Kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp ka folur në lidhje me armët kimike, ku tha se nuk ka vend për alarm, duke theksuar se ende nuk ka një vendim për këtë çështje. Ai ka shtuar, se i mirëkupton vajzat dhe djemtë që shprehin protestën e tyre ndaj kësaj çështje.
“Është absolutisht e qartë që për ne, për mua, për qeverinë me patjetër kontributi ynë dhe pozicionimi ynë krah SHBA-së është i lidhur me interesin e çdo shqiptari. Çka do të thotë se “PO-ja” jonë do të mund të lidhet vetëm me një plan dhe një marrëveshje, nga ku të jetë e qartë që Shqipëria do të dalë jo vetëm me kokën lart, por e fituar dhe më e pastër nga se ç’është sot. Nuk do të jepet përgjigje kurrë, pa patur garancitë e nevojshme për të siguruar integritetin e vendit, qoftë në aspektin jetik, mjedisor dhe në aspektin e të ardhmes”,- kështu u shpreh sot kryeministri, Edi Rama.
Ai tha se, me vendimet e marra nuk do të lejojë që të cenohet integritetit i vendit dhe kurrë nuk do të lejonte që të rrezikohej jeta e shqiptarëve. Ai shtoi se në lidhje me vendimin për armët kimike të Sirisë, do të ketë diskutim me Parlamentin dhe publikun për këtë çështje.