Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka dhe Kryeministri Edi Rama, teksa paraqitën projektin e stadiumit të ri kombëtar, prezantuan kompaninë "Archea" me arkitekt Marco Casamonti, i cili ka realizuar projektin e stadiumit.
Nëse bën një kërkim në Google me emrin e Marco Casamontit, rezulton se arkitekti është arrestuar dhe dënuar për korrupsion në Itali në vitin 2008.
Sipas mediave italiane, Casamonti u arrestua në 11 dhjetor të vitit 2008 dhe rifitoi lirinë më 2 janar 2009.
"La Repubblica" shkruante në atë kohë se nga hetimet e zhvilluara prej prokurorit Giuseppe Quattrochi, u zbulua implikimi i arkitektit Marco Casamonti në një tender 98 mijë eurosh për rikonstruksionin e një ndërtese në komunën Terranova Bracciolini.
Casamonti është themeluesi i studios "Archea" e cila ushtron aktivitet në nivel ndërkombëtar.
Çfarë tha Rama dje? Gjatë fjalës në prezantimin e projektit, kryeministri shprehu vlerësim për arkitektin italian.
"Nuk e ekzagjeroj, sepse nuk është aspak e vështirë në këtë aspekt nëse ke vizionin e duhur, vendosmërinë e duhur dhe skuadrën e duhur, siç besoj që sot që është një skuadër e duhur, përmes partneritetit mes qeverisë, federatës, arkitektit të madh italian Marco Casamonti dhe një kompanie të shquar shqiptare",-tha Rama.