Konkursi në degën e arkitekturës që do të zhvillohet në fillim të shtatorit do të jetë i fundit për pranimet e reja në këtë degë. Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës Jorgaq Kacani deklaron se nuk do të ketë më konkurse. Edhe këtë për këtë vit Senati vendosi të mos e zhvillonte, por kërkesa pranë ministrisë së Arsimit mbërriti me vonesë, çka solli zhvillimin e tij edhe për këtë vit akademik. Këtë vit risi është se është reduktuar si kohëzgjatja tre ditore e konkursit, po ashtu edhe orari gjatë zhvillimit të testit. “Konkursi nuk do të zhvillohet në tre ditë, por në dy. Ditën e parë do të bëhet në sallë të mbyllur ku do të bëhet vizatimi teknik dhe gjeometri deskriptive dhe nga ana tjetër do të bëhet kompozimi arkitektonik. Të dyja këto rubrika do të kenë 40 pikë. Nëse deri dje janë zhvilluar në 8 orë, sivjet do të zhvillohen në 4 orë në sallë.
Dita e dytë do të jetë një vizatim në natyrë dhe aty do të bëhet vlerësimi me 20 pikë”,- tha Kaçani. Konkursi i arkitekturës ka rreth 60 për qind të pikëve, ndërkohë që rezultatet e maturës 40%. Në rast se një i ri, nuk e kalon me sukses atë, pavarësisht maturës ai nuk fiton të drejtën e studimit. “Jo të gjithë kandidatët që futen në konkurs dalin fitues për të ndjekur arkitekturën apo urbanistikën pasi pikët e tyre nuk janë të mjaftueshme. Kuotat janë të tilla që bëjnë edhe renditjen. Njëkohësisht vendoset edhe një nivel deri ku do të shkojnë pikët që do të pranohen pikët për të ndjekur fakultetin e arkitekturës”,- tha Kaçani. Kaçani shprehet se me heqjen e konkurseve të arkitekturës është menduar edhe një strukturë e re për selektimin e të rinjve në këtë degë gjatë vitit të parë. Ata në fund të vitit do të zhvillojnë testin, në rast se atë nuk do ta kalojnë, do të mund të transferohen në një degë tjetër, por humbasin të drejtën që të vazhdojnë degën e arkitekturës.
Arkitektura dhe Urbanistika, 245 kuota të miratuara
Pak ditë më parë janë miratuar në Këshillin e Ministrave edhe kuotat e mundshme për kandidatët që do të pranohen gjatë vitit të ri akademik 2013-2014, në auditorët e universiteteve publike të vendit. Duke u ndalur konkretisht tek propozimet e bëra për Arkitekturën janë miratuar 100 kuota pranimi, çka do të thotë se kaq do të jetë edhe numri i kandidatëve që do të mund të fitojnë të drejtën për të ndjekur këtë degë. Ndërsa në profilin e Urbanistikës pranimet do të jenë më të larta. Konkretisht në këtë degë janë aprovuar plot 145 kuota pranimi. Referuar rregullores së re, drejtuesit e fakultetit kanë theksuar se përzgjedhja e kandidatëve që do të pranohen në këto degë do të bëhet sipas sistemit meritë- preferencë. Në këto kushte duke qenë se numri i kuotave për kandidatët që do të pranohen në këto dy degë është i kufizuar, përballë fluksit të kërkesave, burime pranë fakultetit bëjnë me dije se përzgjedhja e fituesve do të bëhet sipas rezultateve të Maturës Shtetërore, e rezultateve të arritura nga kandidatët në disa lëndë të caktuara. Detajet e plota, se si merite-preferenca e maturës do të shërbejë për seleksionimin e fituesve që do të pranohen në këto degë, do të bëhen publike gjatë ditëve të ardhshme. Kohë në të cilën do të shpallet e plotë edhe procedura se si do të konkurrohet për të vijuar studimet e larta në të gjitha universitetet publike të vendit.