Zyrtarët amerikanë janë duke i qëndruar gjithnjë e më shumë mundësisë që Shqipëria do të pranojë armë kimike siriane për shkatërrim, pas vendimit të Norvegjisë javën e kaluar për refuzimin e kësaj detyre, thanë burime kryesore dhe ekspertëve të çështjes për “Global Security Newswire”. Disa vende të tjera, duke përfshirë Belgjikën, nuk kanë përjashtuar ende një rol në këtë përpjekje, thanë burimet. Kjo ndërmarrje ka gjasa të përfshijë përdorimin e makinerive speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të holluar ose djegur rreth 1000 tonë rezerva metrike të agjentit nervor sarin dhe gazit mustardë të Sirisë. Cili shtet ose cilat shtete mund të marrin një barrë të tillë politike dhe mjedisore.
“Është kryesisht në funksion të parave dhe gatishmërinë për të marrë pjesë”, - tha Paul Walker , drejtor i sigurisë së mjedisit dhe qëndrueshmërisë në Green Cross International, në një intervistë të martën. “Uashingtoni u ka kërkuar ‘shumicës, për mos thënë të gjithëve’, aleatëve të saj të Evropës Perëndimore që të marrin në konsideratë marrjen e armëve të ndaluara siriane, për eliminim”, - tha ai.
Bazuar në diskutimet e tij me zyrtarët e qeverisë amerikane gjatë javës së kaluar, Walker tha se Shqipëria, Belgjika dhe Franca duket të jenë ‘opsionet më të gjalla’. Në intervistat me ‘Global Security Newswire’, ekspertë dhe zyrtarë të tjerë të çarmatimit përmendën kombinime të ndryshme të vendeve në konsideratë, disa kanë shtuar Suedinë dhe Danimarkën si mundësi të pritshme, por Shqipëria dhe Belgjika u shfaqën në mënyrë të përsëritur si kandidatët më të mundshëm.
Nga vendet që kanë ende një rol të mundshëm, është thënë se Shqipëria është më e prirura për të pranuar një pjesë ose të gjithë arsenalin e kimik të Sirisë. Një burim i OKBsë tha se vendit të Evropës Juglindore mund t’i jetë ofruar fillimisht nga qeveria ruse, marrja pjesë në këtë projekt. “Shqipëria më është përshkruar mua, si entuziaste” për të luajtur një rol në procesin e ardhshëm”, - tha Charles Duelfer , i cili shërbeu në vitet 1990 si zëvendëskryetar i UNSCOM.
“Mund të jetë diçka e lehtë që ngre staturën e tyre”. Qeveria në Tiranë mund ta shohë si kohë të volitshme, aplikimi i shtetit ballkanik për anëtarësimin në Bashkimin Evropian ka qenë në pritje që nga viti 2009,vit kur ajo u bë anëtare e NATO-s. “Ata me sa duket do të sigurojnë para nga ajo”, - tha Richard Butler, i cili dikur ka shërbyer si kryetar ekzekutiv i Komisionit Special të OKB-së mbi çarmatosjen e armëve të shkatërrimit në masë të Irakut dhe arsenalit të raketave. “Dhe kjo do t’i shfaqë ata si qytetarë të mirë ndërkombëtarë”.
Por, mes kandidatëve mikpritës, Shqipëria gjithashtu mund të paraqesë sfidat më të mëdha logjistike dhe të sigurisë. Tirana është perceptuar gjerësisht për një sektor publik relativisht të korruptuar, duke shtuar mundësisht rrezikun e devijimit të disa prej kimikateve siriane në tregun e zi ose për ekstremistët, thanë disa ekspertë. Një profil i CIA-s e përshkruan Shqipërinë si një burim të trafikimit seksual, punës së detyruar dhe pastrimit të parave, dhe thuhet se është në rritje tranziti i paligjshëm i drogës. Ambasada shqiptare në Washington nuk ishte në gjendje të jepte komente të mërkurën në mëngjes. Walker tha se shteti ballkanik mund të jetë në opsionin “OK”, por “ekspertiza e ulët teknike dhe e sigurisë” mund të paraqesë probleme.
Shkatërrimi i armëve kimike siriane mund të ndahet në mes të dy ose më shumë vendeve, kjo sipas burimeve të OKB-së, i cili adresoi çështjen në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë diplomatike. Në një ndarje të punës, një vend mund të neutralizoj komponentët sarin duke përdorur hidrolizën kimike, ndërsa një tjetër mund të djegë gazin mustardë, thanë disa ekspertë të tjerë. “Është e paqartë nëse ligjet mjedisore të Shqipërisë mund të jenë më të përkulshëm sesa ato të kombeve të Evropës Perëndimore. Sidoqoftë informata se procesi i shkatërrimit mund të rezultojë në gazra toksike ose kontaminimin e ujërave nëntokësore mund të përbëjnë, jo vetëm një çështje serioze për shëndetin publik, por edhe një detyrim politik për Washingtonin dhe aleatët e tij, duke qenë se ata janë dërguesit në këtë përpjekje”, - tha Walker.
Armët kimike, qytetarët e Elbasanit në protestë para Uzinës së Mjekësit
Pasi kanë dëgjuar që Uzina e Mjekësit mund të jetë një nga vendet ku do të demontohen armët kimike të Sirisë, banorët e fshatit Mjekës të Elbasanit kanë dalë në protestë. Sipas tyre, ky proces përbën rrezik për jetën e tyre, fëmijëve dhe mjedisin. Banorët tregojnë se distanca më e largët e shtëpive nga Uzina është 10 metra, çka do të thotë se ndikimi gjatë demontimit do të ishte i pashmangshëm. Banorët e cilësojnë vrasje, nëse lëndët kimike të Sirisë do të demontoheshin në Mjekës, 9 kilometra larg Elbasanit. Uzina e Mjekësit është ndërtuar në vitin 1962 dhe përreth saj ndodhen pesë fshatra; Mjekës, Kryezjarr, Tudan, Bardhes dhe Kuqan me rreth dy mijë banorë. Një ish-punonjës në Uzinën e Demontimit të armëve thotë se kjo uzinë nuk ka infrastrukturën dhe as specialistë të mirëfillte për çmontimin e armëve kimike. Gjate periudhës së Komunizmit në Mjekës prodhoheshin lëndë të ndryshme plasëse dhe ushtarake, ndërsa sot në këtë uzinë shkatërrohen ato që janë krijuar gjatë periudhës së diktaturës.
“Los Angelos Times”: Vendi që ngre dorën pro SHBA-ve
Për vite të tëra, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nevojë për ndihmë për të përmbyllur punën e tyre të pista diplomatike, një komb i panjohur e ka ngritur dorën, Shqipëria. Kështu shkruan “Los Angelos Times”. Një vend i varfër, në skaj të Evropës, Shqipëria mori të burgosurit ujgurë, nga Guantanamo kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund t’i riatdhesonin ata në Kinë. Ajo u ofroi azil 210 anëtarëve muxhahedinë Khalq, grup disident iranian i mbyllur gjatë në një kamp në Irak. Tani Shtetet e Bashkuara janë kthyer sërish në Shqipëri, duke shpresuar se ajo do të lejojë që armët kimike siriane do të shkatërrohen në tokën e saj. Kërkesa e administratës së Obamës për Shqipërinë, konfirmuar nga zyrtarët e qeverisë në Tiranë javën e kaluar, synon të zgjidhë një nga çështjet më të mprehta të planit të sponsorizuar nga SHBA për të çarmatosur arsenalin vdekjeprurës sarin të Sirisë, VX dhe gazin mustardë. Një tjetër vend që zyrtarët amerikanë kërkuan për të trajtuar këtë punë, Norvegjia, ka refuzuar.
Dhe zyrtarët danezë thanë të premten se vendi i tyre ishte i gatshëm për të ndihmuar transportimin, por jo shkatërrimin e tyre. Zyrtarët shqiptarë thanë se ata ishin duke shqyrtuar kërkesën. Departamenti i Shtetit, por nuk ka ende vendim, ndërsa nuk pranojnë diskutime të mëtejshme. “Ka pasur disa sinjale pozitive nga Shqipëria, por kjo është një çështje shumë e ndjeshme atje”, - tha një zyrtar evropian i cili ishte në dijeni të bisedimeve por nuk kishte autorizimin të fliste publikisht për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. Shqipëria ka përvojë me armë kimike.
Por, ka gjithashtu pyetje serioze në lidhje me aftësinë e Shqipërisë për të siguruar materialet e rrezikshme. Në vitin 2008, një shpërthim në një depo municioni jashtë kryeqytetit, ku ishin duke u demontuar predha të vjetra artilerie, vrau 26 persona dhe plagosi 300. Në vitet 2000, Shtetet e Bashkuara shpenzuan 45.000.000 $ për të ndihmuar në shkatërrimin e 16 ton gaz mustardë në Shqipëri. “Duket të ketë para, natyrisht, edhe pse ne nuk e dimë se sa shumë”, - tha Adrian Neritani , një ish-ambasador shqiptar në Kombet e Bashkuara, i cili është avokat në Nju Jork.
“Por në qoftë se kjo është një mënyrë që Shqipëria mund të ofrojë ndihmën dhe asistencën e saj dhe të tregojë se ajo është një anëtare e mirë i komunitetit ndërkombëtar, pse jo”? Sondazhet e rendisin Shqipërinë, me një shumicë dërrmuese e myslimane, në mesin e kombeve më pro-amerikane. Ndjenja daton nga Presidentit Woodrow Wilson, i cili mbështeti pavarësinë e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore dhe u forcua gjatë fushatës ushtarake të NATO-s 1999 në Kosovë, një rajon me shumicë etnike shqiptare që më vonë shpalli pavarësinë nga Serbia.
Arvizu, kokë më kokë me Ramën, Metën dhe Kodhelin
Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli zhvilluan dje një takim informal me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Aleksandër Arziu. Takimi i panjoftuar për median, i zhvilluar në hotel “Sheraton”, zgjati për rreth një orë. Pas përfundimit të tij vetëm kreu i Kuvendit pranoi të komentonte për median duke e konsideruar atë thjesht si një takim informal pas ceremonisë për të rënët britanikë. I pyetur nëse pas këtij takimi ndryshoi qëndrim për sjelljen e armëve kimike siriane në Shqipëri, Meta tha se vendi ynë do të do të marrë ato përgjegjësi që mbajnë supet e tij.
Meta pas takimit
“U shpreha dhe më parë se kjo ishte një bisede informale ku folëm për çështje të ndryshme. Për sa i përket çështjes dhe kapaciteteve të vendit tonë, unë i qëndroj deklarimit që kam bërë, që Shqipëria do të marrë gjithë ato përgjegjësi që mbajnë supet e saj”, - deklaroi Meta. I pyetur nëse kryeministri Rama ka të njëjtin qëndrim, Meta deklaroi se: “Shqipëria ka marrë e do të marrë të gjithë përgjegjësitë që ajo është në gjendje të mbajë dhe padyshim që gjithçka do të diskutohet e do të vendoset në një proces tepër transparent, nuk ka asnjë arsye për të paragjykuar këtë proces”. Sa i për- ket transparencës së këtij procesi, sipas Metës, ka deklarime publike te mjaftueshme për momentin për këtë çështje. Takimi informal i krerëve politikë me ambasadorin amerikan u zhvillua pas pjesëmarrjes në ceremoninë e Ditës së Kujtesës zhvilluar pranë memorialit të ushtarëve britanikë.
Në ceremoninë e përvitshme, organizuar nga ambasada britanike në Tiranë, merrnin pjesë personalitete të larta të politikës shqiptare, diplomatë të huaj, etj. Ushtarët britanikë kanë rënë në vendin tonë gjatë periudhës 1939- 1945, ndërsa kjo ceremoni përkujton sakrificat e vetëmohimin e tyre. Pak ditë më parë Kryetari i Kuvendit tha se Shqipëria s’ka kapacitete për asgjësimin e armëve kimike. “Nuk kam besim se ne i kemi këto kapacitete, sepse përderisa vende të tjera më të mëdha dhe më të zhvilluara nuk pranojnë se i kanë këto kapacitete, nuk mund të vazhdojmë më me teorinë që dy luanë ka bota. Absolutisht jo! Nuk ka asnjë arsye që ne të marrim vendime që cenojnë të ardhmen e qytetarëve tanë, gjeneratave të ardhme, absolutisht jo.
Por, nuk kemi pse të nxitojmë me paragjykime dhe fajësime. Shqipëria është anëtare e NATO-s, ka detyrimet e saj, dhe do të marrë ato përgjegjësi që janë në gjendje të mbajnë supet e saj. Nuk mund të marr përgjegjësi të cilat nuk i mbajnë supet e saj”, - tha Meta në një intervistë për "Top Story".