Armando Likaj rekord prej baritoni

Armando Likaj, rekord prej baritoni

Një nga emrat e spikatur të skenës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, baritoni Armando Likaj, numëron 40 role në tetë vite karrierë, duke arritur një rekord në moshën 31-vjeçare. Ai rrëfen punën intensive të një viti, ku ka qenë i pranishëm thuajse në të gjitha shfaqjet dhe zbulon ambiciet për vitin e ardhshëm, ku në plan të parë janë audicionet për skenat botërore

Zëri i njeriut është instrumenti më i bukur nga të gjithë, por edhe më i vështiri për t’u mjeshtëruar… Kjo shprehje e kompozitorit të famshëm gjerman Richard Shtraus, të vjen nëpër mend kur dëgjon potencën e baritonit me lojën interpretuese të Don Alfonsos, filozofit të vjetër italian m teoritë e tij mbi gratë, në Operën gazmore “Cosi fan tutte” nga Moxart…

Ishte shfaqja e fundit operistike për këtë vit, të cilin baritoni Armando Likaj e quan sa të lodhshëm aq edhe shpërblyes.

“Bashkë me simfoninë dhe operën “La boheme” i numëroj plot 40 role në karrierën time 8 –vjeçare” – rrëfen baritoni, i cili ka arritur një rekord për moshën dhe vitet që ka mbi skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Nga pjesëmarrjet e vogla në korin e këtij teatri, kur ishte student rishtar, te ftesat e panumërta që merr nga kompozitorë e regjisorë për role të rëndësishëm. “Kam interpretuar thuajse te të gjitha shfaqjet që janë vënë në skenë”- tregon ai, duke shtuar se vokali i tij po kalon atë fazë ku lehtësisht mund të përshtatet në role të rënda, por edhe rinorë, nga dramatiket te komiket dhe t’i përsosë me lojën e tij aktoreske dhe potencën e vokalit.

Në nëntor ishte piktori i shpenguar bohemian, Marcelo në operën “La Boheme”. E po ato ditë interpretoi edhe në premierën botërore të simfonisë për orkestër, kor e bariton të kompozitorit David Tukiçi “ Shfaqu Zot”

“ Ishte ngarkesë e jashtëzakonshme. Më duhej të isha në të njëjtën kohë tek të dy provat. Nga njëra anë ishte David Tukiçi që më thoshte të kujdesesha për veten, që të mos sëmuresha deri në premierë, nga ana tjetër nuk gjendej dot një bariton që të më dublonte në rolin e Marcelo-s në “La Boheme”. Por ia doli t’i menaxhonte me sukses. Më datë 20 nëntor ishte Marcelo në premierën e operës e cila erdhi në skenën shqiptare pas 11 vitesh dhe më 21 nëntor, ishte zëri i fuqishëm që sillte lutjen e martirëve ndaj Zotit, një pjesë e frymëzuar nga At’ Zef Pllumi dhe rrëfimet e tij të gjalla në librin “Rrno për me tregue”…

“Më 19 dhjetor do të jem në një koncert në Pallatin e Kongreseve me rastin e festave të fundvitit, nën dirigjimin e Suzana Turkut. Do të ketë repertor operistik nga muzika shqiptare dhe ajo e huaj”, – vijon duke zbuluar se me këtë koncert i jep fund kështu një viti të ngjeshur.

Kur e pyet sekretin e suksesit dhe motivin pse është më i kërkuari këto kohë në Teatrin e Operës dhe Baletit, me modesti përgjigjet se ndoshta është shkak belcanto-ja italiane, së cilës i referohet dhe e respekton ndërsa këndon. “Është e rëndësishëm artikulimi, Të kuptohesh se çfarë këndon. Kur i thashë kompozitorit Tukiçi përse nuk gjente dikë tjetër për simfoninë- kjo për shkak të përplasjes së shfaqjeve në kalendar- më tha se donte një si unë, që i kuptoheshin qartë çka këndohej. Dhe vargjet ishin të fuqishme vërtet”, – vijon baritoni, i cili edhe pse gjendet sërish pranë mjediseve të Operës dhe Baletit, shtëpia e dytë tashmë për të, i ka hequr petkat e personazhit të cilin e interpretoi pak ditë më parë për publikun.

“Interpretimi zë një peshë të madhe. Nuk është e lehtë të hysh e të dalësh në petkat e personazheve. Të shkosh për një periudhë të shkurtër nga roli komik, te ai dramatik, nga një i ri te një burrë i moshuar…Apo të interpretosh një të verbër. E kam bërë me operën Turandot, në rolin e plakut Timur”. Ishte vetëm 28 vjeç ndërsa interpretonte këtë rol.

Kur e pyet nëse ka një rol të preferuar, nuk i duhet kohë për ta menduar dhe nuk të vjen me përgjigje klishe se nuk mundet t’i ndajë. “ Kryeroli im është Don Giovanni, në operan me të njëjtin emër të cilin regjisori austriak Christian Papke e vuri në skenë vitin e kaluar”.

Deri më tani ky është roli që e ka magjepsur, por e ardhmja premton shumë për këtë talent që është vetëm 31 vjeç dhe numëron 40 role në repertorin e tij muzikor.

Por për t’u maskuar në pamje dhe në vokal, për t’i hyrë personazhit në shpirt, nuk ka pasur kohën që do të dëshironte për shkak të kalendarit të ngjeshur.

“Por ia kam dalë”- thotë ai, i kënaqur që ka mundur të shprehë potencialin e tij artistik.

Këtë vit u shpall edhe si Interpretuesi më i mirë lirik, duke u vlerësuar me çmimin “Kult”.

“Një çmim që më erdhi pas tre vitesh nominim”- pohon, për të treguar se kur punon shumë shpërblimet vijnë vetë.

“Këtë u them edhe studentëve të mi në Akademinë e Shkodrës, të punojnë fort, të kenë ambicie. Të dinë çfarë duan dhe t’ia dalin për ta marrë!”.

Kujton se vetë e ka nisur me pak orë në korin e Teatrit të Operës dhe Baletit, ndërsa studionte në Akademi. Ishte çdo ditë aty, ndiqte gjithçka që vihej në skenë pa humbur as edhe një vepër.

Nga kori, erdhën rolet e vogla, pas tyre shumë shpejt do të bëhej një zë i spikatur në skenën operistike shqiptare.

Pasi u diplomua në Akademinë e Arteve, udhëtoi drejt Italisë për të ndjekur studimet Master, dy të tillë, në Periuga dhe Bari.

“Më ndryshoi krejt dimensionin e kantos. Ishte eksperiencë e vyer”- rrëfen ai, ndërsa sjell në kujtesë konkursin “Rossini Opera Festival”, një nga më prestigjiozët e muzikës operistike në shtetin fqinj, konkurs të cilin Likaj e fitoi. Fitoi gjithashtu edhe një rol në shfaqjen e Joachino Rossini-t.

“Viti 2009 ishte edhe viti i ndryshimeve të mëdha”- vijon Armando, ndërsa thotë se ishte viti kur vendosi të kthehej sërish në Tiranë, me ambicien për të fituar një vend fiks në Teatrin e Operës dhe Baletit.

“TKOB mbetet kulti i madh i të gjithë studentëve të kantos. Të gjithë do donin ta preknin dhe të interpretonin mbi skenën e tij Unë jam nacionalist si natyrë, e dua vendin tim, do doja të ndieja emocionet këtu, të duartrokitesha nga publiku im.”

Megjithatë nuk e fsheh ambicien për të prekur skenat e teatrove të madhe botërore.

Vitin që vjen i ka vënë vetes synim të marrë pjesë në audicione jashtë vendit.

“Do doja të më dëgjohej zëri edhe në teatrot me emër të botës. Kam kënduar në skenat botërore, si për shembull viti i kaluar në Spanjë, me “Berberi i Seviljes”. Ishte shumë emocionues. Por

do doja të këndoja në “La Scala”, apo “Metropolitan Opera”, ku këndon një prej të preferuarve të mi, bas baritoni Samuel Ramey”.

I ka shërbyer puna me regjisorë të huaj nga gjermania, Franca, Italia apo edhe ShBA me të cilët ka bashkëpunuar në Tiranë për t ë njohur kulturat e ndryshme të punës dhe diferencat e shkollave të kantos, duke ia bërë më pak të huaj ambientin që mund të hasë gjatë audicioneve. Ndërsa flet, duket se ka bërë një kthim pas të kokës, në Shkodrën e tij të dashur, sjell ndërmend sesi lindi muzika brenda tij, apo ai lindi brenda muzikës. “Kam mësuar ta mbaj ritmin që kur përkundesha”, – thotë ai, ndërsa zbulon se të dy prindërit e tij nuk kanë qenë muzikantë, megjithëse e dashuronin muzikën si shumë shkodranë me traditë.

Por do ishte takimi me këngëtarin e madh lirik, Lukë Kacaj në vitin 1999. “Isha në një koncert me ansamblin e këngëve dhe valleve. Ai më kish dëgjuar dhe në fund m’u afrua dhe më tha: A e di që ke zë të fuqishëm, operistik? Duhet të merresha me opera. Atëkohë nuk e njohja fare operan, por të të vinin këto komplimente nga një emër i madh si ai, ishte nder. Pas dy takimesh dhe disa vokalicash që bëra ai këmbënguli duke më thënë se duhet të merresha me opera. Aty nisa edhe të interesohesha për gjininë më të madhe të artit”- tregon Armando, ndërsa pjesa tjetër e historisë së tij dihet. Vendosi të ndjekë Akademinë e Arteve, i ndihmuar nga pedagogu Burhan Spahiu që e bëri ta fitonte konkursin me vetëm 2 javë përgatitje.

Që prej asokohe kanë kaluar jo shumë vite, ndërsa Armando Likaj është tashmë bariton i formuar, një emër premtues i kantos lirike në Shqipëri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama