Libri është shkruar në gjallje të arkitektit, por u botua pas vdekjes së tij. Semih Pashallari ndërroi jetë më 21 nëntor 2008. Ismihan Pirgu është e bija e arkitektit, çka e ka lehtësuar sigurimin e materialeve arkivore, projekte të arkitektit të cilat ndodhen në fondet e arkivave të Institutit të Projektimit Nr. 1. Botimi është i pasur me foto e skica nga ky arkiv dhe nga arkivi familjar.
Paçka se qëllimi nuk ka qenë dokumentimi shkencor i punës së të atit. Një objektiv i tillë asnjëherë nuk mund të pretendohet nga një njeri i afërt i subjektit, që nuk i kursen lavdet i madhi, i shkëlqyeri etj.. Qëllimi s’ishte i tillë, por autorja e ndjen që ky jetëshkrim është po aq i përligjur për të thyer heshtjen mbi veprën e të atit. Duke parë se emri i tij nuk ekziston kur flitet për objektet e realizuara në periudhën e socializmit. E kësaj periudhe është kontributi i tij.
Autorja vuri re se në fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985 nuk përmendet fare emri i këtij njeriu: Duke synuar që të bëhen ndërtime sa më të mira, të bukura e ekonomike, e në afate të shkurta A e P.S kanë dhënë vepra dinjitoze që si nga funksioni edhe nga format e materialet e përdorura janë arritje me vlera. Ndër veprat më të njohura janë Pallati i Selisë së KQ të PPSH, Pallati i madh i Kulturës, Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu “Gjergj Kastriot Skënderbeu” në Krujë, Galeria Kombëtare e Arteve, Hotelet turistike në Gjirokastër, Përmet Krujë, blloqet e banesave në Bulevardin “Enver Hoxha” në Fier dhe Tiranë, pallatet e sportit në Tiranë, Vlorë, Korçë, Elbasan, shtëpitë e pushimit në Vlorë, Korçë, varrezat e dëshmorëve, ndërtesa e Institutit të Sëmundjeve të Mushkërive në Tiranë etj..
Përmendet arkitektë të kësaj periudhe Skënder Luarasi, Anton Lufi, Besim Daja, Sokrat Mosko, Valentina Pistoli, Koço Miho, Klement Kolaneci etj.. Gjëkundi Semih Pashallari.
Ai ka marrë pjesë si përpunues i themeleve për selinë e Komitetit Qendror, ka qenë pjesëmarrës në projektin dhe realizimin e Pallatit të Kulturës punë për të cilën është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Urdhrin e Punës të Klasit të Parë” më 1966. Është projektues i ndërtesës së Radio Televizionit Shqiptar “i realizuar prej tij sepse askush nuk e merrte përsipër me kushtet ekonomike që kërkoheshin”, nënvizon Pirgu. “Ka qenë shpëtimtar dhe realizues në situata të vështira për kryerjen e projektplaneve të Ministrisë e të Institutit të Projektimit Nr. 1, por ai i takon asaj kategorie që nuk përputhet me normat e regjimit komunist. Inxhinier Semihu nuk ishte as me partinë as kundra saj, nuk i interesonte politika.”
Është e para vepër që botohet për këtë figurë të arkitekturës shqiptare. Autorja është përpjekur të përfshijë kujtimet e arkitektit kur ndërtohej Pallati i Kulturës, braktisjen e projektit nga rusët më 1961 dhe ndryshimi që total që presoi projekt-ideja fillestare e për t’u shndërruar në një kompleks gjigant që hynte në zemër të zonës “Skënderbe” si me përdhunë, në anë të Xhamisë së Et’hem Beut e mbi rrënojat e pazarit të vjetër të Tiranës.
Këto kujtime që vijnë në një moshë të shtyrë të arkitektit kanë një vlerë dokumentare për një nga objektet që sot e ka ndarë më dysh qoftë opinionin e specialistëve qoftë të qytetarëve.
Autorja e pyet inxhinier Semihun nëse mund të tregojë të vërtetat e Pallatit të Kulturës, për të cilin ajo ka qenë dëshmitare, pasi ishte në një moshë që kuptonte diçka dhe mbante mend shumë gjëra. Shkruan: “Di që brenda Institutit u botua një broshurë për Pallatin ku nuk përmendet në asnjë cep të tij emri i Semih Pashallarit i dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Urdhrin e Punës të Klasit të Parë” për ndërtimin e Pallati të Kulturës dhe që me shaka shumë kolegë pune të inxhinierit e thërrisnin Semih Pallati.”
Sepse…
Ishte nip me një gjysh të pushkatuar dhe një dajë të varur me ardhjen e komunistëve në pushtet.
Semih Pashallari u lind në Tiranë më 1926 nga Sadi dhe Fitret Pashallari. I ati, Sadiu ishte djali i Aksarajli Mehmet Pashait të Turqisë, i shkolluar në Paris për inxhinieri.
U martua me Fitretin, vajza e Fejzi bej Alizotit, Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë së parë shqiptare të Ismail Qemalit, ndër të tjera. Fejzi Alizoti u pushkatua në gjyqin special të vitit 1945.
Emri i Sadi Pashallarit përbën një kapitull më vete. Dorën e tij e sheh kudo nëpër Tiranë. Sadiu është inxhinieri i parë i Bashkisë së Tiranës. Është projektues i Bashkisë e Tiranës (ish-Komiteti Ekzekutiv), i Presidencës së Kuvendit (sot Teatri i Kukullave) ish-Legatës Italiane (ndërtesa e ish-të përndjekurve), Kryegjyshatës Botërore, Shtëpisë së Fëmijës etj.., të gjitha vepra të periudhës së Monarkisë. Nga viti 1945 e deri në fund të jetës punoi në Ministri të Mbrojtjes.
Familja ishte vendosur në një vilë në mes të një fushe me grurë jo larg atij që në të ardhmen do të ishte Sheshi Skënderbe. Aty Semihu i vogël pa për herë të parë kombajnë. Ruan në mend shëtitjet me prindërit dhe çlodhjen në Kafe Kursal që kishte një kopsht të bukur dhe ku luhej muzikë. Koha e artë.
Vështirësitë do të vinin pas kësaj. Tre fëmijët e Pashallarëve nuk e patën të lehtë shkollimin. Semihu kryen gjimnazin shkencor, fillon punë dizenjator në Ndërmarrjen e Projektimit dhe një mori peripecish u deshën që të kryejë studimet universitare natën.
Ishte nip nga nëna i Riza Alizotit, inxhinier minierash, i dënuar dhe i varur dhe litar në Kuçovë më 1947. Dy vajzat e tij të vogla të “armikut” u rritën në shtëpinë e Pashallarëve. Deri ditën kur familja u nxorën nga vila e bukur e cila u hodh në erë për t’u ngritur një ambasadë.
“Këto kanë qenë arsyet për të cilat regjimi komunist krijoi heshtje për karrierën dhe punën e babait tim. Ai u pengua të arrinte në lartësinë që i takonte”, shkruan Ismihan Pirgu.
Jeta e Pashallërve të rinj nën regjimin komunist kushtëzohej nga ky humor herë shtrëngues e herë pak lirues i politikave të Partisë. Nëse Sehim Pashallari i përfundoi në studimet në rininë e vonë, për shkak të së ashtuquajturës “kleçkë në biografi”, - kjo ishte një fantazmë e madhe e cila ndoqi edhe fëmijët e tij, që nuk mundën të përfitonin studimet universitare. Autorja e këtij libri nuk u lejua të ndiqte studimet. Kujton: “Nga dritarja e shtëpisë shihnim një spektakël teatri çdo ditë. Një pjesë toke të oborrit të shtëpisë e zinte konvikti i Institutit të Lartë të Fizkulturës. Një shkollë që mua personalisht edhe pse isha sportiste me emër e kampione vendi, regjimi i saj kohë më ndaloi shkollimin. Në atë vilë sot gjendet rezidenca e ambasadorit egjiptian. Sot jemi të detyruar të shikojmë si jetojnë të tjerët aty.”
Kështu, arkitekti Semih Pashallarin regjimi komunist në një krah e dekoronte me medalje e Urdhra Pune të Klasit të Parë dhe nga ana tjetër “i thërrmonte zemrën”.
Punoi deri sa doli në pension në Institutin e Projektimit nr. 1. Vazhdoi të projektojë me porosi. Xhamia e Namazgjasë është nga projektet e fundit të rëndësishme që nuk u zbatua.
Bashkëkohësit kolegë e vlerësojnë Semih Pashallarin si një nga baballarët e racionalizmit shqiptar në arkitekturë, njohës i thellë detajeve dhe teknologjisë së brendshme të ndërtimit dhe zbatimit, me nuhatje krijuese.
Semih Pashallari kujton
Historia e Pallatit të Kulturës filloi si një dhuratë nga rusët për shqiptarët. Në fillim sollën tre variante për projekt-ide. Ishte një ndërtesë e ulët dykatëshe. Atelieja e cila e kish marrë përsipër mbante emrin “Moskprojekti”, shefi i saj quhej Budusof. Ata erdhën në Shqipëri për t’i treguar qeverisë shqiptare këto tri variante. Pasi ia paraqitën qeverisë dhe qeveria bëri vërejtjet që kishte, grupi sovjetik për të bërë këto ndryshime la në Tiranë tre a katër veta e më vonë erdhi edhe një tjetër. Ky grup qëndroi këtu për të korrigjuar projekt-idenë. Për të ndihmuar grupin lidhur me vizatimet e reja më caktuan mua dhe Sokratin. Na vendosën për të punuar në sallën e bibliotekës së ministrisë bashkë me sovjetikët…
Pasi qeveria jonë dha mendimet e saj ranë dakord me projekt-idenë e paraqitur, sovjetikët u larguan për në vendin e tyre e prej andej filluan të dërgojnë projekte vetëm për atë pjesë që do të punohej, kështu na kishin në dorë gjithmonë. Dërguan themelet, bodrumet e ndonjë prerje të projekt-idesë. Gjatë punimit për zbatimin caktuan si drejtues Sokratin, pasi dinte rusisht. Në kohën kur ishin duke u ndërtuar bodrumet u prish politika me sovjetikët. Ata ikën dhe nuk u kthyen më, e lanë punën, tashmë ishin bërë armiq me ne. Pastaj qeveria vendosi ta bënim me forcat tona. Caktuan listën e personalit të përbërë nga një grup arkitektësh e inxhinierësh… Në fillim ky grup përbëhej nga Anton Lufi, Skënder Luarasi, Eqerem Dobi, Besim Daja, e Sokrat Mosko si projektues dhe Misto Mele, Koço Miho dhe unë, si bashkautorë…
Ndërkohë qeveria mori prapë vendimin që Pallati i Kulturës të bëhet më i madh, të shtohet e të mos mbetet në atë volum që kishin menduar drejtuesit sovjetikë… U desh të ndryshohet çdo gjë.