Arkitektura italiane ne Korce

Arkitektura italiane ne Korce
Kinema Luks, Lice, Birra Korça, banesa e deri te blloku i kazermave: një influencë arkitekturore që ndodhi në urbanistikën e Korçës, sot e shkrirë një me siluetën e qytetit. Tipologjia e banesës korçare përcaktoi edhe urbanizimin e qytetit. Kjo shihet qartë në zonën muzeale.

Urbanistika është udhëheqësi dhe dokumenti më i mirë i pasqyrimit të të gjithë aspekteve jetësore të njeriut. Volumi dhe vendosja e banesës në hapësirë janë në varësi të njëra-tjetrës. Harmonizimi i tyre përcakton shkallën e qytetërimit. Kulturat e mëdha identifikohen me lëvizjet e njeriut. Lëvizja dhe shikimi përbëjnë esencën e jetës. Kështu ka qenë në botën primitive, në mesjetë, dhe në epokën moderne.

Korça ka qenë gjithmonë me modernitetin sepse njerëzit e saj kanë qenë qëndrestarë dhe punëtorë.

Në një serenadë qytetare këndohet:
E dua Shqipërinë
Që të më vejë puna mbarë...

Vetëm puna është ajo që shton jetën dhe ruan natyrën. Në Korçë shihen qartë zhvillimet dhe operacionet urbanistike. Qyteti ish i ndare nga lumi në dy pjesë, ajo Ortodokse me koncepte të pastra Bizantine dhe ajo Muhamedane me prurjet e reja Osmane. Këto dy pjesë i bashkonte një carniere volumetrike dhe funksionale, pazari. Pjesa e krishterë kishte disa nyje nevralgjike që krijonin sheshet e qytetit, pa qenë plotësisht të tilla.

Këto ishin "Lëndina e Lotëve", prej nga niseshin karvanët drejt Lindjes dhe Perëndimit: sheshi para Shën Gjergjit, Shën Mërisë, Mitropolisë. Në këto sheshe bëheshin takimet e rastit para dhe mbas meshave, lojërat popullore, panairet. Në Radanec, shesh kryesor ishte ai para Xhamisë së Mirahorit.

Kështu si një orë e rregullt ishte kurdisur jeta e qytetarëve Korçarë në shekuj. Zembereku i kurdisur, gjithmonë ishte puna.

Mbas viteve 1920 urbanistika e qytetit filloi të ndryshojë. Kjo vetëm në pjesën e krishterë. Edhe sot në pjesën myslimane nuk gjen asnjë objekt me projekte italiane të asaj kohe. Tregtarët dhe borgjezia e vogël filloi të ndërtojë shtëpi private, dyqane, hotele, kinema. Po ashtu edhe administrata qeveritare ndërmori ndërtimin e një sërë objekteve: sociale, administrative, shëndetësore, arsimore dhe ushtarake me projekte italiane. Objektet e reja që u shfaqën në qytet u pritën pa rezistencë. Kjo besoj sepse qytetari racional gjithmonë pranon ndryshimin për mirë.

Më 1928 u inaugurua fabrika e Birra Korçës afër Mborjes. Ajo edhe sot është një objekt unikal për nga zgjidhja funksionale dhe arkitektura. Kanë kaluar 80 vjet, por mbetet shembulli i papërsëritshëm i kujdesit, harmonisë së linjave dhe zgjidhjes volumore. Ajo është pa dyshim një nga veprat më të bukura të arkitekturës industriale në Shqipëri. Afër saj është Vila e Mborjeve, me një hyrje qendrore para dhe dy volume anësore në formë L-je. Me elegancë janë intesektuar volumet prizmatike dhe cilindrike.

Më poshtë u ngrit Liceu tre katesh, me një arkitekturë të prerë bukur, të ndarë në dy korpuse, ai ballori prezantuesi dhe kryesori, funksionali që lidhen me një xhunto ndërmjetëse. Në xokol është përdorur guri i gdhendur grexo. Grupi i Spitalit që filloi me Spitalin Civil, (në fillim i ndërtuar si Shkolla Teknike), u vendos në Juglindje të qytetit. Më vonë iu shtuan edhe dy vila, tani Shtëpia e Fëmijës, ku dominon veshja me kotanova. Banka Kombëtare u vendos në një pozicion kyç, ajo shënon hyrjen ose daljen në Korçë dhe njëkohësisht jep drejtimin për në Tiranë ose Kapshticë. Nëse Banka Kombëtare e Tiranës e Morpugnos, është një vepër e shquar e arkitekturës moderne Europiane e viteve 1930, godina e Bankës së Korçës është për mua, pa dyshim, rasti perfekt i identifikimit të një shartimi të suksesshëm të traditës vendase me modernitetin.

Bile në kofidencë, pa shumë analiza, (do të thoja më shumë me intuitë) do ta përcaktoja si një modernitet bizantin që vjen nga shekujt e kaluar e të shuar. Asnjë objekt tjetër italian i ndërtuar në Shqipëri, nuk e arrin këtë, në këtë masë. Theksimi i butë dhe mikpritës qendror, zhvillon dy krahë të fuqishëm guri si dy anije të ankoruara. Dy blloqe guri rozë anash hapjeve të dritareve, shënojnë me finesë mbrojtjen, detyrimin e vjetër, që kërkohej nga agresioni që mund të vijë nga jashtë. Fantazia dhe funksioni janë ngurtësuar në një vepër arkitekturë-skulpturë.

Banka e Korçës është institucioni i parë modern në qytet që shënoi për herë të parë transaksionet financiare të filluara nga bankierët voskopojarë. Dua të theksoj se mbas Kishës së Shën Gjergjit që u prish në vitin 1970, është objekti më i madh me gurë i ndërtuar në qytet. Bashkia e qytetit, ndërtuar në kohën e Mbretërisë, në vitet '30-të; tani Shtëpia e Kulturës, është prapë një nga objektet më të rëndësishme që shënoi një kthim drejt modernitetit të arkitekturës në qytet. Atë e vlerësoj për thyerjet volumore, kompozimin e ballkoneve, çatinë gjigante me pesë thyerje, detajet e goditura veçanërisht për portën kryesore të hyrjes e cila edhe sot ruan dallgëzimin e tridhjetë elementeve të punuar në dru të kurbëzuar. Para objektit u krijua vetiu një shesh i vogël nga tërheqja e objektit.

Nevoja për hapësira më të mëdha dhe lulishte publike, solli edhe krijimin e theksimeve me objekte skulpturore. Më të rëndësishmet në qytet u bënë Ushtari i Panjohur dhe "Themistokli Gërmenji" të Paskalit. Ato ishin të parat në Shqipëri dhe krijuan traditën e sheshit që ka në qendër një vepër arti. Godina e madhe e Rakove, ajo e Cekanëve dhe e Bopit, u projektuan dhe u vendosën simbas ligjeve të reja urbanistike, ato edhe krijuan sheshin kryesor të qytetit. Këto objekte sollën edhe një risi: kurbëzimin.

Kurbëzimi i volumit kryesor dhe i elementeve dekorative vinte për herë të parë në qytet, i cili dallohej për një ngurtësim të volumit bazal. Kështu Kurbëzimi u bë një element shprehës. Godina e Rakove solli edhe një risi tjetër urbane, kjo me kompleksin e madh të dyqaneve në katin përdhe: shenjoi përfundimisht shërbimin tregtar brenda qytetit i destinuar vetëm për banim.

Bashkia dhe Pallati i Rakove futën elemente të rinj që u përdorën deri në vitet shtatëdhjetë në shumë banesa private dhe pallate të socializmit. Dhe këto ishin elementet e kurbëzuar në dekorin e dritareve dhe forma e kurbëzuar e ballkoneve. Te Rakot dallohen edhe dy portat metalike të hyrjeve kryesore me një dizajn deko qe duhen ruajtur, sidomos në këtë periudhe që po kalojmë kur detajit i ka humbur rëndësia dhe vlera.

Kinema "Luks" ishte kinemaja e dytë në qytet mbas Majestic-ut. Kishte një sallë të vogël me ballkon por shumë të rehatshme. Kjo kinema u ndërtua në bulevardin e Shën Gjergjit dhe kishte tiparet dhe funksionin e kinemave të qyteteve të vogla, provinciale italiane. Fasada kryesore ishte zbukuruar me 6 pilastra me kapitele kompozite. Fasada ishte ndarë në pesë sipërfaqe vertikale ku dalloheshin 11 dritare dhe hyrja. Ajo sikur u bë për të shfaqur filmat italianë.

Mbas çlirimit u zhvilluan disa gjyqe, u dënuan njerëz me pushkatim e pastaj një natë i ra zjarri, u dogj. Por imazhi i saj si i filmave pa zë mbeti aty. Një grupim që duhet përmendur është edhe blloku i kazermave vendosur në rrugën drejt Ersekës. Ato i vlerësoj për ndërtimin masiv me gurë me mure të trashë dhe veçanërisht për kapriatet monolite prej beton armeje me hapësirë drite 14 m, që për herë të parë aplikoheshin në Korçë.

Ishin pra, gjithë këto objekte me projekte italiane rreth 25, që zunë vend shumë mirë në hapësirën e qytetit. Ato tani nuk dallohen dhe shkrihen fare mirë me siluetën e qytetit. Arkitektura për mua është nga gjithë artet ajo që ka ndihmuar më shumë në lidhjet dhe përmirësimin e raporteve njerëzore midis popujve. Ajo sjell mënyra të panjohura jetese, zgjidhje që janë dashur mijëvjeçarë për t'i gjetur dhe përmirësuar. Edhe mënyra se si territori pritës i pranon dhe i asimilon tregon për gatishmërinë dhe kërkimin akoma të pagjetur. Korça diti ta pranoje dhe ta bëjë të vetën këtë koncept bashkëkohor që solli arkitektura italiane.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama