“Kjo është një çështje e cila i takon së pari qeverisë që po shprehet, së dyti padyshim parlamenti në çdo rast ka të drejtën dhe detyrimin që të shprehet pa asnjë diskutim. Njëkohësisht duhet vlerësuar dhe mirëkuptuar ndjeshmëria atdhetare dhe e grupeve të shoqërisë civile. Unë theksoj bindjen time se në çdo rast, çdo vendim do të merret në mënyrë transparente, që do të thotë gjithmonë Shqipëria ka treguar se është një vend që dëshiron të kontribuojë për paqen dhe sigurinë”.
Kjo ishte deklarata e bërë nga kryetari i kuvendit, Ilir Meta, në lidhje me çështjen e armëve kimie në të Sirisë. Këtë deklaratë Meta e ka bërë përgjatë një takimi me homologun e tij rumun, Valerius Stefan Zgonea.
Më tej Meta shtoi: “Shqipëria është një vend që ka përfituar jo pak nga paqja dhe siguria, për të cilën kanë kontribuuar dhe aleatët tanë. Por duke u mbështetur gjithmonë në ato mundësi që vendi ynë ka dhe që lejojnë marrjen e përgjegjësive . Pa asnjë diskutim gjithmonë në mënyrën më transparente dhe Kushtetuese.”
Objekt i bisedës me Zgonean, ishte mbështetja që Rumania i jep Shqipërisë për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Rumanisë. Zgonea përgëzoi gjithë shoqërinë shqiptare për transferimin e pushtetit që u bë në vjeshtë, me zgjedhje të lira, demokratike dhe korrekte.