Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Sadiku, nuk ka arritur t'i gëzohet siç duhet golit të tij të 5-të me fanellën kuqezi, të tretin radhazi në po aq ndeshje të luajtura. Futbollisti mendon se për humbjen 1-3 përballë Ukrainës ka gisht edhe fati, pasi Shqipëria meritonte më shumë.
"Kemi luajtur mirë sot, nuk e meritonim këtë rezultat, duhej të barazonim 2-2. Fati nuk ishte me ne, te krosi i Lenjanit që goditi shtyllën. Na vjen keq por duhet të dalim me kokën lart, të gjithë kemi dhënë maksimumin. Duhet të mendojmë pozitivisht se edhe pak ditë na pret Franca dhe duhet të jemi gati", tha ai pas ndeshjes për "SuperSport".
Sadiku po shënon me rregullsi dhe tashmë po projektohet si një titullar në radhët e kombëtares gjatë Europianit. Por vetë sulmuesi është gati të pranojë çdo vendim të trajnerit, edhe nëse ulet në stol. "Unë jam profesionist. Unë nuk shikoj a luaj apo jo, stërvitem si në klub, si në kombëtare. Falënderoj trajnerin, stafin që më dhanë besimin. Kam luajtur dhe kam bërë maksimumin. Por pranoj vendimin e trajnerit, si të më lërë në pankinë, si në fushë, si 5 minuta. Kur të ketë nevojë, do të jem gati për të dhënë maksimumin", shtoi ai.
"Nuk festohet kur nuk e ndihmon ekipin për një rezultat pozitiv, gëzohemi dhe hidhërohemi bashkë", deklaroi Sadiku i cili konfirmoi se gjatë vitit kishte punuar me trajner personal si për përgatitjen fizike, ashtu edhe atë psikologjike. "Mendoj se trajneri psikologjik është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër", theksoi sulmuesi.