Armet e Skenderbeut nen masa te rrepta sigurie

Armet e Skenderbeut, nen masa te rrepta sigurie
Mbërrijnë në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë nën masa të larta sigurie, reliket e Skënderbeut, të cilat do të ekspozohen për shqiptarët më 22 nëntor. Pas “Mesharit” të Gjon Buzukut (1555) nga Vatikani, në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut kanë mbërritur nga Austria, për t’u ekspozuar në Pavijonin e Mesjetës të Muzeut Historik Kombëtar. Paraditen e së hënës, objektet e Heroit tonë Kombëtar kanë mbërritur në Durrës, në rrugë detare, me një nga tragetet e linjës Bari-Durrës. Luan Malltezi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar tha se ardhja në Shqipëri e tyre është mundësuar falë një marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve, e cila u arrit në këtë vit jubilar, ndonëse kërkesa e shqiptarëve për të pasur objektet që i përkisnin Heroit tonë ka qenë e përsëritur, po herët e tjera pa sukses.

 Për sjelljen e shpatës dhe përkrenares në Shqipëri është akorduar një shumë prej 100 mijë dollarësh nga qeveria, ndërkohë që ekspozimi i tyre në muze do të bëhet në kushte të plota sigurie. “Është përcaktuar që ekspozita do të hapet në Sallën e Skënderbeut, pasi aty është vendi më i përshtatshëm. Objektet janë të mbyllura dhe janë të vendosura me kujdes nga vetë specialistët”, thotë Malltezi.

Pas mbërritjes në Muze, për 24 orë, përkrenarja dhe dy shpatat e Skënderbeut, si edhe gravura e përmasave të mëdha e kodeksit me të dhënat e jetës së Heroit tonë Kombëtar, do të qëndrojnë të ambalazhuara, siç edhe kanë mbërritur, pasi sipas specialistëve, objektet duhet të përshtaten me temperaturat e reja. Ekspozita me reliket e Skënderbeut do të qëndrojë e çelur në Muzeun Kombëtar për 45 ditë pas datës 22 nëntor dhe përpos kushteve të tjera të sigurisë, një kamera e posaçme është vendosur saktësisht në mjedisin, ku do të ekspozohen armët e përkrenarja e Skënderbeut. Reliket e Skënderbeut janë koleksionuar nga Muzeu i Vjenës prej vitit 1588.

Disa muaj më parë, një grup ekspertësh austriakë vizituan Muzeun Historik Kombëtar për t’u siguruar mbi kushtet e sigurisë dhe mirëmbajtjes së dy relikeve të rralla që janë pjesë e fondit të në Muzeut të Historisë së Artit në Vjenë.

Që në kohën e Ahmet Zogut e më pas janë bërë disa kërkesa për t’i pasur këto objekte të rëndësishme në vend, po gjithnjë është refuzuar nga pala austriake. Refuzimi më i fundit ka qenë ai që iu bë kërkesës në kuadër të 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut. Nga pajisjet personale të mbërritura deri në ditët tona janë katër objekte: dy shpata, një përkrenare dhe një Libër Uratash. Përkrenarja dhe dy shpatat që ndodhen në Muzeun e Historik të Vjenës, ndërsa Libri i Uratave, të cilin ia dhuroi heroit familja Di Capua e Napolit, ndodhet në fondet e shtëpisë botuese “Shelley House” në Londër. Armët e Heroit tonë pas vdekjes së tij përfunduan në Itali, atje ku emigroi dhe familja e Skënderbeut. Ato u kthyen në objekt me vlerë shitjeje dhe ndodhen të ekspozuara në Muzeun e Vjenës. Në këtë 100-vjetor, Austria hapi dyert dhe pranoi kërkesën e Shqipërisë.

Pranoi të japë hua për pak kohë reliket e Heroit tonë, të cilat do të kthehen sërish në muzeun austriak. Përkundrejt kërkesës së refuzuar të Krujës për rikthimin përfundimtar të objekteve të heroit, 12 vjet më parë, autoritetet shqiptare të dy dekadave të fundit tashmë janë pajtuar me faktin se ato i përkasin Austrisë, pasi Skënderbeu është hero europian dhe nuk i përket vetëm shqiptarëve. Armët, vërtet nuk e humbasin identitetin e tyre në duart e pronarit zyrtar, po me siguri që do të rifitonin një tjetër identitet në vendin, të cilit i përkasin realisht.

Në Muzeun e Vjenës:

Përkrenarja e Heroit, me peshë prej 3 kg
Një shpatë e harkuar, me peshë 3,2 kg dhe gjatësi 121 cm
Një tjetër shpatë, me peshë 1,3 kg dhe gjatësi 85,5 cm.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama