Në vitin 1913, në Radeboil në afërsi të Dresdenit, u themelua shtypshkronja Karl May. Pas vdekjes së themeluesit të saj G. Schmidt, tre djemtë e tij arritën t’i shpëtonin manuskriptet dhe letrat e Karl Mait prej luftrave dhe ardhjes së rusëve dhe i çuan ato në Bamberg, ku ruhen edhe sot.
“Kemi një radhë dorëshkrimesh origjinale nga veprat e tij, p.sh. vëllimin IV të Vinetusë, apo libra të tjerë. Më të ruajtura janë manuskriptet e veprave të fundit të Karl Mait, si p.sh.: Ardistan dhe Xhinistan apo në Perandorinë e Luanit të Argjendtë III dhe IV.“ – tregon Lotar Shmid, djali më i madh dhe shefi i shtëpisë botuese Karl May.
Përveç tyre në fondin muzeal gjenden edhe shumë letra, shënime e madje edhe partitura me nota, sepse Karl Mai përveçse shkruante edhe kompozonte.
Angazhim privat i shefit të shtëpisë botuese Karl May
Në fillim të viteve 90të dy vëllezërit e Lotarit i shitën aksionet e tyre të shtypshkronjës. Lotar Shmidi u përpoq që trashëgimia e Karl Mait të mos binte në duar të huaja dhe për këtë jo vetëm vuri në dispozicion gjithë pasurinë e tij, por mori edhe një kredi prej një milionë eurosh.
Sipas Lotar Shmidit, shefit të shtëpisë botuese Karl May, shitja e manuskripteve dhe e objekteve të tjera që kanë mbetur nga autori i mirënjohur gjerman do të ishte humbje e madhe për kulturën gjermane.
79-vjeçari ndjen se tani i ka ardhur mosha për të dalë në pension dhe dëshiron të lirohet prej borxheve duke ia shitur trashëgiminë e Karl Mait landit të Saksonisë. Çmimi prej 15 milionë eurosh, që kërkon ai, është sa gjysma e vlerës efektive të kësaj trashëgimie. E ashtuquajtura vlerë efektive përllogaritet sipas vlerës që janë shitur dorëshkrimet e autorëve të tjerë, p.sh. Franc Kafka.
Nuk mund të barazohet Mai me Kafkën
Sipas prof. Volker Wahl, drejtor i Arkivit shtetëror të Tyringenit, krahasime të tilla janë absurde. “Këto gjëra nuk mund të krahasohen! Karl Mai dhe Franc Kafka janë shkrimtarë të ndryshëm sa u përket cilësisë letrare. Në rast se unë do të krahasoja një manuskript të Vinetusë me atë të Procesit të Kafkës, atëhere do të lindte pyetja, nëse do ta krahasoja atë edhe me manuskriptin e Faustit që ruhet në arkivin e Shilerit dhe të Gëtes.“
Sipas Volker Wahl manuskriptet e Karl Mait vlejnë e shumta një milionë euro. Për këtë vlerësim ai bazohet në një ekspertizë të qeverisë së landit të Saksonisë, sipas së cilës çmimi i pretenduar prej 15 milionë eurosh bazohet në vlerën që mund të ofrohej në ankande.
Ministria e Kulturës e landit të Saksonisë nuk sheh asnjë mundësi për të paguar 15 milionë euro për arkivin e Karl Mait. Momentalisht po vazhdojnë tratativat për të gjetur një mesatare, por në rast se dështojnë ato, Lotar Shmidi thotë se do t’i shesë këto unikate nëpër ankande.
Një gjë e tillë gjithësesi duket thuajse e pamundur, sepse Ministria e Kulturës ka nxjerrë një listë, në të cilën manuskriptet e Karl Mait janë cilësuar si pasuri kulturore kombëtare, që sipas ligjit nuk mund të nxirret në ankand jashtë Gjermanisë.Për këtë pretendimi i Lotar Shmidit për shumën 15 milionë euro mund të mbetet i paplotësuar, ndërkohë që ndoshta plotësohet dëshira e tij që arkivi të mos shpërbëhet duke u shpërndarë nëpër vende të ndryshme.
Christian Werner (DW)