Arkitektura e kimeres moderniste

Arkitektura e kimerës moderniste
Me prof. Claudio D’Amato Guerrieri për frymën e arkitekturës moderne, për mbylljen e piazza-s brenda qendrave tregtare dhe humbjen e lidhjeve me traditën. Disa kundërshtime edhe për rinovimin e Sheshit “Skënderbe”

Një qytet që çon drejt vetëvrasjes arkitektin e tij, ka për të bërë të njëjtën gjë një ditë me qytetarët e tij. Shumë e zezë për të qenë e vërtetë si rasti i Francesco Borromini-t, arkitekti i barokut roman i cili kreu vetëvrasje më 1667. Jetës dhe veprës së këtij njeriu i vishet një atribut i dallueshëm i gjeniut: vuajtja e atij që krijon e cila shndërrohet në gëzim për atë që e vështron. Rasti Bomorrini, u soll nëpërmjet një dokumentari televiziv, u komentua nga prof. ark.

Claudio D’Amato Guerrieri, i ndodhur në Tiranë për Ditët e Gjuhës Italiane në botë. Fjala e D’Amato Guerrieri-t pati në fokus temën e Piacës në arkitekturë e cila në qytetet bashkëkohore nuk ekziston. Në këtë kontekst vepra e Bomorrinit kujton se nuk ka modernitet, nuk ka rinovim nëse këputen lidhjet me traditën. Traditë do me thënë rinovim.

Prof. D’Amato Guerrieri thotë se po shkon drejt zhdukjes ajo hapësirë, ajo qendër e banuar ku kryqëzohen rrugë dhe njerëz, e që përshkohet tej e tej nga arterie urbane. Zemra e qytetit, pra, ka sot atë formë që i jep sistemi i arkitektëve dhe sipërmarrësve që krijojnë një model të jetuari i zbatueshëm automatikisht. Peizazhet analitike të qyteteve moderne, mbajnë vërtet shtëpi të bukura dhe të ndërtuara brenda të gjitha standardeve, por ajo që e shqetësonprof. D’Amato Guerrierin është mungesa e gjuhës urbane në mes të këtij moderniteti ku nuk bëhet më jetë në komunitet.

Njohës i mirë i Tiranës historike, i veprave dhe ansambleve monumentale që krijuan arkitektët italianë prej vitit 1927 e deri në vitet e pushtimit, arkitektë të zotë si Brasini, Fausto dhe Bosio, profesori në Fakultetin e Arkitekturës në Bari, dhe koordinator i një projekti të rëndësishëm për trashëgiminë monumentale moderne të kryeqytetit shqiptar, flet në këtë intervistë për klimën jo shumë të favorshme të arkitekturës së qyteteve bashkëkohore.

Sa për Tiranën, për piazza-n e saj legjendare të quajtur “Skënderbe”, D’Amato Guerrieri thotë se ka mbetur pa fjalë nga projektet e rinovimin e saj. “Nuk mund të shkatërrohet esenca e qytetit”, thotë ai. “Këta arkitektë kanë vendosur të ndërpresin një raport kulturor të vendosur në shekuj.”

Piazza, si e kanë ndryshuar termin klasik të saj qytetet moderne?

Është një pyetje e vështirë, sepse sot nuk mund të propozohen modele të së kaluarës. Çdo epokë ka mënyrën e saj të të vetëshprehurit, por ama mund të zgjedhim modele me të cilat mund të konfrontohemi. Piazza alla italiana siç u përpoqa ta përshkruaj, është rezultat i një procesi të një qyteti organik që nuk është i ndarë sipas funksioneve. Në qytetin antik, në piacë sistemohen shtëpitë, dyqanet, depot, zyrat, kishat, vende për ndërmjetësim.

Ndërsa sot, po e thjeshtoj shumë, qyteti është rritur, që nga vitet 60-70 me idenë e skemave funksionale, e pjesëve monofunksionale. Tani kultura urbane po pendohet për këtë gjë, sadoqë po ngrihen siç dihet, në gjithë botën, qendrat tregtare. Megjithëse janë schifezze nga pikëpamja arkitektonike, njerëzit aty shkojnë, shkojnë sepse gjejnë gjithçka. Shkojnë me fëmijët, shkojnë në kinema, në restorante.

Kjo tregon dëshirën e tyre që të kthehen dhe të jetojnë në një mjedis të integruar ku fëmija nuk kërcënohet nga makinat, ku familjarët mund të ecin në këmbë. Pra, piazza e sotme, sipas idesë së qytetit kontemporan, është ajo që në mënyrë instiktive njerëzit parapëlqejnë në qendrat komerciale. Një qytet i sigurtë, ku gjenden shumë gjëra, ku ecet në këmbë dhe ku nuk ka agresion.

Ju përmendët kimerat e modernizmit, a përfshihet në këtë rreth piazza moderne?

Kimerat e modernizmit janë gjëra shumë të thjeshta. Dua të shtoj në fillim që arkitektët modernistë, superstar-ët janë individë egocentristë, të dashuruar me veten, të shqetësuar për të transmetuar kodet e tyre stilistike dhe pak të vëmendshëm ndaj nevojave të vërteta të njerëzve. Janë pak a shumë si star-ët e modës, si stilistët e mëdhenj Valentino, Dior që duhet të shesin prodhimin e tyre. Në të vërtetë, përgjegjësia sociale ndoshta nuk i përket më kësaj bote.

Në këtë pikë ata janë të favorizuar edhe nga sipërmarrësit. Marrim për shembull një sipërmarrës të madh siç mund të jetë Cartier i cili ka nevojë të ngrejë një ngrehinë po aq sa edhe të bëjë publicitet, prandaj i kërkon Jean Nouvel-it, një arkitekti të zotë modernist që të bëjë një ndërtesë. Është një lojë nga të dy krahët. Nuk është vetëm keqdashja e arkitektëve dhe as vetëm e sipërmarrësve, është një sistem në të cilin arkitektura është bërë arkitekturë komerciale.

Ju i quajtët arkitektë superstarë edhe ata që kanë propozuar ide dhe projekte për modernizimin e sheshit “Skënderbe”, përse e thoni e këtë?

Po, janë arkitektë të një brezi të ri, për të cilët raporti me të shkuarën nuk ekziston. Janë arkitektë, anglezë, francezë, hollandezë, mes tyre dhe një grup roman, që i përkasin ideologjisë moderniste dhe që nuk iu bëhet vonë fare apo nuk e marrin në konsideratë organikën dhe kontinuitetin e arkitekturës së një qyteti.

Përse keni mbetur pa fjalë duke parë projektet e qendrës së “re” të Tiranës?

Jam pa fjalë sepse përtej cilësisë me të cilën nuk pajtohem, por nuk dua të paragjykoj, ka trupatë çuditshëm të vendosur në mbrendësi të një ansambli monumental që ka ligje të tjera. Është njëlloj sikur unë të bëj një shartim në një trup me një lëndë të cilën organizmi nuk e pranon. Asnjë prej tyre nuk e trajton problemin për të parë se si mund të zhvillohet në vazhdimësi kjo ide për qytetin.

Qiell gërvishtësit projektuar nga “Architecture Studio” janë negacione të konceptit të aksit monumental me ndërtesa të ulëta, me gjelbërimin. Kurse vendosja e kullave e mohon këtë lloj realiteti. Unë nuk po flas kundër kullave në përgjithësi, megjithatë kryetari i bashkisë Rama mund të krijonte një qytet të ri me këto kritere dhe do të ishte një gjë e mirë. Po përse të shkatërrohet një trashëgimi monumentale e njerëzimit duke e refuzuar atë?

Ju mendoni se Tirana e sotme po humbet dialogun me të kaluarën e saj, me Tiranën e Brasinit dhe Bosios?

Mendoj se janë të gjitha mundësitë për të vazhduar në mënyrë moderne dhe për këtë është e nevojshme t’u vihet veshi atyre arkitekturave, jo duke i riprodhuar, por duke i zhvilluar projektet me koherencë. Megjithatë nuk më duket që ligjet që dalin nga Bashkia e Tiranës të jenë bazuar në dialogun me traditën.

Cilat janë problemet që mund të zgjidhen sipas jush?

Unë njoh mirë Tiranën historike, një pjesë të saj për të cilën kam bërë kërkime. Për mua Tirana është një qytet jashtëzakonisht i gjallë. Janë me mijëra problemet që duhen zgjidhur që janë shanse për angazhimin e brezit të ri të arkitektëve sepse, nuk ka vetëm kaosin, është një qytet që jeton, gjallon një vitalitet që nuk e gjen në qytetet e tjera të Europës.

A ka humbur unitetin dhe identitetin Tirana që ju njihni?

Uniteti dhe ideniteti, është e vështirë të flasësh për qytete që janë duke u rritur. Edhe Roma nuk është një qytet me unitet. Është e vështirë të gjesh një unitet tek qytetet që i kalojnë 500-600 mijë banorët.

Them se identiteti i Tiranës është identiteti i njerëzve që jetojnë këtu. Ka pleq e të rinj që janë të lidhur me Tiranën dhe arkitekturën e saj të djeshme, ashtu siç ka njerëz të tjerë që janë të lidhur me një tjetër Tiranë.

Për çfarë ka nevojë ky qytet?

Ka nevojë të reflektojë për veten. Të mos kërkojë që të jetë “modern” me çdo kusht duke prerë lidhjet me të kaluarën. Shumë mirë po të këputen lidhjet politike me të kaluarën, me komunizmin, por mund të them se ekziston një arkitekturë e ngritur gjatë komunizmit që është e bukur, e realizuar nga arkitektë të zotë, të përgatitur dhe seriozë.

Të hedhësh përdhe këtë lloj arkitekture do të ishte njëlloj si në Itali pas fashizmit. Me rënien e Mussolinit janë shkatërruar ndërtesa të mrekullueshme që ishin bërë gjatë fashizmit. Sot ka shumë marrëveshje që mbrojnë arkitekturat “e majta” dhe them se kjo lloj mbrojtje vlen edhe për në Shqipëri.

Keni dëgjuar besoj për idenë për të hequr nga fasada e Muzeut Kombëtar mozaikun e tipit të realizmit socialist?

Është një marri. Është njëlloj sikur nga monumentet e fashizmit të heqësh shkrimin DUX – Duce. Kjo nuk do të kishte sens.

Ai mozaik që paraqet “popullin shqiptar” është një vepër shumë e bukur, nuk ka arsye të hiqet.

Duke marrë shkas nga ai fundi i jetës së Francesco Borrominit që pamë sot, kur qytetet arrijnë t’i vrasin qytetarët?

Unë nuk jam politikan, kjo është pyetje e vështirë. Është e vështirë sepse nëse një vend gjatë komunizmit nuk ka pasur makina, pastaj fillon dhe krijon një morsetë makinash, nuk është e kollajtë të zgjerosh rrugët. Kryetari i bashkisë Rama në fillim pati intuitë me të cilën pajtohem personalisht, për të pikturuar qytetin, për ta rinuar atë.

Por kjo shtysë inovative ka sosur. Një qytet funksionon kur iu jep qytetarëve shërbime, krijon zona të sigurta për fëmijët dhe nuk funksionon kur zhduket nga horizonti interesi i përgjithshëm, e mira e përbashkët. Dhe piazza është një e mirë e përbashkët.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama