesh e epokash, që flejnë në nëntokën e parkut të njohur. Kështu po ndodh dhe këto ditë, ku në të djathtë të teatrit, po gërmohet për të mbërritur te qendra romake; më saktë bash te Kapitoli romak i Butrintit. David Hernandez, profesor arkeologjie në Universitetin e Noterdamit në SHBA, lërëpërveshur e i ndyrë kokë e këmbë me baltë, ndodhet në një gropë mbi tre metra të thellë, duke gërmuar e nxjerrë që andej qindra kova më ujë e llucë. Ai është bashkëdrejtor punimesh, së bashku me kolegë shqiptarë.
Duke u bërë njësh me punëtorët e krahut, ai ka mësuar jo vetëm ca fjalë shqip, por dhe ca romuze apo ironira shqip, teksa njërit prej punëtorëve shqiptarë, i ardhur nga veriu për të gjetur punë atyre anëve, i thotë se duhet ta ketë lexuar me themel Ugolinin!
Profesor Hernandez flet me pasion për Butrintin. Ai e konsideron një shkollë unike të arkeologjisë botërore atë për shkak të shtresëzimit jetësor që bart, duke ngërthyer pothuaj të gjithë epokat e ekzistencës njerëzore, pasi që prej periudhës veneciano-otomane, Butrinti shkon thellë e më thellë në lashtësi, deri në epokën e bronxit.
Në rastin konkret, për të bërë të mundur zbulimin e qendrës romake, Kapitolit më saktësisht, që është pjesë e forumit romak, hasën vështirësi të mëdha për shkak se më parë duhet hequr pjesa që e mesjetës apo e antikitetit të vonë, si shtresëzim mbi atë romak, nën të cilin ndodhet ai helenistik. Kur përmenden vështirësitë, fjala është për sasitë e madhe të ujit që hasën gjatë gërmimeve. Për këtë arsye punohet me kova, por dhe me pompë. Në fakt, Butrinti ndodhet nën ujë dhe drenazhimi i parkut mbetet imperativ, pasi e gjithë monumentalistika mbetet gjithnjë e rrezikuar ndaj dëmtimeve, duke llogaritur dhe pamundësinë e vizitorëve për ta shijuar nga sa më afër.
Për shkak të ujit, epokë pas epokë, siç është vënë re nga gërmimet, banorët në Butrint, kanë tentuar të jetuarit sa më lart. Ndërkohë që nga studimet antropologjike që ndërmarrin në Butrint që prej 10 vjetësh një grup profesorësh e studentësh nga universiteti i Utikës në SHBA, dilet në përfundimin se banorët e kësaj zone gjithnjë kanë vuajtur prej sëmundjesh që vijnë e shkaktohen nga lagështira.
Në punën gërmuese për të zbuluar qendrën romake, e cila ka nisur këtë vit që prej datës 2 maj e që do të zgjasë deri më 15 qershor, është e angazhuar një arradhë specialistësh e studentësh, gjithsej 40, të huaj e shqiptarë; të ardhur nga SHBA, Anglia, Franca, Italia, Hungaria, Rumania etj., si dhe nga universiteti i Gjirokastrës. Ata janë të ndarë në disa profile, ku veçohen kërkimet mjedisore, antropologjike, të polenit, të xhamit, të metalit etj.
Arkeologët David Hernandez e Dhimitër Çondi ende nuk janë në gjendje të japin përfundime për çfarë është zbuluar deri më tani, por pjesë e sadisfaksionit të tyre profesional, është synimi për të mbërritur te qendra romake dhe të dhënat e deritanishme të terrenit. Në dy gropa të hapura katëkëndore, është mbërritur tek një dysheme me pllaka, por ende e paidentifikuar se ç`përfaqson.
Për forumin romak të Butrintit, ka 10 vjet që punohet. Zbulim i këtij forumi është pjesë e projektit disavjeçar "Butrinti Bizantin" që ka si bashkëdrejtues prof.dr. Shpresa Gjongecajn, Drejtore e Institutit Arkeologjik, si dhe Richard Hodges, drejtor shkencor i Fondacionit Butrinti, të cilit i dedikohet dhe një pjesë e mirë e punës për zbulimin në fjalë.
Gërmimet e forumit
Gërmimet në Forumin romak në vitin 2007 nxorrën në pah dyshemenë në krahun jugor duke demonstuar që ishte e orientuar lindje -perëndim, me një gjerësi prej 20m duke ndryshuar kështu të kuptuarit e deriatëhershëm për planin urban të qytetit romak. Forumi romak i ka fillimet e tij në agora-në Helenistike në periudhën e vonë republikane.