Armet e Heroit plotesohet kerkesa e 68-s

Armet e Heroit, plotesohet kerkesa e '68-s
Christian Fiornot dhe Sylvia Ferino bënë një vizitë në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Ata  panë kushtet teknike për ekspozimin e përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut. Pas vëzhgimit realizuan një takim me dyer të mbyllura me Ministrin e Kulturës Z. Aldo Bumçi, për të nënshkruar kontratën.

Në përfundimin e saj, deklaruan para mediave se ekspozimi i relikeve do të bëhet në katin e dytë të Pavijonit të Mesjetës në Muzeun Historik Kombëtar. Reliket e Heroit Kombëtar kthehen në Shqipëri për t’u ekspozuar në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, vetëm për tre muaj. Muaj i parë nuk është përcaktuar ende nëse do të jetë, tetori apo nëntori. Në sallën e Muzeut Historik, tek Pavijoni i Mesjetës, ndodhet dhe një shtatore e Skënderbeut, afresku, imitacione armësh, botime origjinale në disa gjuhë, prandaj është parë e arsyeshme që dhe përkrenarja me shpatën të vendosen aty.

“Në muze ka pak lagështirë dhe kjo është e rëndësishme për të mos lejuar korrozionin e hekurit. Prandaj nuk shoh asnjë problem për të mos i ekspozuar”, është shprehur kreu i delegacionit Christian Fiornot. Ndërsa për çështje sigurie, reliket do të lëvizin së bashku me vitrinën në të cilën janë në Austri. “Ne jemi optimistë për kushtet dhe pse nuk ka ajër të kondicionuar, por nëse i sjellim së bashku me vitrinën ku shpatat dhe përkrenarja ruhen tani, nuk besoj të ketë asnjë problem”- shprehet zonja Ferino. “Qeveritë kanë rënë dakord për realizimin e marrëveshjes kundrejt një pagese të caktuar, por shuma nuk është bëtë e ditur”, thotë drejtori i Muzeut Historik Luan Malltezi.

Gjithmonë është folur për ardhjen e armaturës së Skënderbeut. Si në shumicën e rasteve është folur për këtë hero që nga gjurma e shenjë në shkëmb e kalit e tij, deri tek yshtja nga eshtrat e tij, siç thuhet në legjenda, ashtu edhe për kthimin e kësaj armature është folur, njëlloj si për ringjalljen e heroit. Por këto përpjekje për një shkak, apo për një tjetër gjithnjë kanë dështuar. Njoftimet për armët e Skënderbeut i kemi në dy rrugë: nga burime të shkruara dhe vetë armët që kanë arritur në ditët tona. Nga burime të shkruara flitet vetëm për shpatat.

Dh.Frëngu thotë se shpata e Skënderbeut ishte një pallë e harkuar, me tehe shumë të hollë dhe damaskinë me shumë hijeshi, e cila për cilindo dukej e rëndë kurse për të ishte e lehtë. “Nga jeta e Skënderbeut brenda në shtëpi, kemi pak rrëfime sipas Dh.Frëngut. Ai hante shumë pak dhe i mjaftonin pesë orë gjumë. E duronte vapën dhe acarin. Flinte përdhe mbi qilim. Shton se flinte i veshur me armët dhe ato nuk i hiqte nga brezi, as kur flinte-sigurisht e ka fjalën për ditët e luftimeve. Duronte çdo lloj vuajtje fizike. Dikur mbante dy shpata të cilat i vendoste në një mill. Pastaj ai shton se njëherë pruri nga Italia një mjeshtër të shkëlqyer, i cili i bëri tri palla shumë të mira. Njërën prej tyre, e cila mund të priste hekurin ia dërgoi dhuratë Sulltanit.

Dimë më në fund se në pritjen zyrtare që Papa Pali II i bëri Skënderbeut natën e Krishtlindjes së vitit 1466, ai i dhuroi Heroit, një shpatë dhe një kësulë. Përkundrazi nga pajimet personale që kanë arritur në ditët tona ne kemi katër objekte-dy shpata, një përkrenare dhe një libër uratash. Përkrenarja dhe dy shpatat tani ndodhen në Muzeun e Historisë së Artit në Vjenë, kurse Libri i Uratave ndodhet në fondet e Shtëpisë Botuese “Shelley House”, në Chelsea, Londër. Përkrenarja dhe shpatat kanë fillimisht një histori të errët.
 
Pas vdekjes së Skënderbeut ato i morën me vete, e shoqja Donika dhe i biri Gjoni, kur mërguan në Itali. Se kush i pati pas vdekjes së tyre nuk dihet. Ato shfaqen në burimet dokumentare në dhjetëvjeçarin e fundit të shek.XVI. Në vitin 1590 përkrenarja dhe dy shpatat nuk ndodheshin në një dorë të vetme. Përkrenaren dhe njërën shpatë e kishte në zotërim konti Ëolfang i Sturbenbengut. Shpata tjetër ndodhej në Muzeun e Armëve, të arkidukës Karl i Stirisë, bir i perandorit të Gjermanisë në Gratz. Ai që bashkoi ato ishte biri tjetër i perandorit gjerman, arkiduka Ferdinand i Tirolit, i cili i shtiu ato në dorë (me blerje) në gjysmën e dytë të vitit 1500…Por pas Luftës së Dytë Botërore, dyshimet u davaritën.

Ndërsa nga viti 1888 ruhen në Muzeun e Vjenës, aty ruhen dhe vepra të tjera arti si, rreth 13 koleksione të mëdha në pikturë, antikitet, artefakte, monedha, kostume, karroca, armatime etj. Dilema për rikthimin e relikeve të Skënderbeut në Tiranë ka ekzistuar prej kohësh. Një nga këto biseda është zhvilluar në vitin 1968, kur palët austro-shqiptare kanë qenë thuaj në pragun e një akt shitblerje të “mbetjeve” midis partiturave 120 vjeçare të kompozitorit Franz Lizt, që ruhen në arkivat tona, të realizohej ardhja e armëve në Shqipëri me objektet origjinale të heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit, të ekspozuara në muzeun nacional të Vjenës. Por Muzeu i Vjenës nuk ra dakord. Sipas Konventës së UNESCO-s, objektet me vlerë i takojnë vendit që i posedon ato.

Por ajo që u kërkua nga shtetit shqiptar në vitet ’70, këmbimi i armëve, objekteve luftarake, pollonike të Heroit Kombëtar me partiturën e rrallë të kompozitorit austriak dhe disa letrave, nuk ndodhi as pas 30 vjetësh. Përsëri në vitin 2003 Ambasada austriake dhe Arkivat e Shtetit kanë rënë dakord për ekspozimin e armëve të Heroit Kombëtar në Tiranë. Ato do të vinin nga Muzeu Kombëtar i Vjenës në rrethana të sigurisë së lartë dhe mund të qëndrojnë këtu për gjashtë muaj. Falë partiturës 120 vjeçare të kompozitorit Lizt, që ruhet në arkivat tona, do të realizohet ardhja e armëve. Pas gjithë këtyre përpjekjeve sot pas dhjetë vjetësh të gjithë shqiptarët mund ti shikojnë nga afër në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës këto objekte për të cilat është folur për një kohë të gjatë.

Armët e Skënderbeut

Janë të vetmet objekte origjinale të Heroit tonë Kombëtar që ruhen deri më sot, në Austri, në Muzeun e Vjenës. Historia e tyre lidhet me jehonën e emrit dhe famës së Skënderbeut në Europë, në atë kohë e më pas. Në vitin 1567, djali i dytë i Perandorit të Austrisë Ferdinandi, rindërtoi kështjellën “Ambrar” në kryeqytetin e Tirolit, Insbruk dhe u mor me mbledhjen e objekteve artistike me vlerë dhe relikeve. Sekretari i tij Shrenke mblodhi kryesisht armë dhe i ruajti në kështjellën “Ambrar”.

Në vitin 1806 kështjella u ble nga perandori i Austrisë dhe armët iu lanë atij. Në vitin 1806 reliket u mbartën në Vjenë dhe në vitin 1888 u kaluan në ndërtesën e re të Muzeumit të Vjenës, ku ndodhen dhe sot. Armët e Skënderbeut i janë dorëzuar Ferdinandit ndërmjet viteve 1588-1593 me anën e Dukës së Urbinos dhe atij të Areskotit. Në inventarin e vitit 1596 në Shrenker, me numër 71 është shënuar përkrenarja dhe me numër 92 dhe 345, dy shpatat. Në veprën e Shrenker të botuar në vitin 1601, paraqitet dhe një gravurë e Skënderbeut në pozicion në këmbë, duke mbajtur në dorën e djathtë shpatën (nr 345) dhe pranë këmbëve përkrenaren.

Armët e vizatuara të gravurës ngjasojnë me ato origjinale të Muzeut të Vjenës. Përkrenarja peshon 3 kg dhe mendohet që Sënderbeut ta ketë përdorur në raste ceremoniale. Shpata e parë ka formë të drejtë e me mprehje në të dy anët. Gjatësia e pjesës së mprehur është 88.5 cm, gjerësia 5.7 cm dhe peshon 1.3 kg, ndërsa bashkë me këllëfin 1.9 kg. Shpata e dytë është e përkulur në formë harku. Gjatësia e saj është 121 cm dhe peshon 3.2 kg.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama