Armata e te papuneve nga qyteti ne fshat

Armata e te papuneve, nga qyteti ne fshat
Turma e të papunëve në Shqipëri mbetet e pandryshuar, të paktën në tre vitet e fundit, edhe pse nga Zyrat e Punësimit thonë se çdo vit iu gjejnë punë rreth 15 mijë vetëve. Po sa është realisht numri i të papunëve në vend? Janë 1 milion sa ç’thotë opozita, apo 143 mijë që regjistron shteti?

Sa janë të papunët në Shqipëri? A është kjo një turmë në rritje, apo në zbritje? Për t’i lënë mënjanë debatet, me shumë gjasa, një gjë është e sigurt, është një turmë në amulli. Qofshin 1 milion, sa ç’thotë opozita, më shuam apo më pak. Ajo që është e sigurt, është që, edhe ai numër që deklarohet e shpallet me shifra zyrtare, ka tre vjet që mbetet i pandryshuar. Me gjithë programet, stimulimet, premtimet, investimet e lehtësimet që proklamohen se bëhen për të rritur tregun e punës, të papunët janë aty. Nëmos në rritje, edhe në zbritje nuk është numri i tyre. Nëmos 1 milionë të papunët e opozitës, ata 142.950 që deklarohen. Sigurisht, diferenca midis dy shifrave është e madhe. E argumentuar sipas rastit, ajo rëndon, padashur, në kurriz të fshatarëve. Janë këta 570 mijë fshatarë që patën riskun të kenë, për frymë, një copë tokë. Janë ata dhe 7501 që i s’kualifikon nga e drejta për të hyrë në turmë. Megjithëse, duan s’duan, janë brenda saj, madje në ballë të turmës, duke qenë se përbëjnë shumicën.

Nëse do të pranohej se kemi 1 milionë të papunë, nga 2.160.000 forcë aktive në moshë pune, atëherë rezultati do të ishte vërtet i frikshëm. Të dhënat e dala nga institucionet përkatëse flasin po ashtu edhe për 1 milion të punësuar, dhe në këtë kategori fusin edhe të gjithë fshatarët që janë në moshë pune (duke qenë se këta kanë tokë dhe kjo i bën automatikisht të punësuar). Kategori kjo, që pala tjetër e klasifikon jo të gjithën si të tillë.

Gjithsesi, edhe po të lëmë pas diskutimin e madh të fshatarëve me tokë e pa punë, përballë shifrave (atyre zyrtare) nuk mbeten pa u ngritur edhe shumë pyetje të tjera. Përse numri i të papunëve të regjistruar në zyrat e punës pothuajse nuk ka ndryshuar në tre vite rresht? Përse, me gjithë aplikimin e tyre dhe vendet e lira të punës që ofrojnë këto zyra, në bilancin fundvitit, përsëri, një pjesë e mirë e këtyre vendeve mbeten të paplotësuara? Kemi një papunësi fikse, apo kemi shumë dembelë? E nëse është kështu, atëherë si s’përtojnë që shkojnë e regjistrohen në lista pritëse për punë?
 
Gurë-gurë bëhet kalaja - e të papunëve

Shifrat zyrtare të tregut të punës të dala nga 36 rajonale të Zyrat e Punës tregojnë se për vitin 2009 në të gjithë vendin, numri i të papunëve të regjistruar në këto zyra ishte 144.766. Në vitin 2010 u vu re një ulje e vogël. Numri i të papunëve të regjistruar ishte 142.761 dhe në vitin e kaluar 2011, kjo shifër pothuajse nuk ndryshoi – 142.950, edhe pse çdo vit ndërmjetësime janë bërë.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Thoma Miço, kjo statikë e shifrës së të papunëve të regjistruar, mund të argumentohet edhe si normale, nëse do të zbresësh në faktorët që e mbajnë të tillë, pra të pandryshuar. “Procesi i punësimit dhe i papunësisë janë në një dinamikë të vazhdueshme hyrje-daljesh. Pra, në qoftë se në treg futen 15-20 mijë, po kaq edhe dalin. Dalin duke u prishur një kontratë pune, duke u mbyllur ndërmarrja, kur konkurrenca i lë jashtë, se tregu i përjashton për arsye moshe, etj”, shpjegon Miço. Sipas tij, nuk mund të pranohet që papunësia është në shifra alarmante dhe se nuk duhet ngatërruar zyra e punës me një zyrë që është e detyruar të të gjejë punë. “Duhet të vendoset ekuilibri i drejtë midis përgjegjësisë kolektive dhe asaj individuale. Të mos prodhojmë njerëz në shkolla, ose në çdo institucion tjetër, të cilët kanë një pretendim absurd, që neve na detyrohet shteti të na punësojë dhe ndërkaq as nuk janë fare aktivë.”.
 
Edhe kur puna “tepron”, (4500 vende të lira pune)
Gjatë vitit të fundit, nga zyrat rajonale të punësimit në të gjithë vendin, llogaritet një total oferte për vende të lira pune të shpallura, prej 16.074, nga të cilat, vetëm 11.555 u ndërmjetësuan dhe u zunë. Ndërkohë që rreth 4500 mbetën vakante, nuk u zunë, megjithëse numri i të regjistruarve si të papunë ishte jo i vogël. Të jenë me pretendime të papunët shqiptarë?! Po edhe ndoshta...
 
Refuzimi

Sipas Drejtorit të Sh.K.P, Miço, shpjegimi i parë ka të bëjë me hendekun kohor. “Kur flasim për shembull për vitin 2011, nuk është se të gjitha krijohen në Janar, apo në nëntor. Kështu është e pamundur që brenda një muaji ne të gjejmë një person që është i duhuri dhe i gatshëm për t’iu bashkëngjitur kësaj oferte, ndaj vendi ‘digjet’”. Një arsye e dytë, sipas tij, i takon refuzimit. “Një kategori jo e vogël e punëkërkuesve refuzojnë, për arsye se pretendojnë që diploma e tyre do t’ju japë një punë në shtet dhe nuk janë të hapur për të bërë edhe diçka tjetër.”. por nuk mungojnë edhe ata që refuzojnë me të drejtë. Si për shembull kur puna e ofruar është shumë larg vendbanimit dhe kjo paraqitet e vështirë dhe jo ekonomike.
 
Është koha e zanatçinjve

Sipas asaj që shpjegon Thoma Miço, tregu sot kërkon 42 për qind zanatçinj. Janë këta kategoria më e kërkuar në tregun e punës. Janë ata që i prodhojnë sot shkollat e mesme profesionale dhe patjetër qendrat e formimit profesional, të cilat janë në funksion të Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Llojet e zanateve më të kërkuara sot janë: elektroaut për automjete, hidraulik, instalues dhe riparues të rrjetit elektrik, instalues dhe riparues të sistemeve të ngrohje-ftohjes, instalim të paneleve diellore, kamerier, kujdestar fëmijësh, kuzhinier, punëtor duralumini, punonjës druri, riparues të pajisjeve eletroshtëpiake, etj. Ndërkaq, sektori i ndërtimit, sidomos tani, pas lidhjes së marrëveshjeve koncensionare me hidrocentralet e aksit të Devollit dhe të Vjosës, ka një tendencë në shtimin e ofertës për punë në këtë sektor.
 
Qytetet e papunësisë

Sipas asaj që mësuam në Drejtorinë Kombëtare të Punësimit, por edhe sipas shifrave që paraqesin tabelat për çdo qark e qytet, në nivel popullsie mund të cilësohet Shkodra dhe Kukësi. Pastaj vijnë edhe qendrat e mëdha të pjesës veriore dhe verilindore të vendit, ku papunësia arrin gati dyfishin mesatares. Pra, nëse mesatarja është 13 për qind e popullsisë, këto qytete e kanë edhe 20-22 për qind. “Në këto zona ne jemi fokusuar me disa programe pilotike që bëhen nga institucione donatorësh, me qëllim që të punësojmë sa më shumë nga kontingjenti “stok”, siç i quajmë ne ata që kanë më shumë se 6 muaj që rrinë në pritje”, tha për këtë Thoma Miço. 
 
Kush është stoku?

Nëse ke 6 muaj që pret të zësh një punë dhe ende s’e ke gjetur, në listën e pritjes konsiderohesh “stok”. Dhe nga stoku, zor se mund të dalësh kollaj... Edhe pse nga zyrat e punës thonë se ofertat nuk mungojnë as për këtë kategori. Por ama: “Nëse dikush qëndron 6 muaj dhe nuk arrin të ndërmjetësohet në një punë, kjo tregon jo që nuk ka punë për të, por ai nuk është i gatshëm për tregun. Nuk ka një ekspertizë, nuk ka një profesion, refuzon të formohet, ose nuk formohet dot se ka një moshë mbi 45 vjeçare”, përfundon argumentin drejtori Miço.
 
Fshatarët, të papunë dhe të përjashtuar

Me një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 1998, për evidentimin e të papunëve, u vendos që përfituesit e tokës bujqësore sipas ligjit 7501, të konsiderohen të vetëpunësuar. Kësisoj, nuk kishin të drejtë të quheshin të papunë. Në fund të fundit, mund të rrëmihnin tokën. Edhe ajo punë është... Por historia nuk mbaron me kaq. Pas 7501, shumë familje e lanë tokën e zbritën në qytet. Megjithëse mund të bëheshin ndonjë ditë qytetarë, ata gjithmonë do të mbeteshin ‘fshatarë me tokë’, ndaj, nuk kishin të drejtë të quheshin ‘të papunë’. Për këtë duhet një ligj i ri. Kështu thotë edhe Miço. “Zyrat e punës iu shërbejnë atyre për ndërmjetësime punësimi, apo edhe kurse aftësimi, por nuk kanë të drejtë t’iu lëshojnë një vërtetim papunësie. Gjithashtu, ata nuk regjistrohen dhe nuk konfigurohen në listat e të papunëve”. Sipas Z. Miço, pretendimi i opozitës që të papunët e fshatit, mbeten gjithsesi të papunë dhe i shtohen listës së të papunëve në vend, është jo i qartë. “Përpara se të bësh një vlerësim të tillë, i duhet bashkëlidhur një pakt, një marrëveshje për hartimin e një VKM-je e cila i konsideron dhe fshatarët e papunë, të papunë.”.
 
Klienti elektronik

Fushata masive e qeverisë për dixhitalizimin e vendit, nuk mund të bënte përjashtim edhe në zyrat e shërbimit të punësimit. Nuk dihet se kur fiks, por ama në një të ardhme të afërt, të gjithë ata që e konsiderojnë veten të papunë dhe kërkojnë një të tillë, mund ta bëjnë këtë online, duke plotësuar formularin e posaçëm për regjistrim. “Kjo e shndërron klientin tonë që vjen në zyrat tona si një klient fizik, në një klient elektronik. Ai do të pajiset me një kod dhe përmes tij do të futet në informacionin e nevojshëm”, shpjegon Thoma Miço.
 
Zyrat virtuale

Si efekt i saj, sigurisht që do ketë një fazë shkurtimi edhe të administratës së zyrave tona. Është e natyrshme që do ketë një tkurrje të personelit, sepse do ketë thjeshtime në procedurën e aplikimit apo të regjistrimit dhe të punëkërkimit. Por ama, duhet thënë se ky lloj shërbimi, pra online, iu jep mundësinë edhe punonjësve të zyrave të punës që këtë lloj shërbimi ta bëjnë edhe në shtëpi, nëpërmjet një laptopi. Pra krijohet, plus klientit elektronik, edhe zyra që nuk janë zyra fizike, por virtuale. Pra, meqë shteti mendon se jemi në kohën e dixhitalizimit, atëherë kjo do të ketë një çlirim nga kostoja. Aktualisht, në gjithë Shqipërinë, në rrjetin e zyrave të punësimit të Sh.K.P-së, janë të punësuar rreth 360 vetë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama